RRIPAK: Kultura të largohet nga pazaret politike

Kultura September 06, 2017 - 09:03

Në prag të formimit të institucioneve të reja shtetërore dhe Qeverisë së Kosovës RRIPAK - Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Kulturës përsëriti edhe njëherë se vlerëson që për krijimin e një paradigme të re për artin dhe kulturën në Kosovë dhe krijimin e një momenti të ri të zhvillimit, Ministria e Kulturës duhet të reformohet dhe në këtë proces kjo ministri duhet të udhëhiqet nga përfaqësues të dëshmuar dhe të pavarur të shoqërisë civile, të cilët mbështeten në këtë punë nga institucionet e artit dhe kulturës, artistët individual, shoqëria civile, partitë politike dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky rrjet u ka kërkuar partive politike parlamentare dhe koalicioneve parazgjedhore që ishin pjesë e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të vitit 2017, dhe të nominuarëve për të udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, që të mbështesin delegimin dhe zgjedhjen e anëtares së shoqërisë civile, Besa Luzhës, të nominuares së tyre për Ministre të Kulturës, Rinisë e Sportit në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Këtë kërkesë ata e përsëriten edhe njëherë përmes një konference për media të thirrur të martën.

Albert Heta nga RRIPAK tha se është e rëndësishme të krijohet zhvillim i hovshëm në art dhe kulturë, por edhe që Kosova të bëhet pjesë e rëndësishme e proceseve të ngjashme që po ndodhin në rajon.

“Pa marrë parasysh zhvillimeve politike që po ndodhin, nisma që ne kemi marrë i takon jo vetëm kësaj qeverie të projektuar tashmë, por secilës qeveri që do të udhëheq me vendin sot apo nesër, sepse si proces është i menduar të krijojë mekanizma që largojnë ndikimin e politikanëve në art dhe kulturë, trashëgimi kulturore e sport”, theksoi Heta. Ai bëri të ditur se tashmë kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me dy të nominuarit për kryeministër të vendit.

“Ne kemi vënë kontakte me Albin Kurtin dhe Ramush Haradinajn, pa përjashtuar asnjë parti politike. Kontaktet e para janë kontakte njohëse me platformën dhe idenë”, njoftoi Heta.

RRIPAK parasheh reformimin dhe krijimin e programeve të reja që e përkrahin artin dhe kulturën, pa të cilat sipas tyre shumë pak mund të ndryshohet. Sipas Albert Hetës, Kosova dhe Serbia janë të vetmet vende në rajon ku Ministria e Kulturës nuk udhëhiqet nga një person i deleguar nga shoqëria civile.

“Në rajon vetëm edhe në Republikën e Serbisë një mekanizëm i tillë udhëhiqet prej partive politike, pa një kapacitet të dëshmuar. Në këtë kohë në gjitha shtetet e tjera rreth nesh Ministria e Kulturës udhëhiqet prej personave të zgjedhur nga shoqëria civile. Në këto shtete rreth nesh, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi skena e pavarur nuk ka mekanizma aq të zhvilluar rreth vetës dhe në të njëjtën kohë në Kosovë skena e pavarur është më e fuqishme”, tha ndër të tjera Heta.

RRIPAK vlerëson që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes vital nacional dhe fushë e pavarur nga ndikimi partiak dhe politik, si parakusht dhe zgjidhje e domosdoshme dhe e vetme për të krijuar një gjendje të re zhvillimi për artin dhe kulturën në Kosovë, për të çliruar dhe fuqizuar potencialin e artistëve individualë dhe institucioneve të pavarura të artit dhe kulturës, për të fuqizuar dhe mbrojtur institucionet publike të artit dhe kulturës, për të siguruar mbështetje në vend, rajon dhe arenën ndërkombëtare, për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë duke përfshirë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

Sali Shoshi nga RRIPAK tha se ata vënë në pikëpyetje kapacitetet që ka MKRS për ta quar përpara anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Kosova dështoi të pranohet në UNESCO. Ishte një mësim i mirë se si ministritë garojnë se kush do t’i marrë meritat duke besuar se miqtë ndërkombëtarë do të na mbështesin, por u pa që kjo nuk është punë e kryer. U pa që pavarësisht që ishte një polarizim ndërkombëtar mes shteteve që e përkrahin Rusinë dhe Serbinë dhe shteteve tjera që e përkrahin Kosovën ishin edhe disa detyra të tjera të shtëpisë që ne është dashur t’i kryejmë paraprakisht dhe këto detyra janë barrë e Ministrisë së Kulturës veçanërisht. Disa shtete që e njohin Kosovën nuk kanë votuar pro anëtarësimit dhe unë besoj që arsyeja është sepse ne brenda në vend kemi dështuar të merremi si duhet me trashëgimin. Qoftë me legjislacion qoftë me mbrojtje të drejtpërdrejt të trashëgimisë në teren”, tha ndër të tjera Shoshi, duke shtuar se Ministria e Kulturës duhet domosdo të analizojë çfarë ka ndodh dhe të bëjë një plan të ri, i cili duhet të zbatohet nga një format dhe program i ri.

“Kultura duhet të ndahet prej pazareve politike dhe duhet t’i jepet përgjegjësia shoqërisë civile. Besa Luzha, e nominuara nga ana jonë, besojmë që është një kapacitet që mundet ta drejtojë këtë proces e ne të jemi mbështetësit e saj”, theksoi Shoshi.

Rikujtojmë se Besa Luzha, është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Ka magjistruar në Pedagogjinë e Muzikës dhe ka doktoruar në Edukim në Universitetin e Londrës.

Luzha ka qenë organizatorja kryesore e festivalit të parë të pavarur klasik në Kosovë, edicionit të parë të Kammerfest (2000), dhe është sekretare gjenerale e Kosovo Chopin Association, që me sukses ka organizuar festivalin ndërkombëtar Chopin Piano Fest Prishtina (2010-2017).

Luzha është aktiviste e dalluar e shoqërisë civile në Kosovë, në vazhdimësi e angazhuar në proceset shoqërore, me nisma me ndikim në zhvillimet e rëndësishme kulturore, shoqërore dhe politike në Kosovë. Që nga viti 2000 punon si koordinatore e programeve në Zyrën e Prishtinës të Fondacionit Friedrich-Ebert.