Kultura

Vepra e kompozitorit Hasani interpretohet në Japoni

Vepra e kompozitorit Hasani interpretohet në Japoni
05 shtator 2017 • 16 : 41

Vepra “Labyrinth”, e kompozitorit Artan Hasani, është interpretuar edhe para publikut në Japoni, nga "Flute Trio Fioritura", shkruan zeri.info.

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka bërë të ditur vet Hasani. Ai ka treguar se trio nga Japonia që luajti veprën e tij janë aktiv në qytetin e Tokios.

“‘Flute Trio Fioritura’, nga Japonia, janë formacioni që e ka interpretuar veprën time ‘Labyrinth’ dhe ky formacion përbehet prej tri flauteve (Satomi Urabe, Saki Tanaka, Saki Hasome). Ky formacion koncerton në Japoni dhe është mjaft aktiv e posaçërisht në qytetin e Tokios, ku edhe është interpretuar vepra ime. Para disa muajsh vepra është interpretuar edhe në Maqedoni nga Ad Libitum Trio”, tregoi Hasani.

Vepra “Labyrinth” është kompozuar në vitin 2011. Sipas Artan Hasanit në këtë vepër janë të gërshetuar elemente të ndryshme nga përvojat e tija muzikore si muzika klasike, flamenco, jazz dhe padyshim muzika shqipe.

Versioni i parë ka qenë i aranzhuar për saxofon, flaut dhe piano dhe është interpretuar nga Arian Randobrava, Rina Hyseni dhe Lumbardha Klinaku. Versioni i dytë i interpretuar po ashtu në Kosovë ka qenë i aranzhuar për dy flaute dhe piano dhe është prezantuar në kuadër të “Student Fest” dhe është interpretuar nga Penarta Kryeziu, Hysnie Latifaj dhe Anida Gjinali. Versioni i tretë për flaut, klarinetë dhe piano është interpretuar ne Maqedoni (Prilep) nga Ad Libitum Trio (Piano - Emilia Kabranova Filipova, Flaute - Silvana Culeva Atanasova dhe Klarinet - Lazar Sokolov).

Versioni i katërt, për tri flaute është ky që u interpretua në Tokio nga “Flute Trio Fioritura”. Zëri

© zëri.info