Zake Prelvukaj me ekspozitë personale në GKK

Kultura September 05, 2017 - 09:24

Ndonëse është një ndër piktorët më të mirënjohura të vendit, Zake Prelvukaj deri më tani nuk është prezantuar asnjëherë me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Kjo galeri do të hap dyert e saj për Zakën sonte (më 5 shtator) kur Prelvukaj do të prezantojë ekspozitën e saj personale, të titulluar “Ofshamë”.

Siç njofton për gazetën “Zëri” vet artistja, tashmë punët teknike janë kryer dhe gjithçka është gati për këtë hapje.

“Në galeri gjithçka është gati, përgatitjet kanë përfunduar. Në këtë ekspozitë do të prezantohen rreth 35 punime. Kjo është një ekspozitë që përfshinë mediume të ndryshme të artit. Kemi video, vizatime, piktura”, tregon Prelvukaj, duke theksuar se në katin e dytë të galerisë janë vendosur veprat që bëjnë pjesë tek artet konceptuale, kurse kati i parë është i mbushur kryesisht me piktura.

E pyetur se pse kjo ekspozitë titullohet “Ofshamë”, Zakja shpjegon se si sipas saj jeta e çdo njeriu është ofshamë.

“Ofshama nuk është vetëm për diçka të keqe. Ofshama është edhe për të mirë. Ofshama është revoltë. Ofshama është kënaqësi. Ofshama lidhet edhe me vdekjen. Njeriu ofshanë edhe kur shkon në botën tjetër. Ne kemi pasur ofshama edhe prej rreziqeve të ndryshme. Është jeta e njeriut, krejt jeta është ofshamë”, thotë ajo.

Kjo ekspozitë emirin e ka marr në bazë të një videoje që prezantohet në kuadër të saj.

Aty artistja Prelvukaj përpiqet të ilustrojë dhimbjen e grave të dhunuara. Një video të tillë që reflekton dhimbjen e atyre grave Zakja e kishte punuar edhe në vitin 1998. Ajo u prezantua në Podgoricë.  

Siç tregon Prelvukaj përmes ngjyrës së zezë, të cilën e shpërlan në këtë video dhe ofshamës ajo përpiqet të sjellë dhimbjen e këtyre grave.

Duke folur për faktin se po vjen për herë të parë më një ekspozitë personale ne Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zake Prelvukaj thekson se ajo ka pasur shumë aktivitete të tjera, ku ka prezantuar punën e saj dhe se thjesht duket që tash i erdhi koha edhe GKK-së.

“Unë kam pasur ekspozita personale, por jo në Galerinë e Arteve të Kosovës. Kjo është hera e parë që prezantohem këtu. Ndoshta jo pse nuk kam pasur mundësi, por mund të them se tash i ka ardhur koha. Edhe opinioni është njohur me artin tim përmes aktiviteteve të tjera”, thotë ajo, duke shtuar se për vitet e fundit vlerëson lartë punën e GKK-së si institucion.

Ekspozita “Ofshamë” do të qëndrojë e hapur për publikun e Galerisë Kombëtare të Kosovës  një muaj.