Rrëmih për me tregue

Kultura September 05, 2017 - 09:23

Para disa muajsh, në një bisedë miqësore, arkeologu dhe profesori i mirënjohur, Cyprian Broodbank, drejtor i Institutit MacDonald për Kërkime Arkeologjike në Cambridge të Mbretërisë së Bashkur, mes tjerash më tha: “Një arkeolog i trajnuar mirë është 60 vite investim në arkeologji. Besoj se si shtet i ri me evidenca të mëdha të lashtësisë, kryesisht neolite, jeni në pozitë të volitshme për një nisje të mbarë institucionale. Mos e humbni këtë mundësi”. Vetëm pohova dhe që atëherë e kam sjell në mendje këtë fjalë. Pyetja shtrohet: ku është arkeologjia e Kosovës sot dhe kah po shkon ajo?

Sipas Neritan Cekës, mendimi arkeologjik shqiptar është kultivuar tek pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ka pasur impulse edhe më të hershme. Në Kosovë, mendimi arkeologjik duket se ka qenë i nisur nga studiuesit sllavë dhe tek në vite 70-ta, kur janë formuar edhe institucionet kërkimor e edukative, ka nisur të zhvillohet edhe mendimi arkeologjik nga arkeologë e historianë shqiptarë. Prej asaj kohe ka pasur gërmime arkeologjike të prira nga arkeologët shqiptarë, por edhe analiza e interpretime mbi evidencat e autorëve antikë dhe gjetjet e reja arkeologjike. Në fakt, bazat e mendimit arkeologjik profesional kanë filluar qysh atëherë, me gjithë vërejtjet që arkeologët e rinj mund t’i theksojnë në aspekte teorike e metodike. Menjëherë pas luftës së vitit 1999 një numër i studentëve ka specializuar në arkeologji në vendet perëndimore si Francë, Britani, Turqi, etj. Kështu, shihet se ka filluar të formësohet një grup i studiuesve të rinj, shumica e të cilëve japin mësim në Universitet të Prishtinës ose punojnë në Institutin Arkeologjik të Kosovës, të cilët edhe kanë nisur gërmime të reja duke dhënë edhe indicie dhe shpresë për një shkollë të organizuar arkeologjike në Kosovë. Me hapjen e degës së arkeologjisë brenda Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, tre vite më parë, mundësitë për të kultivuar tutje mendimin arkeologjik brenda katedrës universitare janë shumë më shpresëdhënëse dhe realiste.

Pa hyrë më thellë duhet të themi se një gjë e dimë të gjithë: arkeologu nuk është punëtori me kazmë në dorë; ai nuk është vetëm varrmihësi dhe përshkruesi i tipologjisë së vendbanimit të gërmuar. Arkeologu është edhe mendimtari dhe interpretuesi i jetës së jetuar në kohërat e kaluara. Si thoshte David Clarke, një prej themeluesve të arkeologjisë procesualiste, mendimi arkeologjik ka kaluar prej dijes e vetëdijes te vetëdija kritike. Po ashtu, duhet vënë në pah se “të dhënat” apo “të gjeturat” të cilat konsiderohen si fakte nuk mund të ndahen apo të leçiten nga teoria dhe interpretimi. Akti interpretiv i arkeologut, ashtu sikurse i antropologut të kulturës, duhet të nis bashkë me aktin e hulumtimit në terren. Në fakt një njohje teorike e një lexim i thukët historik, i pangarkuar me pseudo-teori e ideologji, e pozicionon edhe pikëpamjen etike edhe interpretive të arkeologut para se t’ia nisë edhe gërmimi. Megjithatë, sikurse në gjithë fushën e antropologjisë edhe në arkeologji, gjetjet nga terreni janë kundrina kryesore e analizës dhe interpretimit.

Kështu që, mëdyshjet që ekzistojnë në rrethet akademike e kulturore se arkeologjia jonë është kryesisht vetëm “e kazmës” janë të pamatura dhe të pasakta. Disa arkeologë e kultivojnë mendimin arkeologjik me dekada. Po ashtu, duhet të shtojmë se shkollës së re arkeologjike në Kosovë i duhet pa

ra së gjithash një njohje mjaft e mirë metodike, tipologjike, krahasuese e përshkruese para se të kultivohet si interepretim i hollë mbi të kaluarën. Secili arkeolog duhet të njoh lokalitetin e vetë si materialitet dhe (përafërsisht) si kontekstualitet para se ta njoh dhe ta interpretojë atë me kontekstin e gjerë arkeologjik, historik, kulturor, etj. Në esencë, pikërisht te njohja tematike dhe te njohja e etapës kohore (dhe epistemologjisë së krijuar për të e rreth saj) bazohet specializimi i arkeologut. As arkeologët, as antropologët e kulturës nuk mund të jenë të specializuar në të gjitha fushat e temat, e periudhat.

Ma shkurt: mbi njohje specifike dhe konversacion arkeologjik e ndërdisiplinor, gjithnjë në mënyrë inkrementale, mund të ngrihet edhe mendimi e interpretimi arkeologjik. Andaj, duhet të presim ende për të marrë interpretime më të thukëta nga arkeologët e rinj. As arkeologjia, as antropologjia, nuk janë disiplina që interpretojnë vetëm tekst në tavolinë. Interpretimi arkeologjik merr kohë dhe energji më të madhe se interpretimi filologjik. Kam besim se edhe koha e interpretimit do të vijë së shpejti. Shpresoj fort se po. Sepse, po ashtu, besoj se ideja e gjithë arkeologjisë është "me rrëmihë për me tregue", thënë në idiomën e Zef Pllumit. Interpretimi është fort i rëndësishëm. Por edhe pa përvjelur duart dhe pa i futur në gërmime askush nuk mund të bëhet arkeolog që tregon diçka. Megjithatë, nuk mjafton as vetëm rrëmihja/gërmimi as vetëm analiza teorike e historiografike. Këto punë duhet të shkojnë bashkërisht ashtu sikurse që shkojnë edhe në antropologji sociale/etnologji. Secili antropolog bën edhe kërkimet e veta në terren dhe pastaj interpreton “faktet etnografike”, ashtu si i vrojton e dokumenton, në raport me teoritë përkuese, relevante apo edhe kundërshtuese.

Pa dyshim se duhet të përmirësohet komunikimi dhe njohja mes studiuesve të fushës së antropologjisë e disiplinave tjera shkencore përmes konferencave, seminareve, ligjëratave mysafire, bashkëpunimeve në terren, ftesave miqësore, përmirësimit të plan-programeve, përkthimeve, etj. Por ka hapa: bashkëpunimi i Departamentit të Antropologjisë me Institutin Arkeologjik të Kosovës, u mundëson studentëve të arkeologjisë të bëjnë punë praktike në “rrëmihje” të ndryshme. Bashkëpunimi me universitete evropiane u mundëson atyre edhe studime jashtë vendit. Ka disa indicie të mira. Arkeologjia duket se ka nisur të identifikohet si disiplinë dhe zëri i saj po vjen duke u rritur. Dhe çfarë është më e mira: arkeologjia ka filluar të bëhet edhe disiplinë e pëlqyeshme e atraktive në mesin e të rinjve të Kosovës.

Prandaj, kjo disiplinë ka të ardhme të ndritur në Kosovë. Dum spiro spero!

(Arsim Canolli është mësimdhënës i antropologjisë kulturore në Departamentin e Antropologjisë, UP)