Romani i fëmijëve të Kosovës

Kultura September 04, 2017 - 08:17

“Si një sofër e madhe, ku të gjithë duan të hanë, por askush nuk do t’i lajë enët”, kështu i përgjigjet personazhi Nimi (Xhimi) mikut të tij nga Gjeneva, Henrit, kur ai e pyet se si është Kosova.

Shkrimtari prizrenas, Ndriçim Ademaj, ka zgjedhur që në romanin e tij të parë, të titulluar “Pa heronj, pa bujë”, të flasë pikërisht për kohën e pseudo heronjve në Kosovën e pasluftës.

Nuk janë të shumtë romanet që na sjellin luftën e fundit të Kosovës nga perspektiva e një fëmije. Në fakt, “Pa heronj, pa bujë”, roman i Ademajt, është një histori e rrëfyer në dy perspektiva kohore, të ndryshme e të panjohura për njëra-tjetrën.

Të dyjave u paraprin “Koha zero” që del të jetë koha reale në të cilën rrëfen narratori. Në pjesën e parë është Xhimi në Gjenevë. Refugjati me pak para në xhep që shëtitet lokaleve, dehet e ëndërron për Sarën. Në anën tjetër, në të dytën ai është Nimi, fëmija që po përjeton shenjat e para të luftës, pastaj arratisjen, vdekjen e të afërmve e kthimin në liri. Janë shumë gjëra që e preokupojnë të voglin në kohë lufte. Çka po ndodh, kush janë UÇK-ja, çka është liria dhe kur do të mbërrijë? “Ndoshta liria është të mund ta hash një hamburger të shijshëm e të nxehtë valë tek sheh shokët e klasës që kanë mundësi ta blejnë”, thotë në një pikë ai, si përgjigje në dilemat e shtruara më heret.

Theks të veçantë më romanin e Ademajt merr edhe raporti i personazhit fëmijë me prindërit. Me nënën Nimi është i lidhur fort, siç janë shumica e fëmijëve dhe figura e saj paraqitet me të gjitha atributet, me të cilat zakonisht përshkruhet një nënë. Në anën tjetër, një raport i ndërlikuar, i çuditshëm dhe me konflikte është raporti babë e bir. Poeti jo fort i suksesshëm duket se gjithë zemërimin e shpreh tek i biri. Duhet të krisë lufta, i biri të humbet në turmë e të gjendet pas disa ditësh në mënyrë që i ati të denjojë ta përqafojë për herë të parë. Kjo i mjafton Nimit të vogël t’i gëzohet edhe luftës, në këmbim të një përqafimi prindëror.

Pjesën e dytë të romanit e përshkruajnë frika, uria, radhët e gjata të pritjes për ushqim, dëbimi nga shtëpia e kampet e refugjatëve. Të gjitha këto përmbysen nga fundi i luftës. Përshkrimi i kthimit në shtëpi nga Shqipëria, sikundër edhe ardhja e lirisë kryepersonazhit i lë shumë pikëpyetje.

“Mbas njëfarë kohe arritëm në lagje. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Përveç meje. Dhe derës së oborrit. Me ngjyrë të kuqe dhe shkronja të shtrembra shkruhej ‘UÇK, mos e prek’. Dy burra të veshur me rroba ushtarësh po mundoheshin ta thyenin drynin që e kishte vënë babai ditën kur dolëm. – Po çka po bëni bre burra? – u foli ai. Ata kthyen kryet. I njoha. I kisha parë në kampin e refugjatëve tek mbushnin ujë bashkë më gratë e tyre. Si duket ata kishin pas një autobus më të shpejtë dhe kishin mbërritur para nesh. – E çka po të duhet ty? – ia ktheu ai që ishte më i trashë se ai tjetri. – Qysh more çka po të duhet ty? Asht shpija jeme. – Po çfarë shpija jote? Kjo është shpi e shkaut. Shikova edhe njëherë mirë për të parë mos kishim gabuar shtëpinë. Shtëpia ishte po ajo dhe gazetat që mbulonin shtëpinë nuk ishin prekur. – Jo bre burra, e paskeni ngatërru. Mos jeni nis te kjo përballë, – ua ktheu babai me njëfarë droje. Dy burrat e panë njëri-tjetrin dhe folën diçka me zë të ultë. – Me na fal. E gëzofshi lirinë! – Thanë dhe morën mjetet e punës për t’ia mësyrë shtëpisë përballë”, kjo është njëra nga përballjet e para të Nimit me lirinë. Por as liria nuk e bën t’i gëzohet bastisjes së shtëpisë së Jelenës, vajzës serbe që dikur në shkollë e në lagje e shikonte me admirim.

Libri “Pa heronj, pa bujë” është simbol i fëmijërisë së gjeneratave që kanë lindur pas viteve 1985 dhe e kanë përjetuar luftën në Kosovë, i fëmijëve të humbur në rrugët e Evropës, gjithmonë në kërkim të një jete më të mirë, gjithmonë rrugëve të vështira.

Por as atje, në Gjenevën evropiane, Nimi i kthyer në Xhim nuk i ik dot emërimit nënçmues “shiptari”.

Tema e luftës ka qenë në qendër të shumë romaneve që më vonë kritika i ka konsideruar si kryevepra botërore. Përmendim këtu atë që na vije në mend së pari, “Lamtumirë armë” e Ernest Hemingway, që përshkruan përvojën rinore të autorit gjatë Luftës së Parë Botërore. Siç thotë kritiku Joe Woodward, për aq kohë sa ka pasur luftë, ka pasur gjithmonë edhe shkrimtarë që janë përpjekur ta kuptojnë atë, duke e kthyer terrorin e fushëbetejave në tregim dhe duke u përpjekur të bëjnë diçka të dobishme prej saj.

Kur u promovua romani i Ademajt, u fol shumë për kapërcimet. Ky roman shpërfaq kapërcimin e shkrimtarit nga poezia te proza, por edhe rendjen kah pasqyra në të cilën shihet shoqëria jonë përmes një personazhi, i cili gjendet në një kryqëzim identitetesh mes rrënjëve që bart nga Kosova dhe perëndimit të injektuar brenda tij në Zvicër. Një roman vërtetë pa bujë e patriotizëm folklorik.

Ndriçim Ademaj ka lindur në Prizren më 1991. Ai është autor i tri vëllimeve me poezi: “Kërkoj diellin” (2008), “Dera” (2012) dhe “Këngë nga rruga e farkëtarëve” (2015). Ky është romani i tij i parë./Zeri/

 

Image