‘Oh, mother’ triumfon në ‘Anibar’

Kultura August 22, 2017 - 14:49

Me arsyetimin se: “ky film tregon një histori të lidhjes midis nënës dhe fëmijës, por në përgjithësi gjithashtu flet për bashkëvarësinë njerëzore nëpërmjet tregimit metaforik, përdorimit të zgjuar të humorit vizual dhe tranzicionit të rrjedhshëm të animacionit”, juria e festivalit “Anibar” i ka ndarë çmimin kryesor të festivalit filmit “Oh, mother” nga Polonia, shkruan zeri.info.

Në mbyllje të edicionit të vitit 2017 festivali i animacionit në Pejë, “Anibar” ndau edhe çmimet e tjera të parapara për këtë vit. Juria këtë vit ishte e përbërë nga nëntë pjesëtar dhe e ndarë në “Grand Jury” dhe “Student Jury”, juri kjo e cila ka qenë vazhdimisht duke përcjellë filmat dhe të cilët vlerësimin e kanë bërë në bazë të kritereve që kanë vlerësuar storien, efektet speciale, dhe teknikën e përdorur të animacionit.

Këtë vit, juria e studentëve ishte e përbërë nga Jeta Dobranja, Edvin Susuri, Andi Gola dhe Lunik Berisha.

Kjo juri përveç çmimit kryesor me çmime të veçanta ka shpërblyer edhe filmiat “Juliette” nga Belgjika, “Tough” nga Mbretëria e Bashkuar dhe “It’s a Date” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa në anën tjetër “Grand Jury” për kategorinë ndërkombëtare ka shpërblyer me çmime të veçanta filmat “Ogre” nga Franca, “Pussy” nga Polonia e “Nighthawk” nga Sllovenia.

Fitues është shpallur “Nothing Happens” nga Danimarka.

Në kategorinë e “Music videos” janë veçuar “GastaLoops” nga nga Mbretëria e Bashkuar e “Zapaska” nga Ukraina.

Në garën e Ballkanit çmime kanë marrë “20 Kicks” nga Bullgaria dhe “Wicked Girl” nga Turqia në bashkëpunim me Francën.

Gjatë një jave të gjithë të interesuarit në kulturë e film, të interesuarit për të takuar njerëz të njohur e interesantë në animacion, filmografi, art, arkitekturë e shumë fusha të tjera, patën mundësi të marrin pjesë në aktivitete të llojllojshme, duke filluar prej orës 10:00 të mëngjesit e deri në 10:00 të mbrëmjes.

Por filmave, u hap edhe një ekspozitë në galerinë e arteve në Pejë, pati punëtori për fëmijë dhe të rinj, takime e prezantime në ambiente të ndryshëm dhe në fund të çdo dite u mbajtën ndeja muzikore.

Tema e festivalit “Anibar” sivjet ishte “Rikthimi i qytetit” dhe kjo u bë përmes shfrytëzimit të hapësirave publike të pashfrytëzuara prej kohësh në funksion të kulturës dhe në shërbim të qytetarëve. /ZËRI/