Në Voskopojën prej guri, ku ruhet civilizimi ynë

Kultura August 22, 2017 - 08:41

Erën e Voskopojës e ndien edhe nga qyteti i Korçës, ku edhe janë themelet e shkollës së parë shqipe. Të bëhet sikur të thërrasin ato mure, ai shtrat civilizimi në lartësinë mbidetare prej më shumë se 1600 metra.

Të dhënat nga librat shkollorë, nga studiuesit e huaj, nga teksti i Aurel Plasarit "Fenomeni Voskopojë" dhe nga përshkrimet ekspresioniste të Ben Blushit në romanin "Të jetosh në ishull", përbëjnë vetëm disa motive më shumë që të ngjitesh në përmendoren e civilizimit shqiptar të quajtur Voskopojë.

Tek arrin në atë hapësirë prej guri, të rrethuar me shpatije të bukura, gjëja e parë që të bie në sy është një shtëpi e vogël prej guri, projekt i delegacionit të Unionit Evropian, i cili tashmë shërben si model renovimi për të gjitha ato punë të mëdha që kanë nisur në Voskopojë, e  që për material bazë kanë gurin.

Krejt aty përballë sheh si qëndron madhështore Akademia e Re, të cilën, në këtë kohë renovimi, e ruan një qen i Sharrit, përkatësisht një pastor ilir. Duket qartë se aty punët rreth renovimit kanë ecur mirë, ndërsa në kishën e Shën Nikollës, vetëm disa qindra metra më larg, renovimet posa  kanë filluar për t'i mbrojtur punimet monumentale të David Selenicës dhe vëllezërve Zografi.

Për fatin tonë të mirë, At Thoma Samarojn, e takojmë në rrugë dhe ai sikur e kupton qëllimin e vizitës sonë dhe na pret miqësisht duke na drejtuar nga kisha e Shën Nikollës, ku edhe shërben si prift.

"Kujdes, do të zbresim shkallëve të vjetra në një temperaturë më të vogël për 10 gradë!- na e tërheq vërejtjen At Thomai dhe kujdeset që t'i kalojmë pa telashe shkallët prej gurëve të mëdhenj, të vendosur aty rreth vitit 1750. Dhe vërtet të krijohet bindja se je futur në një frigorifer të madh, ndërsa jashtë dielli përcëllues i gushtit ka ngritur shkallën e termometrit në afër dyzet.

Tek shikon pjesën e brendshme të kishës, të mbushur deng me afreska, bindesh se dora e piktorit David Selenica me të drejtë është vlerësuar si dora me influencë më të madhe në Rilindjen e gjithë artit ballkanik. Aty gjenden njëmijë afreska të David Selenicës, të cilat e bëjnë këtë kishë të jetë e veçantë jo vetëm ndër ne, por në rajon dhe më gjerë. Për më tepër kjo kishë bëhet e njohur edhe për faktin se këtu kanë punuar edhe vëllezërit Zografi.      

Vërtet është gjë e mrekullueshme të shëtisësh nëpër pikturat e David Selenicës dhe të shijosh mjeshtërinë e tij, sikundër edhe të shohësh apokalipsën e punuar nga vëllezërit Zografi që tashmë dukshëm është dëmtuar. Aty madhështor qëndron edhe froni i peshkopit, i punuar në Korfz para treqind vitesh.

At Thoma Samaroj ka filluar të shërbejë në këtë kishë nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur edhe ndodhën ndryshimet politike në Shqipëri dhe kur predikimi fetar u lejua pas gati gjysmë shekulli ndalesë nga regjimi komunist. Siç thotë edhe vetë, përpara kishte bërë punë të ndryshme nëpër kooperativa, ndërsa tashti me pasion ushtron funksionin e klerikut. Nuk përton të të flas për historinë e Voskopojës e në veçanti për historinë e kishës së tij, përkatësisht të Shën Nikollës.

Voskopoja me kohë është identifikuar së pari si vend i kishave, pastaj si vend i një civilizimi të dallueshëm në Ballkan, ku në shekullin e XVIII kishte lulëzuar, dija dhe tregtia. Sipas të dhënave historike Voskopoja zhvillimin më të madh e kishte përjetuar në vitin 1764, kur kishte rreth 30 mijë banorë dhe 25 kisha të stolisura me afreska shumë të bukura.

"Tani kanë mbetur vetëm 8 kisha dhe ato në gjendje jo të mirë. Shkaku i barbarive që kanë ndodhur, Voskopoja është futur në listën e 100 qyteteve më të dëmtuara në botë", thotë At Thomai, ndërsa shpalon historinë e dhembshme të Voskopojës.

Dhe vërtet të dhënat historike dëshmojnë se këtë qytet- përmendore të civilizimit shqiptar, tri herë e kishin djegur, duke provuar ta shndërrojnë në pluhur të kujtesës. Në vitin 1769, osmanët pasi e plaçkitën, e dogjën. Në vitin 1788 Ali Pasha gati sa nuk e rrafshon përfundimisht. Voskopoja së fundit u plaçkit dhe u dogj nga bandat e Sali Butkës, në vitin 1916. Dhe vërtet është forca e gurit ajo që e mbajti gjallë shpirtin e Voskopojës, ku tash nëpërmjet renovimeve po freskohet edhe kujtesa.

"Ka pasur fonde të ndryshme për të ndihmuar renovimin e qytetit, por falë Zotit, tash pas 70 vjetëve është kujtuar edhe ministria e Kulturës dhe ka ndarë fonde të konsiderueshme për renovimin e objekteve më të rëndësishme, siç janë kishat këtu", shprehet i kënaqur At Thomai, ndërsa sheh se ngado punohet në Voskopojë; nëpër mure e nëpër rrugë.

Sipas tij, tani në Voskopojë ka rreth 200 banorë, të cilët kryesisht nëpër festa e vizitojnë kishën me të madhe, ndërsa mysafirë të përhershëm ka vizitorët e shumtë që nuk përtojnë të ngjiten në këtë vend me trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe me bukuri të rralla natyrore.

Në kishën e Shën Nikollës është realizuar edhe një pjesë e filmit "Udha e shkronjave", ndërsa për filmin "Koha e largët", është shfrytëzuar ikona e Farhedhësit, si simbol i jetës. Po jo vetëm udha e shkronjave, por e gjithë udha e civilizimit shqiptar kalon nëpër Voskopojë.

At Thomai ruhet nga komentet politike, por nuk e fsheh respektin që ka ndaj kryepeshkpit Janullatos. Pak me ndrojtje, por mbron faktin se komuniteti i Voskopojës të jetë vlleh. Madje nuk e fsheh faktin se pjesë të liturgjisë mban edhe në gjuhën vllehe, sikundër vepron edhe me pagëzimin e fëmijëve. At Thomai, në mbështetje të këtyre fakteve tregon ngjarjen e madhe të vitit 2010 kur vlleh nga e gjithë bota kanë ardhur në Voskopojë për të kremtuar 300 vjetorin e ditëve më të lavdishme të kësaj qendre të rëndësishme edhe për Ballkanin.

Kështu bashkë me renovimet që kanë filluar me të madhe në Voskopojë, shihet e domosdoshme të ruhet edhe kujtesa që dëshmon për kultivimin e gjuhës, alfabetit dhe vlerave tjera kulturore që janë ekskluzivisht të lidhura me gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Këtë ia kemi obligim përpjekjeve të mundimshme të Teodor Kavaliotit, Dhaskal Todhrit, David Selenicës, vëllezërve Zografi e shumë të tjerëve që Voskopojën e bën qendër të rëndësishme për vendin dhe rajonin në përgjithësi.