Muzika elektronike ka publikun më paqësor

Kultura August 21, 2017 - 10:13

Këtë javë në rubrikën e “Zërit” të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, kemi ftuar aktorin Shkëlqim Islami.

Aktori nga Maqedonia duke folur për krijimet muzikore që i veçon ka zgjedhur të na shëtis në zhanre të ndryshme. Nga “Lule të bukura ka Tirana”, tek kryevepra të rokut botëror e deri te muzika elektronike, që duket se i fle në shpirt.

Shkëlqimi ka lindur në Kumanovë dhe aktualisht është aktor rezident i teatrit të këtij qyteti. Në anën tjetër ai vazhdon të punojë në projektet e tjera, duke qenë edhe pjesë e një seriali në Shkup. Me rolet e tij atë e kemi parë edhe në filmat e Ujkan Hysajt e Ilirian Himajt.

Ai tashmë është në përgatitje të projekteve të reja, të cilat pritet t'i bëjë publike me kohë.

Bjello Dugme - Kosovska

Më pëlqen kjo këngë nga legjendat e gjeneratës së babit. Mënyra se si e tregojnë dashurinë, simpatinë dhe porositë që ka i dashuri . “Të lutem sonte bëhu gati se do të vijë unë pas teje/ Hape moj dollapin, zgjedhe ti fustanin më të mire”. Teksti, melodia, ritmi, solo e rrumbullakësojnë kënaqësinë që ta jep kënga. Secilën vajzë shqiptare e gjen brenda këtij teksti, ndërsa e veçantë është e gjithë kënga.

Merita Halili - Lule të bukura ka Tirana

Nuk e di pse e kam zgjedh këtë këngë për provim pranues, vetëm se gjithmonë kur e dëgjoj më dalin para fytyre Faruk Begolli, Luan Jaha, Arbnesha Grabovci- Nixha (zyshja ime) e Ilire Vinca. Edhe po besoj që e kam pas kënduar mirë.

Deep Purple - Child in time

Në klasën e aktrimit e kemi pas një piano dhe ushtroja nga pak. Gjatë shkollës së mesme me shokun dhe këngëtarin Shpend Latifi e këndonim shpesh këngën “Child in Time”. Kur erdh Shpendi për vizitë në Prishtinë shkuam drejt e te piano. Ai filloi ta interpretoi (më së miri) dhe erdhi prof. Enver Petrovci e tha: “E dëgjova prej poshtë në korridor, edhe e prita te tingulli më i lartë, edhe e kape për mrekulli”. U qesh, ja vendosi kapakun shishes së ujit dhe doli duke u galisur.

 Berlin - Take My Breath Away 

Gjithmonë ma kujton shkollën e mesme. Dimër, kafeneve poshtë e lartë, nostalgji, por tash nuk më shkon mendja ta dëgjoj. S’e di, mendoj gjithçka me kohën.

Depeche Mode - Stranglove

Ikonat angleze “Depeche Mode” gjithmonë më kanë dhënë ndjesi dhe shumë të vështirë e pata përzgjedhjen. Mbi të gjitha tekstet e tyre janë shumë poetike. Ata janë Shekspiri i muzikës. Gjithmonë i dëgjojmë gjatë përgatitjeve të shfaqjeve në teatër me kolegun e shokun Qazmedin Nuredini- Dina, (I cili  ka idol dhe e pranoj influencën e tij për këtë grup). Për dallim nga Dina, i cili shumë shpesh ka qenë në koncerte të tyre unë po rri me shpresë…

GUG GUS

Kur është fjala për elektronikë, veçoj këtë grup nga Islanda, të cilin pata fat ta dëgjoj në Shkup (bile ja toka dorën këngëtarit, ha-ha). Më pëlqen stili i tyre dhe sigurisht është influencë edhe nga “Depeche Mode”.

Game Of Thrones – Light of the Seven

Soundtrack i serialit “Games Of Thrones”, kompozuar nga Ramin Djawadi, është gjeniale. Serialin e dini, s’kam çka flas, fantastike çdo gjë. E shijoj çdo episod dhe çdo gjë.

The Pianist – Soundtrack

Soundtrack i filmit “The Pianist” nga Frederic Chopin. Vetëm mbylli sytë, përqafoje një notë muzikore dhe do ta shihni si ju ngrit në qiell. (shaka).

Muzika elektronike

Në pamundësi për të përzgjedh ndonjë  “trek”  dua t’i përmendi disa DJ dhe bende. Tale Of Us, Adriatique, Uran B. (artist vendor), Sasha, John Digweed, Kraftwerk, Solomun, Hernan Cattaneo e shumë të tjerë. E vërteta është se dëgjoj shumë muzikë elektronike. Kam provuar edhe vetë të lëshoj muzikë, por që asnjëherë s’kam dashur të etiketohem si DJ. Jo për ndonjë gjë, por gjithmonë me ka tingëlluar shprehja: “gjithkush është ba DJ.” Çka edhe është e vërtetë, andaj më mjafton profesioni dhe ndjehem i plotësuar. Muzika elektronike është kulturë në vete, ndërsa tek ne në Maqedoni nuk dëgjohet shumë. Ka festivale në Shkup e rrethinë, mirëpo më shumë performojnë muzikë elektronike limonadë, sepse edhe muzika elektronike ka nivelin e saj artistik, që njerëzve që nuk e dëgjojnë u duket e njëjtë. Që mos ta zgjas më shumë, muzika elektronike ka publikun më paqësorë nga të gjitha zhanret.

 

 Cinematic Orchestra – To Build a Home

Dëgjojeni, ka disa versione. secili më i mirë se tjetri. Për mua mbetet kënga më e mire në këtë top 10. Natyrisht që kam shumë të tjera, por shpresoj në ndonjë mundësi tjetër do t’i shpalos me ju.