Ornela Kapetani, aktorja më e mirë në Festivalin e Sarajevës

Kultura August 19, 2017 - 08:57

Aktorja shqiptare, Ornela Kapetani është shpërblyer me çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Kapetani ka marrë “Zemrën e Sarajevës” për rolin e saj kryesor në filmin “Dita zë fill”, të regjisorit Gentian Koçi.

Një çmim i tillë i fituar në një Festival si ky i Sarajevës paraqet një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm për aktoren Ornela Kapetani, por edhe për kinematografinë shqiptare që po arrin të depërtojë nëpër festivale të mëdha.

Aktorja Kapetani e ka dëshmuar tashmë vetën edhe në role të tjera, përfshirë ata në filmat “Hostage” dhe “Correction”.

Filmi “Drita zë fill”, që u prezantua në Festivalin prestigjioz të Sarajevës, bën fjalë për sfidën e Letës. Për të mos humbur vendin e punës, Leta, nënë e një djali njëvjeçar, mban në jetë me çdo kusht Sofinë, një grua të moshuar për të cilën ka pak kohë që kujdeset.

Filmi i Gentian Koçit ishte një nga shtatë filmat e përzgjedhur që garuan në Festivalin e filmit më të rëndësishëm të rajonit dhe një ndër më të rëndësishmit në Evropë. Ky film është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL.

Filmi “Dita zë fill” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Greke e Filmit, EURIMAGES, Radio Televizioni Shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Network.

Më 18 gusht “Sarajevo Film Festival” mbylli edhe një edicion të suksesshëm duke ndarë çmimet e gjitha kategorive garuese.

Filmi më i mirë u shpall “Scary Mother/Sashish Deda” me regji nga Ana Urushadze. Şerban Pavlu morri çmimin për aktorin më të mirë, ndërsa Emanuel Parvu u shpall regjisori më i mirë. 

“Sarajevo Film Festival” është festivali kryesor dhe më i madh i filmave në Evropën Juglindore, dhe është një nga festivalet më të mëdha të filmave në Evropë. Ai u themelua në Sarajevë në vitin1995 gjatë rrethimit të Sarajevës, në Luftën e Pavarësisë së Bosnjës dhe sjell çdo vit në Sarajevë regjisorë e aktorë të famshëm ndërkombëtarë dhe lokalë./Zeri/.