Jam dhe do të mbetem rebel

Kultura August 19, 2017 - 08:56

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, "Jepi Zërit", sjellim shkrimtarin dhe gazetarin nga Tirana, Kliton Nesturi. Prej vitesh punon si gazetar në Radio- Televizionin Shqiptar. Është autor i shtatë librave: “Eldorado”, poezi, “I huaj në shtëpi”, tregime, “Një mijë”, roman, “Histori tangjente”, tregime, “Gjergj Bubani, i harruari i përkohshëm”, ese monografike, “Trangelang”, dramë dhe “Spaletat”, tregime.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pse, është pyetja që përballet me përditshmërinë e realitetit shqiptar; vrasjet, korrupsionin, grindjet, varfërinë morale dhe ekonomike, keqdashjen, smirën, prapaskenat, luftën e egër për pushtet. Pse të gjitha këto, kur të gjitha mund të zgjidhen shumë thjesht dhe me dialog. Në gjenin tonë si komb, më shumë është keqdashja ndaj tjetrit, se sa paqja dhe kultura, toleranca dhe humanizmi. Nuk dua të bëj krahasime me të shkuarën, por shoh një regres, një kaos social që vazhdimisht prodhon plagë shoqërore. E gjithë kjo e ka rrënjën në servilizmin politik që ka mbërthyer jetën tonë. Shoqëria shqiptare është e varfër. Ajo kënaqet me pak, nga lëmosha që i vë përpara politika. Fatkeqësisht, çdokush e lidh veten me politikën, njërin krah apo tjetrin. Kjo bën që të heshtim ndaj të vërtetave dhe të mos flasim hapur. Në radhë të parë me veten. Nuk jemi aq të emancipuar dhe bashkëkohor sa themi. Kudo, ka vetëm fjalë. “Shumë fjalë, imzot!” Për sa më përket mua, si gazetar dhe si shkrimtar kam vendosur të flas hapur dhe kështu do vazhdoj gjithnjë.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Shtëpi-punë dhe punë-shtëpi. Prej shtëpisë ku banoj deri në Radio Televizionin Shqiptar, ku punoj, nuk zgjat më shumë se njëzet minuta. Është më shumë si një shëtitje në këmbë. Të tjerat janë aksesorë të ditës dhe varen nga agjendat.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Ka disa libra që qëndrojnë në vitrinën e kujtesës time. “Makbethi” i Shekspirit, “Harku i triumfit” i Remarkut, “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruaj” i Markesit, “Për kë bien këto këmbanat” i Heminguejit, etj.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Nuk ndihem mirë. Ka shumë bjerrje morale kudo, pabesi dhe intriga, keqdashje, injoranca që përpiqet të pushtojë gjithçka, vetëm e vetëm se në duart e saj ka më shumë para se sa në sferën intelektuale dhe akademike. Çdokush mendon se ka të drejtë që t’u impinohet të tjerëve, madje edhe dhunshëm. Më vjen keq për kombin tim. Njerëzit e mençur dhe qytetarët po nëpërkëmben dita-ditës. Marshimi i injorancës nuk po njeh kufij dhe njerëz me rekorde kriminale përpiqen të pushtojnë çdo gjë, madje edhe shtetin. Faqet e gazetave, portaleve dhe televizioneve më shumë se gjithçka po prodhojnë kronikën rozë. Po bëhen heronj fëmijë të përkëdhelur të prindërve të pasur, të cilët në vetëvete nuk kanë asnjë vlerë, veç se kanë makina dhe orë të shtrenjta, bëjnë jetë luksoze dhe shkojnë në shkuma party. Ky është shembulli më i keq që po u japim të rinjve dhe fëmijëve. Nuk ka lidhje aspak me shoqërinë që duam të ndërtojmë e të kemi, dhe aq më pak me Evropën ku duam të hyjmë e të trajtohemi si të barabartë. Të vjen për të vjellë.  Natyrisht, që në këtë krizë morale dhe sociale nuk ndihem mirë, por nuk dorëzohem. Në jetën time kam pasur shumë mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, por unë kam zgjedhur të qëndroj këtu. Kam qenë, jam dhe do të mbetem rebel, aspak në kompromis me mediokritetin dhe meskinitetin.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Pavarësisht se çfarë themi dhe se ku duam të jemi, kultura shqiptare është shumë larg asaj që duhet. Në shekullin e njëzet e një vazhdojmë që tu këndojmë heronjve dhe  liderëve politikë dhe nuk lexojmë letërsi, nuk shkojmë në teatër dhe thuajse fare në opera apo në ngjarje që lidhen me filmin dhe artin. Strategjitë institucionale mungojnë. Nuk ndërtojmë biblioteka publike, ndërsa në universitete shpesh japin mësim profesorë me diploma të falsifikuara dhe tema doktorature të blera apo të vjedhura. Më vjen keq që vazhdojmë të mbetemi një komb folklorik. Flasim shumë për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe individëve të veçantë, por tashmë ka shpërthyer një xhelozi ndërmjet nesh. Kjo është tragjike. Akoma vazhdojmë të mendojmë se jemi qendra e botës, ndërkohë që të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, nuk janë më shumë se një e treta e Stambollit, apo sa gjysma e Tokios. Një klimë të tillë, si ndër shqiptarë, rrallë mendoj se e gjen kund. Në ndryshim me këtë, individët ndërmjet tyre komunikojnë shumë mirë, kanë pika takimi të përbashkëta, dhe kjo është ajo që më bën të ndihem mirë. Atë që nuk po e bën politika, po e bëjnë individët me idetë dhe iniciativat e tyre. Kjo është vlerë që mbetet, një urë e sigurt për të ardhmen. Kulturën shqiptare mund ta zhvillojmë vetëm duke qenë të gjithë bashkë dhe jo tek e tek.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Është mirë të mos flasim për të shkuarën. Sot nuk është ajo që duam të jetë, por përderisa kemi vendosur të jetojmë këtu, duhet të luftojmë për një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze. Kohët ndërrojnë shpejt.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura që më pëlqen më shumë është “Para pushkatimit” e Francisko Gojës. Është përballja me fatin, me vdekjen. Poezia që kujtoj më shpesh “Lamtumirë” e Sergej Esenin. Këngët? Të gjitha këngët e Joe Cocker dhe Eric Clapton, në veçannti “Change the world”. Filmat e preferuar “Gjuetari i drerëve” me Robert De Niron, “Aromë gruaje” me Al Paçinon dhe “Qyteti i humbur” me Andi Garcian. Më pëlqen arti që përcjell mesazhe të mëdha.