Libër i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë ndërtimore

Kultura August 18, 2017 - 09:04

Gjatë këtyre muajve, krahas shumë librave të botuara nga autorë vendor dhe të huaj, nuk mungoi as libri i autores Florina Jerliu. Libri përmban materiale të mjaftueshme që kanë të bëjnë me historinë, koncepte teorike, definicione, metoda dhe teknika të mbrojtjes së trashëgimisë. Ka një pasqyrë kronologjike duke na kthyer në retrospektivë, në periudhat e hershme  arkeologjike, duke  bërë një prezantim për zhvillimet dhe përplasjet kulturore gjatë kohës. Të dhënat e paraqitura nuk i përkasin vetëm hulumtimit në Kosovë, por këto të dhëna i lexojmë  me një hapësirë më të madhe gjeografike, duke na dhënë ilustrime paralele me shumë shtete të Evropës dhe vendeve të tjera. Librin e begatojnë edhe  më shumë definicionet,  të cilat e bëjnë të qartë dhe i orienton lexuesit  të kenë informacione të bollshme në këtë fushë, ku, siç shprehet autorja, mbrojtja e trashëgimisë kulturore si disiplinë shumë sektoriale, duhet të shikohet në bashkëmarrëdhënie me arkitekturën dhe praktikat e krijimit.  

Autorja në këtë vëllim shtron tema nga më të ndryshmet, duke i përfshirë katërmbëdhjetë kaptina, ku në pjesën e parë na paraqitet me konceptet për kulturën që kanë dhënë mendimtarët e antropologjisë dhe filozofisë, e më pastaj kemi teoritë e shkollave për trashëgimi, siç janë shkolla franceze, angleze dhe amerikane. Krahas kësaj autorja na sqaron konceptet “restaurim”, dhe “konservim”, që jo rrallë herë këto koncepte janë të dallueshme. Këto ide sqarohen shumë mirë duke e përmbushur edhe një boshllëk të kësaj fushe që tani në Kosovë është e domosdoshme edhe kjo lëndë.

Studiuesi mund t'i gjej edhe ndarjet e periudhave të zhvillimit të arkitekturës, hapat e zhvillimit të restaurimit dhe konservimit duke filluar me civilizimet e Romës, Greqisë, Egjiptit. Në vazhdimësi të këtyre të dhënave me mjaft interes në librin “Mbrojtja e Trashëgimisë Ndërtimore”, gjejmë autorët e parë ose më mirë të themi teoricienët e parë që dhanë kontribut në këtë fushë si: Alberti, Serilo, Gustavo Giovannoni, Camillo Boito, Cesare Brandi etj. Nuk mungojnë as stilet dhe të dhënat e arkitekturës të shfaqura gjatë kohës, ku secila periudhë  kishte stilin e vet, e ne këtu e gjejmë atë Gotik, Barok, Neoklacist.

Në vazhdim i hasim teoricienët e arkitekturës dhe kontribuesit në mbrojtjen e monumenteve. Bie fjala studiuesi Rigel, i cili monumentet i klasifikon në: 1) Monumente të qëllimshme apo të synuara, 2) Monumente të paqëllimshme, 3) Monumente historike, 4) Monumente të vjetra.

Rigel besonte se mbrojtja e shtresave të trashëgimisë duhet të shmanget nga propaganda nacionaliste dhe të promovojë mirëkuptim kolektiv.

Këtu i gjejmë edhe ligjet e krijuara që gjithnjë janë në të mirë për t'i mbrojtur monumentet në theks të veçantë Karta e Athinës,  Karta e Venedikut pastaj ligjet e bëra nga shtete të ndryshme si Polonia, Spanja, Belgjika, Suedia, Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda.

Libri në fjalë na jep të dhëna për Organizatat dhe Bashkëpunimet ndërkombëtare. Tani kur Kosova si shtet i ri, pritet të jetë anëtare në këto organizata, si UNESCO, OWHC, ICCROM, ICOMOS, autorja hap rrugë të re për të shqyrtuar dhe grumbulluar materialet e nevojshme për të qenë anëtare e këtyre organizatave. Krahas ndryshimeve ideologjike të bëra   në shekullin e  XIX-të, për  krijimin dhe forcimin e kombeve këtë pasqyrë autorja e paraqet edhe në trojet shqiptare, e cila përmend hulumtuesit dhe promotorët e kombit shqiptarë që thanë shumë edhe për trashëgiminë kulturore. Me qenë se  fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një kthesë e ndryshimeve negative për shqiptarët, organizimi dhe idealet nuk u ndalën asnjëherë nga studiuesit. Ata na përcollën materiale të mira për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 

Studimi i Florina Jerliut ishte edhe më i thuktë pas Luftës së vitit 1999. Këto janë të prezantuara dhe specifikojnë ligjet e krijuara, duke bërë ndarjen e trashëgimisë në bazë të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Autorja flet për digjitalizimin e trashëgimisë, një punë që Kosova është duke u përballuar me këto ngecje.  

Libri “Mbrojtja e Trashëgimisë Ndërtimore“, do t’ju hynë në punë arkitektëve, etnologëve, historianëve dhe të gjithë atyre që merren me trashëgiminë kulturore. Mbështetur në shumë autorë, duke e përfshirë edhe autoren Jerliu,  mbrojtja e trashëgimisë kulturore mbledh në ombrellën e saj veprimet e shumta teknike të cilat ndryshojnë midis tyre, si për nga qëllimi i veprimit ashtu edhe për nga kuptimi i vet nocioneve që i përkufizojnë ato veprime si: konservimi, restaurimi, rehabilitimi, rijetësimi, ruajtja, ripërtëritja, konvertimi, transformimi, ripërdorimi, rivitalizimi, riparimi, rimodelimi, rizhvlersimi, shpëtimi, rindërtimi, rinovimi etj.

Autori është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik-Prishtinë