Të entuziazmuar me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare

Kultura August 17, 2017 - 08:35

Njëzetegjashtëvjeçari Miłosz po merr pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ai merr pjesë për të katërtën herë. Në vitin 2014, ai erdhi për herë të parë në Prishtinë, si pjesëmarrës i Seminarit XXXIII.

Para se të vinte në këtë seminar për herë të parë ai kishte ndjekur një kurs për gjuhën shqipe në Berlin dhe mësuesja e tij shqiptare e kishte informuar për seminaret që mbaheshin çdo vit në Kosovë. Që nga ai vit, Miłosz e pret çdo maj që të aplikojë për të ardhur sërish në Kosovë.

Miłosz është nga Polonia, por është lindur dhe rritur në Berlin të Gjermanisë.

Ai i ka përfunduar studimet në Dizajn Grafik në kryeqytetin gjerman. Kur së pari erdhi në Kosovë, Milosz kishte vetëm një fjalor të vogël frazeologjik gjermanisht – shqip dhe të vetmen kosovare që njihte ishte mësuesja e tij në Berlin.

Miłosz dinte veç disa fjalë shqip, por jo edhe t’i lidhte ato në fjali.

Ai tregon se udhëtoi me autobus nga Gjermania, aty e takoi motrën e këngëtares kosovare, Shkurte Fejza. Gjatë rrugës, ajo e mësoi ta këndonte këngën “Xhamadani vija-vija”.

Më pas, ai bleu CD-në e këngëtares dhe e mori me vete.

Tash, ai e këndon pa problem këtë këngë. Miłosz e mban një fletore ku i shkruan të gjitha fjalët e reja që i mëson dhe ua bashkëngjet nga një vizatim që të mund t’i mbajë mend.

Që kur Miłosz ka ndjekur kurset e gjuhës shqipe në seminar dhe ka bërë shumë miq kosovarë, ai i ka kryer me sukses dy nivelet e para të kurseve. Gjatë dy javëve në Prishtinë, ai flet shumicën e kohës shqip.

Ai premton se kjo nuk do të jetë hera e tij e fundit në seminar. Në anën tjetër Danica, 25 vjeçare, nga Serbia, që nga viti 2014, kur ajo fliste shumë pak shqip, i ka ndjekur kurset e gjuhës shqipe në kuadër të seminarit. Atëherë ishte në fillim të studimeve të Albanologjisë, ndërkaq sot mban titullin Master në këtë degë.

“Kur së pari erdha në Kosovë nga Jogodina, Serbia, vendlindja ime, nuk kisha pasur shoqëri me ndonjë shqiptar. Por, kur erdha këtu u befasova për të mirë me mikpritjen që më bënë dhe tani kam shumë miq nga Kosova”.

Danica kishte vendosur të vijë në Seminar pasi kishte mundësi të kufizuara që të komunikonte me dikë shqip në Serbi, aq më pak në dialektin gegë. Meqë mësimet në universitet i merrte në shqipen standarde, dialekti gegë ishte i pamundur për t’u mësuar.

Por, qe pikërisht ky dialekt që e tërhiqte atë pasi i dukej më melodik, më interesant, më i lehtë e më ekonomik. Ajo edhe sot flet me miqtë e saj shqip rreth ca gjërave pasi e ka përshtypjen që ca gjëra tingëllojnë më mirë në shqip.

Danica vjen pothuajse çdo vit në seminar kryesisht për ta përmirësuar shqipen, por edhe për ta pasur mundësinë që brenda ditës t’i dëgjojë të gjitha gjuhët e botës.

Shoqja e saj e dhomës po mëson greqisht gjatë kësaj vere së bashku me një seminarist nga Greqia, përderisa Danica kap ndonjë fjalë greke aty-këtu.

Nga shqipja në greqisht e deri në japonisht, ajo ka mundësi të mësojë edhe ndonjë fjalë nga këto gjuhë sa është në seminar.

Profilet e tyre, si edhe të shumë pjesëmarrësve të tjerë, janë publikuar në faqen zyrtare të seminarit në Facebook. Të mërkurën pjesëmarrësit e këtij seminari patën rastin të përcjellin ligjëratën e studiuesit Kujtim Rrahmani, me temë “Në dorë të mitit: Fiksioni e polisi”, udhëhequr nga Nysret Krasniqi.

Pastaj gjatë ditës vazhduan referimet e tjera me Giovanni Belluscio, Gani Pllanën, Sadete Pllanën, Mustafa Ibrahimin e aniel Jordanov Tomov.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar 43 vite më parë, në vitin 1974, nga disa intelektualë dhe albanologë të shquar të asaj kohe.

Punimet e këtij seminari i hapi të hënën dekanja e Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova, e cila tha se seminaristët janë dëshmia më e mirë se asgjë nuk e ndryshon formimin e vazhdueshëm shkencor tërë jetësor të studiuesve të rinj nëpërmjet këtij institucioni dhe standardet e larta që ky seminar i ka vendosur tashmë.

Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe.

Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. /ZËRI/