T’ua kthejmë poetëve letërsinë

Kultura August 16, 2017 - 12:56

Për të ditur çka është e çka s’është letërsi (art) fillimisht duhet të dimë se pse krijohen dhe çka janë veprat e artit.

“Shkrimtarët janë mendjemëdhenj, egoistë, dhe dembel dhe prapa motiveve të tyre qëndron gjithmonë një mister. E shkruara është një luftë e tmerrshme dhe e lodhshme, si një periudhë e një sëmundjeje të dhimbshme. Ata që nuk ndiqen nga demonë të cilët nuk mund t’u rezistojnë e as t’i kuptojnë nuk merren me shkrime. Dhe e vetmja gjë që dimë është se demonët janë thjesht instinkt i njëjtë me atë që e bën një fëmijë të qajë për vëmendje”, ka shkruar George Orwell në një ese të quajtur “Pse shkruaj”. Duke dashur që t’i kthente shkrimet politike në art Orwell insistonte se “Kur ulem të shkruaj një libër nuk i them vetës që do të shkruaj një vepër arti, shkruaj sepse ka disa gënjeshtra që dua t’i ekspozoj ose disa fakte te të cilat duhet vënë vëmendja”. E gjitha kjo, natyrisht, pa e harruar shijen e hollë estetike që e do letërsia.

Nga ana tjetër, kur lexojmë poezitë e William Vaughn Moody, atë tipin që ka shkruar “Kënga e Pandorës”, veç tjerash në veprën e tij “The fire-bringer” ka një parafjalë të shkruar nga miku i tij më i mirë. Ai flet se si kanë shkuar së bashku nëpër pyje dhe Moody, gjatë gjithë kohës e kthente në rapsodi bukurinë e natyrës. Gjatë leximit mund t’u duket e çuditshme se si dikush mund të rrijë mbi një gurë dhe me anë të gjërave më të vogla, gati të parëndësishme, të na bëjë të mendojmë për vlerën e diçkaje më të madhe se vetja. Se si ai mund t’i injorojë të gjitha problemet që ka dhe ta himnizojë natyrën. Epo, kjo është forca e  jashtëzakonshme e poezisë. Poetët dinë si ta heqin absurditetin dhe t’i familjarizojnë edhe situatat më të pazakonta duke na bërë të shohim diçka të çuditshme e të mos skuqemi sikur të kishim derdhur çaj të nxehtë në prani të vajzës që duam ta bëjmë për vete.

Kurse veprat e Emil Cioran kanë një qasje tërësisht nihiliste që veç zhvillohet me kalimin e kohës. Një shkrimtar i ekzilit që vuante nga insomnia dhe ishte i obsesionuar me vetëvrasje. Ai tregon që e shkruara ka qenë alternativë para vetëvrasjes.

Ndërsa shkrimtar si Tolstoi, nuk besonte në novelën si formë e kënaqësisë estetike, por si mjet për formim dhe edukim psikologjik. Ai e hedh poshtë idenë e Artit për artin. Ai besonte që një vepër e mirë arti na bënë më pak paragjykues dhe të moralshëm. Duke ndjekur idenë “Mos t’i ndëshkojmë karakteret e liga”, Tolstoi tregon që e mira dhe e keqja janë shumë relative.

Gjithsesi, mund të gjesh edhe poezi të aktivistëve dhe obskurantistëve, që u ka krisur në kokë që “ta shpëtojnë botën” me poezi koti, zhurmë pa fjalë dhe veshje hipi.

Me pak fjalë ka disa gjëra që mund të nxjerrim nga arti:

1. Arti i dedikohet vetes – arti i dedikohet individit dhe krijohet për të shpëtuar veten. Është estetika e veprës, aftësia e narracionit dhe aftësia për t’i demaskuar demonët tanë ajo që e bën një vepër arti të ndikojë edhe te individët e tjerë.

2. Arti largon thuajsimi - arti na tregon që fundi fundit nuk jemi aq të ndryshëm nga të tjerët. Nga frika se do të dukemi të ndryshëm ose humbës ne vëmë nga një fasadë. Arti na tregon se sa normale është kjo ndjenjë e thuajsimit. Na bën të kuptojmë se vetëm lolot e mendojnë veten si vendës, të gjithë të tjerët janë alienë të migruar. Veprat më të mira të artit tregojnë që vuajtjet janë pjesë e natyrës njerëzore.

3. Arti na ndihmon t’i vlerësojmë gjërat që kanë vërtetë rëndësi – arti glamorizon gjërat që vërtet kanë rëndësi, duke u bërë armiku kryesor i mediave.

4. Arti si balancues – arti na dhuron ato aspekte që na mungojnë te vetja.

5. Arti është politik – më saktë arti përdorë varietetin e interpretimeve për të futur fshehurazi çështje politike.

Problemi i artit të sotëm!

Këto, pak a shumë kanë qenë gjithmonë arsyet e krijimit të një vepre artistike, por çfarë ka ndodhur me artin e sotëm? Në të kaluarën arti është ndërtuar mbi kërkesat që: të mbahet në standardin më të lartë, që secila gjeneratë t’ua kalojë mjeshtreve të mëparshëm dhe që arti të inspirojë kualitetet më të mira. Kurse sot çmohen shkarravinat pa kuptim që ofendojnë vet konceptin e artit.

Michelangelo e ka gdhendur Davidin nga një gurë, nga ana tjetër, në ditët e sotme në muzeun e Los Angeles çmohet një gurë gjigand me emrin “Lavitated mass”. Ja sa ka rënë standardi i artit!

Pavarësisht që arti është i liruar nga rregullat, ideja që “e bukura qëndron në sytë e atij që gjykon” është absurde duke parë që jetojmë në një kohë ku lulëzon injoranca. 

E gjitha ka filluar me impresionistët, një grup artistësh të cilët rebelohen kundër Akademisë franceze të artit “Academie des Beaux-Arts” dhe kërkesave që kishin për artin klasik. Këtu fillon relativizmi estetik apo kjo shprehja e tmerrshme “e bukura në sy të atij që gjykon”. Edhe pse gjeneratat e para të impresionistëve i respektojnë disa standarde të artit, gjeneratat e mëvonshme apo evoluimi i idesë “e bukura në sytë e atij që gjykon” ka bërë që standardi i artit bie sa Davidi kthehet në një gurë të thjeshtë. Standardi universal i kualitetit të artit duket si i dalë mode, por duhet patjetër të ketë një të tillë, pa një standard estetik nuk mund të dallohet kualiteti apo inferioriteti i veprave të artit.

Arti i ditëve të sodit është art i aktivistëve të ndryshëm, që e përdorin artin veç si propagandë. Pa u keqkuptuar, edhe artistët e përdorin artin si propagandë, por kurrë në dëm të vlerave dhe estetikës artistike.

Në fakt kam përshtypjen se asgjë nga arti s’ka ndryshuar. Pyetja duhet të jetë, jo çfarë ka ndodhur me artin, por çfarë ka ndodhur me artistët? Qe kur ua kemi dorëzuar artin aktivistëve dhe obskurantistëve? Le ta marrim mbrapsht letërsinë. Le t’ua kthejmë letërsinë/artin shkrimtarëve/artistëve.

Dua të shtoj që postmodernizmi dhe post-postmodernizmi janë periudha të jashtëzakonshme për letërsinë. Na kanë sjellë vepra dhe mënyra të pabesueshme të narracionit si dhe shkrimtarë të mëdhenj, por gjithashtu, ka lënë hapësirë që çdokush të krijojë iluzionin e të qenit artist.

Gjithsesi, ajo që është e sigurt, atë që letërsia na ka dëshmuar prej vitesh është që veç kryeveprat i mbijetojnë kohës.