Vijon në Sarajevë festivali i filmit

Kultura August 15, 2017 - 09:03

Ka nisur të premten edicioni i 23-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë, i cili u hap me një sekuencë të filmit të Aki Kaurismaki “The Other Side of Hope”. Kjo është hera e dytë, që filmi i këtij producenti finlandez, hap këtë Festival shumë të rëndësishëm kinematografik.

Në këtë edicion marrin pjesë 230 filma, 70 dokumentarë dhe 28 filma të animuar. Ky Festival do të pasqyrojë punën e 54 shteteve të ndryshme dhe do të jetë njëkohësisht premiera e 23 filmave të rinj. Drejtuesi dhe themeluesi i këtij Festivali u shpreh se edicioni i këtij viti është ai ku shpirtrat e të gjitha gjeneratave janë mbledhur së bashku.

Sivjet ky festival me çmimin “Zemrës së Sarajevës” ka nderuar regjisorin Oliver Stone.

Atje tashmë është prezantuar filmi i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit. Ky film është një nga shtatë filmat e përzgjedhur që do të garojë në Festivalin e filmit më të rëndësishëm të rajonit dhe një ndër më të rëndësishmit në Evropë. Ky film është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL. Filmi “Dita zë fill”, është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Qendra Greke e Filmit, EURIMAGES, Radio Televizioni Shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Network.

Wide është distributori ndërkombëtar i filmit, të cilin e kanë prezantuar si “special screening” në marketet e Festivalit të filmit në Berlin dhe Kanë. Filmi bën fjalë për sfidën e Letës. Për të mos humbur vendin e punës, Leta, nënë e një djali njëvjeçar, mban në jetë me çdo kusht Sofinë, një grua të moshuar për të cilën ka pak kohë që kujdeset.

Në Sarajevë do të prezantohet edhe aktori i mirënjohur shqiptar Ilir Tafa, me dy projekte filmike, të cilat janë premierë – “Invisible” të regjisores Amra Mehiç dhe “Zhaba” të regjisorit Elmir Jukiç.

“Sarajevo Film Festival” do të vijojë deri më 18 gusht. Ky është Festivali kryesor dhe më i madh i filmave në Evropën Juglindore, dhe është një nga festivalet më të mëdha të filmave në Evropë. Ai u themelua në Sarajevë në vitin1995 gjatë rrethimit të Sarajevës, në Luftën e Pavarësisë së Bosnjës dhe sjell çdo vit në Sarajevë regjisorë e aktorë të famshëm ndërkombëtarë dhe lokalë.