Nisi Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Kultura August 14, 2017 - 15:03

Prishtina do të jetë nikoqire e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqipe për herën e 36 me radhë, shkruan zeri.info.

Punimet e këtij seminari i hapi të hënën dekanja e Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova, e cila tha se seminaristët janë dëshmia më e mirë se asgjë nuk e ndryshon formimin e vazhdueshëm shkencor tërë jetësor të studiuesve të rinj nëpërmjet këtij institucioni dhe standardet e larta që ky seminar i ka vendosur tashmë.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndër akademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare. Falë miqve tanë, seminaristëve, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë”, theksoi dekanja Rugova.

Ajo për më shumë i ka falënderuar seminaristë, profesorët e studentët në universitete të mirënjohura evropiane, që kanë kontribuar në themelimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë me Universitetin e Prishtinës, me theks të veçantë në albanologji.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës e uroi fillimin e seminarit duke thënë se ky tashmë është shndërruar në një nga institucionet më prestigjioze për studimin e albanologjisë. Më tutje, ai ka thënë se ata do të përpiqen, së bashku me Republikën e Shqipërisë, që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore.

“Ky seminar ka shërbyer për internacionalizimin e studimeve të albanologjisë në universitetet e botës dhe për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë ministri Bajrami.

Në këtë edicion do të marrin pjesë 150 studiues të albanologjisë si dhe rreth 100 studentë nga tërë bota. Sipas tij, duhet të theksohet interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre përmes këtij seminari.

Për t’i uruar organizatorët dhe seminaristët për nisjen e këtij edicioni në foltore u ngjit edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu ndërkaq, në emër të Akademisë së Shkencave, Artit dhe Kulturës, akademik Hivzi Islami, duke i uruar punë të mbarë seminarit tha se ky tashmë e ka krijuar dimensionin e vet si pjesë e pandashme e traditës dhe kulturës shqiptare.  Zëri