Jam brezi i librave të ndaluar

Kultura August 12, 2017 - 11:50

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit",  prezantojmë Sabina Darovën, lindur në Shkodër dhe rritur në Krujë, ndërsa nga viti 1993 jeton në Itali, ku pos që vazhdon me krijimtarinë e saj, ajo edhe me përkushtim të madh merret me promovimin e kulturës, përkatësisht të krijimtarisë së autorëve të ndryshëm shqiptarë nga fusha të ndryshme të kulturës dhe artit. Këtë e bën në cilësinë e presidentes së shoqatës kulturore AlbArt, me qendër në Astit. Merret edhe me përkthime nga shqipja në italisht.  

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Kjo pyetje më sjell ndër mendje dyshimin Hamletian "Të jesh apo të mos jesh" , i cili vuri në lëvizje interpretime të panumërta rreth kësaj çështjeje psiko- filozofike e sociale. Nga një këndvështrim personal, mund të them që i përqasem me dilemën kush isha sot dhe çfarë i dhurova të sotmes për të nesërmen. Përgjigjet janë si moti; një ditë ka re, një tjetër ka diell, ka shtrëngatë, apo ylber...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një ditë?

Udhëtimi im ditor, i ngjan një treni që fishkëllen në disa stacione. Stacionet ku janë të detyruara ndalesat (familja, puna) dhe stacionet pasione që i kërkon shpirti dhe mendja, e me të cilat ndërtojmë UNIN për t'i shërbyer të nesërmes (leximi, shkrimi, muzika, fotografia, udhëtimet në botë, ekspozitat, muzeu, koncerti, shëtitja, miqtë).

Në ditët që jetojmë, udhëtimet janë thjeshtëzuar shumë. Në pak sekonda, me një shtypje tasti në kompjuter, e gjen veten duke udhëtuar në Azi, në Tiranë, apo Itali, vendin ku jetoj prej 24 vjetësh. Gjen njeriun që shkruan poezi, një ese, një studim historik, një pamflet politik, apo edhe mikun që jeton në Zelandën e Re. Ndaj në një ditë tashmë, jeta fluturon në shumë stacione si pa kuptuar...Mjafton të dish të zgjedhësh. Përshtatshmëria e kësaj foljeje në mënyrë individuale dhe si, jep përgjigje cilësisë që i jepet ditës.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mund t'i përgjigjet një 20-vjeçar shpejt kësaj pyetjeje. Librat që vëmë në dukje dhe lenë gjurmë në jetën tonë, i përkasin një periudhe të caktuar, që i përgjigjet kushteve shoqërore dhe historike të përjetuara. I përkas brezit kur bibliotekën nuk e gjente ndër rafte, por në sëndukët e fshehur poshtë minderit. Jam brezi i librave të ndaluar dhe jo vetëm. Kështu kam zbuluar Dovstojevskin, Whitman, Aligerin e shumë të tjerë. Por shkrimtarët e mi të preferuar të adoleshencës janë Balzak, Maupassant e Tolstoi.

Kur erdha në Itali, bibliotekën e njoha mbas javës së dytë të qëndrimit. Dhe për t'i qëndruar temës së librave të ndaluar, vëmendjen e tërhoqi historia e filozofisë moderne. Këtu mund të radhis një numër pa fund... Tani, për sa i përket letërsisë bashkëkohore, më tërheqin emrat francezë si Pennac, apo Foenkinos. Ndër autorë shqiptarë, Lasgushin, Koliqin, Kutelin dhe Migjenin. Ndoshta këta emra më kanë shtyrë të lëvroj prozën e shkurtër...

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Duke jetuar né mërgim përjetohet vazhdimisht kriza identitare. Kujt i përket: vendit ku jeton prej pothuajse një çerek shekulli, apo vendit që të lindi dhe të brumosi? Jeta e një emigranti është midis dy valixheve me vlera, të cilat shkëmbehen njëra me tjetrën shpesh në harkun e ditës. Ky shkëmbim, shoqërohet me dhimbje e krisje. Vihen në diskutim vlera moralesh dhe stile jetësh. Si të thuash, je konstant në praninë e një peshore ndër duar. Herë rëndon e majta dhe herë e djathta. Gjetja e ekuilibrit kërkon një impenjim të dyfishtë dhe të mençur. Por i dua krizat. Mbas tufanit zbulohen toka pjellore të reja...

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kulturën e shoh si një tortë të lartë dhe të pasur me dekore. Po të pyesësh një mjeshtër pastiçier se çfarë duhet për të nxjerrë nga duart një tortë të mirë, përgjigjet: materialet përbërës të një cilësie të lartë, mundësisht bio, masat ekzakte, fantazi dhe durim gjatë përgatitjes. Shijen e vlerëson kur e ke provuar... Mendoj se artet figurative janë performanca më cilësore me të cilën flet arti sot. Por njihet pak nga masat. Shkollave do të ju sugjeroja futjen e librit të Historisë së Artit që në vogëli, sepse ndihmon jashtëzakonisht për një edukim estetik, për të cilin ka shumë nevojë brezi i ri, i cili është mjaft konfuz. Masat e mëdha të informacionit që perceptojnë nga mas media pa një filtër udhëzues e selektiv po i masakrojnë. Duhet të ndërgjegjësohemi sa më shpejt, sa nuk është vonë.

Si ishte dje, si është sot, dhe si do të jetë nesër?

Dje shkruhej me pupël dhe me penë të ngjyer në kallamar. Sot shkruhet me stilograf dhe me tastierë. E nesërmja ndoshta me valë që përcjellin mendimin mbi një ekran pa kërkuar sforcimin e përdorimit të dorës. Është forca e mendimit ai që paraprin.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Adhuroj artin pamor dhe ndjehem në vështirësi për të zgjedhur, por po jap dy emra, një burrë dhe një grua: Artemisia Gentileschi dhe Claudet Monet. "Poemën e mjerimit" të Migjenit, "Notturne" të Chopin dhe së fundi filmin "Pacienti anglez".