Kriza e shkrimit dhe e leximit

Kultura August 10, 2017 - 12:00

Përherë gjatë kohës së verës, e cila nënkupton edhe kohën e pushimeve, i bëj një pastrim gjeneral bibliotekës sime. Shoh aty që gjatë vitit janë grumbulluar shumë libra që nuk vlejnë më shumë se sa të dërgohen për riciklim në fabrikën e letrës. Kuptohet, libra që të jepen falas. E meqë librat janë si vetë njerëzit, është mirë që të bëhet një seleksionim i tyre. Prandaj nga raftet heq numër të konsiderueshëm librash dhe autorësh, në mënyrë që të kenë sa më shumë hijeshi librat dhe autorët që përbëjnë një thesar të jashtëzakonshëm.

Këtë fakt po e vë në dukje pikërisht shkaku i krizës së leximit dhe shkrimit të librave, të cilën aktualisht po e përjetojmë si shoqëri. Vërtet po e jetojmë kohën në të cilën shumë pak lexohet e shumë shkruhet; po e jetojmë krizën e lexuesit dhe të krijuesit. Të lexuesit për faktin se libri nuk konsumohet, gjë kjo e cila verifikohet nga shitja e tyre, ndërsa të krijuesit, përkatësisht të shkrimit për faktin se tani edhe lagjet janë mbushur me krijues. Kështu në vend që të kishim lexues të mirë, tani kemi krijues të dobët, madje të tillë që shfaqin rrezik të jashtëzakonshëm për shoqërinë, ndërsa libri din edhe të helmojë!

Në fakt ne edhe po e helmojmë shoqërinë në përgjithësi, e në veçanti gjeneratën e re, atë nga e cila presim të krijohet lexuesi i mirë. Autorët e shumë librave, që në fakt janë analfabetë funksionalë, në pamundësi që t'i shesin librat e tyre, shkojnë dhe i shpërndajnë falas nëpër bibliotekat e shkollave, ku pastaj të tillat u jepen nxënësve për lexim. Për më keq, të tillët bëjnë promovime, duke gjetur autoritete të rrejshme letrare që shiten për pak para, e që nuk ngurrojnë librat e tillë t'i shpallin edhe si kryevepra! E për shumë më keq promovimet e tilla organizohen nëpër institucionet tona që do të duhej të merreshin me këtë problem e jo të ishin në shërbim të këtij problemi. Promovimet e tilla pastaj zënë vend edhe nëpër mediet tona, veçmas në ato elektronike dhe kështu i japim krah zhvillimit të injorancës dhe mediokritetit që tashmë ka ngulfatur shoqërinë tonë.

Ndryshe Borges aktin e leximit e vlerësonte më shumë se aktin e shkrimit, prandaj edhe thoshte se parajsën e ka menduar një vend me libra. Po sigurisht jo me libra çfarë hidhen në tezgat tona, sepse këto më shumë të krijojnë ndjenjën e ferrit, përkatësisht ndjenjën e të jetuarit në kënetishtë. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa librat edhe shpërfaqin nivelin kulturor të një vendi.

Nëse pranojmë si të saktë konstatimin e Pushkinit se leximi është mësimi më i mirë, del se ne nuk po mësojmë fare. Nga ky aspekt duhet kundruar edhe rezultatet e PISA-s. Kjo edhe për faktin se leximi është procesi më i mirë që ndërlidhë të folmen me të shkruarën. Shihni sa me vështirësi flasin njerëzit tanë nëpër mediet elektronike!? Pastaj vetë fakti që emrat publikë kanë nevojë të deklarohen se sa libra lexojnë në muaj, vetvetiu shpërfaq krizën e leximit! Gjuha është shtëpia ku banojmë ne, prandaj me të hapur gojën ne shohim sa libra ka brenda saj. E tmerrshme ta mendosh këtë!

Për sa kohë ne do të merremi me shkrimin e librave e jo me leximin e tyre, shoqëria jonë do të shtresojë krizat e saj në të gjitha sferat e jetës. Po e pakta që mund të bëjmë, mirë është që institucionet tona të mos financojnë libra që helmojnë. Pra në rastin më të mirë, kur nuk mund të bëjmë mirë, së paku të mos bëjmë dëm. Nëse nuk mund të kultivojmë lexues të mirë, së paku mos të kultivojmë krijues të dobët.