Portret artisti

Portret artisti

SHPËRNDARJE

Tefik Selimi • 09 Gusht 2017 • 08:54 •

Avni Behluli, skulptor dhe piktor gjilanas, dallohet nga shumë të tjerë, sepse, ngërthen në vete një kulturë të veçantë të artit. Jeton me gurë, gjips, beton, hekur e me “sende” të tjera... 

Këto janë disa nga karakteristika e veçanta që i posedon ky piktor gjilanas i ardhur nga Breznica e Bujanocit. Kur bisedon njeriu me të, sikur ke përpara një artist dhe një urtak që  flet e s’ndalet për artin e tij që adhurohet nga të gjithë. Thonë se oborri i tij është i mbushur me shumë skulptura nga më të ndryshmet. Aty (Avniu) e gjen qetësinë shpirtërore të tij, e cila qetësi është e lidhur me thellësinë e fortë të botës artistike. Pra, në oborrin e  tij sheh drunj, gurë, gjips e metale të ndryshme, ku këto “sende” të forta, Avni Behluli i bën vepra jetësore për vete dhe për të tjerë.

“Po, nuk thuri vargje, as proza as ndonjë dokumentar publicistik, por me mjetet e mia të forta krijoj vepra jetësore për të gjithë. Këto vepra jetojnë gjatë, gjatë dhe marrin dhenë...  Pra, me duar të forta gdhendi gurin, drurin, gjipsin, hekurin dhe, në këtë lojë arti, zbuloj figura të kërkuara që i pëlqej unë e të tjerët. Aty formësoj portrete të figurave tona atdhetare, por edhe bëj skulptura me kostalacione të ndryshme nga pjesët e forta prej hekuri. Ia kam marrë zanatin që këto figura të dalin të skalitura mirë dhe të pëlqehen nga shumë njerëzit të artit”, shprehet Avniu. Kur i bëmë pyetje se a ka ftesa nga bota e jashtme që t’i ekspozojë punimet e  tij nga arti, ai pa hezitim na tha se, edhe më parë, por  edhe tash ka disa ftesa për të marrë pjesë nëpër ekspozita më të ndryshme të botës.

“Veprat e mia artistike sot gjenden nëpër shumë muze e galeri të ndryshme këtu në Kosovë dhe jashtë Kosovës, si në Prishtinë,Tiranë, Split, Zvicër, Gjermani, Austri, Kanada, Itali, Maqedoni, Egjipt, Sllovaki, Sudan, Kore e vende të tjera të botës. Shih, me modesti po ju them se, për shkaqet financiare jam detyruar t’i anulojë disa simpoziume, sepse,  puna ime e prezantuar me art, në Turqi, u ka rënë në sy shumë mediumeve pamore", shprehet Avniu.

Ai pastaj tregon sesi një profesor nga Nikozia, të cilin kurrë nuk e kishte parë, e kishte ftuar në një simpozium nga 10 gjer më 19 nëntor të këtij viti.

Siç mësuam nga Avni Behluli, ai ka për të marrë pjesë në Internacional  Art, në  Shqipëri, por beson se deri në fund të vitit sigurisht  do të marrë edhe ftesa tjera.

Kështu, me datën 1 gusht do të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombetare në Itali - në qytetin Crotone, në Galerinë e qytetit me 4 piktura personale.

Avni Behluli, piktor gjilanas, gjer  më tani ka marrë pjesë në shumë simpoziume të vendeve të botës, si në Egjipt (Kairo - International Artists Residency) në Turqi (Stamboll International Art Simposium”, Tetovë, Gostivar, Shqipëri etj. Avni Behluli ka shumë ekspozita kolektive në këto vende si në Egjipt, Kukaj, Turqi, Louxembourg, Velipojë, Shkodër, Berat, Pejë, Bruksel, Maqedoni, Prishtinë, Viti, Luksemburg, Zvicër e mes të tjera. Pra, Avni Behluli, skulptor, po e pushton botën me pikturat e tij të adhuruara nga artdashësit e shumtë të botës./Zeri/