Gjinovci sjell në 'DokuFest' odisenë e babait të saj

Kultura August 09, 2017 - 08:53

Në vitin 1968, Asllan Gjinovci ishte student i fizikës në Universitetin e Prishtinës. Pas përfshirjes së tij në protestat e studentëve që kërkonin autonominë e Kosovës në ish-Jugosllavi, ai ishte i detyruar të largohet nga vendi. Ikja e tij që bëhet një odisejadë trevjeçare, duke u fshehur disa muaj në Kroaci, duke kaluar dy vjet e gjysmë në kampet e refugjatëve në Itali, për t'u vendosur përfundimisht në Zvicër, paraqitet në këtë film dokumentar, regjinë e të cilit e ka bërë e bija, Dea Gjinovci.

Udhëtimi i tij larg shtëpisë, në mënyrë të pashmangshme e mban Asllanin larg familjes dhe atdheut të tij për më shumë se tridhjetë vjet. Këtë histori familjare e sjell në Festivalin ndërkombëtar të filmit të shkurtë e dokumentar “DokuFest”, tash në vitin 2017 Dea Gjinovci.

Regjisorja e re Gjinovci, e lindur dhe e formuar larg trojeve shqipfolëse prej nga vjen babai i saj, ka ardhur në Prizren për të prezantuar historinë e familjes së saj, të babait të saj dhe të vetën. Krejt kjo përmes dokumentarit njëzetë e një minutash, “Sans le Kosovo”.

Por kjo është edhe historia e shumë familjeve tjera. Sa e vështirë ishte rruga e depërtimit jashtë shtetit për shqiptarët e Kosovës në periudha të ndryshme historike. Si ndikoi kjo zhvendosje te ata vet, por edhe te brezat e ri. Këtë është përpjekur ta dokumentoi Dea.

“Si vajza e tij, Kosova është një pjesë e panjohur e identitetit tim, kryesisht e formuar nga pamjet e lajmeve të viteve 90-të të luftës në Kosovë. Kështu që unë vendosa të marrë babanë tim në një udhëtim për ta rikthyer mërgimin e tij nga kampi i fundit i refugjatëve në Itali, ku ai qëndroi deri në vendlindjen e tij, në Kosovë. Duke kërkuar kështu të shqyrtojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë në jetën time gjithashtu”, shprehet Dea.

Ajo mendon se kur dëshiron të rrëfesh një histori, këtë më së miri mund ta bëjë përmes dokumentarëve, e veçanërisht kur rrëfen diçka personale, familjare.

“Mendoj se në filmat dokumentarë më së miri mund t’i paraqes historitë familjare dhe personale që më prekin. Mendova se kjo, rrugëtimi i babait tim, është një histori e mirë për ta nisur kështu filmin tim të parë dokumentar. Në këtë film unë nuk xhiroj historinë e dikujt  tjetër, por historinë e familjes time, nga perspektiva jonë”, thekson regjisorja Dea Gjinovci.

Ajo thotë se i ati, Asllan Gjinovci, ishte i emocionuar në përsëritjen e udhëtimit të tij, ndonëse sipas saj ndoshta nuk e kishte krejt të qartë se pse po bëhej kjo.

“Duke u rritur gjithmonë kam dëgjuar për Kosovën nga babai im. Ai ka ndihmuar njerëzit e Kosovës përmes fondacioneve të ndryshme, por mua më ka munguar lidhja familjare dhe njohja më e mirë me Kosovën. Ky dokumentar ishte definitivsht një mënyrë përmes të cilës u lidha me identitetin tim dhe ndjeva se kam një shtëpi edhe këtu”, thotë ajo, duke theksuar se Kosovën nuk mund ta ndjejë njësoj si ata që janë rritur këtu, por gjithsesi kjo është një shtëpi për të, një vend të cilit ja njeh kulturën dhe disi i përket dhe e kompleton si njeri.

Filmi “Sens le Kosovo” do të shfaqet për të parën herë para publikut të “DokuFest”-it të mërkurën, me fillim nga ora 22:00, në Kino Lumbardhi, në kuadër të kategorisë së filmave nacional. “Sens le Kosovo” do të reprizohet gjithashtu të enjten, në ora 12:00 në Shtëpinë e Kulturës.

Në prag të premierës në “DokuFest”, Festival të cilin e konsideron si një ndër më të mirët që ka marrë pjesë, Gjinovci është mjaft e emocionuar.

“Besoj që në audiencë do të vijnë edhe njerëz të familjes time të cilët nuk e kanë parë filmin akoma dhe shpresoj që do t'ju pëlqej. Po pres të shoh se si do ta pres i gjithë publiku, sepse ka shumë njerëz që e kanë lënë Kosovën dhe jetojnë larg prej këtu. Shpresoj qe filmi do t’i bëjë të reflektojnë për gjithë historinë e shqiptarëve dhe migrimit. Besoj që do të reflektojnë edhe për rrugëtimin e tyre, dhe ndoshta do të ketë më shumë filma që flasin për këtë gjë”, përfundoi Gjinovci.

Ky është filmi i parë dokumentar i Dea Gjinovcit. Ajo është e diplomuar në nivelin mastër në drejtimin e Filmit Dokumentar dhe Etnografisë, në Universitetin e Londrës. Ajo jeton mes Londrës e Parisit. Aktualisht Dea po punon në dokumentarin e saj të dytë, i cili është gjithashtu një histori familjare, por jo e saja. /Zeri/