Vijojnë në Prizren aktivitetet e “DokuFest”-it

Kultura August 08, 2017 - 09:08

Këtë të marte po vazhdon në Prizren dita e pestë e Festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar, “DokuFest”.

Derisa në kinematë e vendosura nëpër qytet po vazhdojnë të shfaqen filmat sipas programit, në kuadër të “DokuFest”-it po mbahen edhe mastërklasat dhe aktivitet e tjera të planifikuara.

Një bashkëbisedim me të interesuarit mbajti në kuadër të “DokuFest”-it edhe regjisori i filmit “Home”, Daniel Mulloy. Rikujtojmë se ky film lindi pas inspirimit të regjisorit në “DokuFest” dhe fitoi çmimin prestigjioz, “BAFTA”.Mesditën e së dielës, në Kino Klubi masterklasa e tij erdhi si një rrëfim për inspirimin e regjisorëve të rinj dhe jo vetëm, Daniel Mulloy tregoi se si ka realizuar filmin e parë.

“Shkoja në klube shpesh. Në tualetet e të gjitha klubeve vëreja se punonin gra algjeriane. Më pengoi se si ato trajtoheshin si objekte e jo si njerëz. Rrija në tualete edhe i shikoja. Më pas vendosa që të incizoja ato gra që bënin punën e tyre. Kështu realizova një film. Ndihesha jo rehat me të. Më pas motra ime e dërgoi atë nëpër festivale në emrin tim. Fitoi çmim shumë të madh, më duket 50 mijë euro për ta bërë një film tjetër dhe më pas fitoi çmimin ‘Bafta’ në Wales. Kështu vazhdova të realizoja filma të tjerë”, ka thënë Mulloy.

Ndërkohë, në kuadër të “DokuPhotos” u prezantua në Prizren Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. Përmes ligjëratës së drejtorit të këtij muzeu, Luçjan Bedenit, vizitorët u njohën me historinë e “Marubit”.

Të hënën Festivalin “DokuFest” e vizitoi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,  Greg Delawie. Ai erdhi në Prizren  për të qenë pjesë e mbrëmjes amerikane në “DokuFest”. Ambasadori amerikan Delawie mori pjesë në një sërë aktivitetesh, dhe vizitoi shtandet turistike dhe ishte në një koktej kushtuar kësaj mbrëmje amerikane.

Rikujtojmë se sivjet Festivali “DokuFest” do të vazhdojë deri të dielën. Këtë vit, fokus i Festivalit është e ardhmja për të cilën organizatorët shpresojnë të jetë më e mirë dhe të rrisin optimizmin për të ardhmen përmes këtij programi.