'M'-ja ku jehoi muzika e mirëfilltë

Kultura August 08, 2017 - 09:07

Ka më shumë se një vit që kur afër dy gjimnazeve të Prishtinës, rrugës që të çon për te parqet “Taukbahçe” e Gërmia, larg kafeneve të grumbulluara e zhurmës së qendrës, është hapur një klub, një shtëpi e kulturës që mbledh dashamirët e artit.

Godina që sot njihet si klubi “M”, dikur ishte shtëpi banimi e familjes Maliqi. Por sot shtëpia, ku për shumë vite kanë hapur sytë anëtarët e kësaj familjeje, ka hapur dyert dhe zemrën për shumë aktivitete kulturore.

Klubi “M” është një shtëpi tipike e vjetër e Prishtinës, me një oborr me disa pemë që e rrethojnë, me korridore të ngushta e disa dhoma të gjera që shumëkujt, kur hyn aty, automatikisht mund t’ia japë ndjesinë e një ambienti familjar.

Në çati kjo shtëpi ka edhe një bibliotekë. Kushdo që është i interesuar të hulumtojë në bibliotekën me shkallë druri do të gjejë tituj të ndryshëm prej “Dhiatës së re” e deri te librat më bashkëkohorë.

Nën menaxhimin e Dren Maliqit, anëtar i familjes së njohur prishtinase që dikur ka jetuar aty, ky klub po bëhet adresë e shumë aktiviteteve të veçanta. Në “M” mblidhen shpesh disa nga muzikantët më të njohur të qytetit për t’u dhuruar adhuruesve të muzikës mbrëmje të paharrueshme.

Tashmë klubi “M” identifikohet si shtëpi e ngjarjeve me hapësirë alternative të dedikuar për performanca, ekspozita, konferenca, punëtori, projeksione dhe e hapur për eksperimentim, duke mbledhur rreth vetës shumë vizitorë, vendorë e ndërkombëtarë, që mbesin të impresionuar nga thjeshtësia e ambientit, por edhe nga ngrohësi që e karakterizon.

Në njërën nga mbrëmjet e kësaj vere klubi “M” priti një mysafir të veçantë. Kjo shtëpi hapi dyert për një koncert akustik të muzikantit të mirënjohur Shpat Deda.

Me moton e mbrëmjes “Këngë nën qershi”, kantautori Deda interpretoi vetëm më kitarë gati deri në mesnatë para adhuruesve të muzikës së tij.

Por, nuk janë as muzika e tij e as grumbulli i njerëzve që u mblodhën për ta dëgjuar, ndërsa gjërat që e karakterizuan këtë koncert. Sepse, pas Shpat Dedës, gjithmonë ka radhë të gjata me njerëz që janë të interesuar t’ia përcjellin koncertet.

Për Dedën vetë ky koncert ishte i veçantë, sepse si fqinj i parë i familjes Maliqi ai është rritur në shtëpinë ngjitur dhe oborri ku interpretoi para atyre që u kënaqën me muzikën e tij, është i mbushur me kujtime nga fëmijëria e tij.

Ndoshta jo shumë artistë në botë në një pikë të karrierës së tyre shijojnë një koncert pothuajse intim në njërin nga kopshtet e lagjes së tyre, nën shkëlqimin e dritave të verdha dhe publikut të akomoduar në batanijet e jastëkët e shtrirë mbi barë.

“Për të gjithë ju që nuk e dini, unë jam rritur në këtë oborr. Shtëpia ime është këtu ngjitur. Aty është oborri im. Kam njëqind kujtime, të cilat më lidhin me këtë oborr dhe më duket që sonte bashkë do t’ia shtojmë një kujtim shumë të bukur”, u shpreh Deda para të pranishmëve.

Ai luajti në kitarë dhe këndoi disa këngë të tij, por edhe të muzikantëve që e kanë frymëzuar ndër vite.

“Shumë moti nuk kam kënduar vetëm më kitarë, por kjo mbrëmje është një mundësi shumë e mirë që t’ia kujtoj vetës se qysh ia kam nisur dhe të kënaqem duke i kënduar disa këngë, të cilat në një mënyrë apo tjetër mua më kanë mësuar diçka. E kam bërë një repertuar të përzier më këngë cover dhe këngë të miat. Covers i kam zgjedhur në bazë të emocionit që m’i japin këto këngë dhe një lloj emocioni, të cilin unë mundohem ta përçoj në këngët e mia. Nuk e di sa kam arritur, atë e gjykoni ju”, theksoi ai.

Në mesin e këngëve të zgjedhura për këtë mbrëmje nuk munguan as “Ëndërroj”, kënga që e bëri të njohur për publikon kosovar, as “Molla e parë”, apo “Amël e tharptë”.

Duke folur për muzikantët që e frymëzuan gjatë karrierës së tij, ai përmendi ndër të tjerë Nick Drake a Amy Winehouse, duke sjellë kështu para publikut disa këngë të tyre.

Kjo ishte vetëm njëra nga organizimet brenda klubit “M”, i cili po ia sjell një frymë të re jetës kulturore në kryeqytet.