Nga faqet e lavdishme: Varrimi i Marko Boçarit

Kultura August 07, 2017 - 08:36

 

“E sollën Marko Boçarin në Misolongji. Autoritetet, si dhe gjithë qytetarët, me lot ndër sy, ngarendën te portat e qytetit. Vargani i përmortshëm hyri në qytet: një numër i madh musulmanësh të vënë në zinxhirë, shumë kuaj lufte në pajime, si dhe pesëdhjetë e katër flamuj të përkulur drejt tokës, e paraprinin me ngadalë. Në një vig të mbajtur nga gjashtë suljotë dergjej heroi i mbuluar me mantelin e tij të kuq flakë dhe me shpatën e vet përbri. Tetë mijë desh të rrëmbyer turqve, një numër i madh mushkash të ngarkuara me tremijë e dyqind pushkë, me shtatëqind palë pisqolla, me tenda, me municione dhe me kasën e armiqve, mbyllnin varganin.

I ndjeri u vendos në banesën e Kostandin Metaksait, epark i Misolongjit. Aty nga mbrëmja, sipas zakonit të lashtë të vendit, një numër i madh vajtojcash të veshura në të bardha, me kryet zbuluar dhe flokët lëshuar, u mblodhën rreth tij dhe deri në mesnatë e vajtuan në mënyrë patetike. Të nesërmen, i zbukuruar në petkat e tij më të mira, me fytyrën zbuluar dhe me krahët kryqëzuar në kraharor, u shfaq në një arkivol të kurorëzuar me degë qiparisi. Shpura bënte përpara në zhurmën e kambanave dhe të të shtënave të artilerisë. Gratë e përkulura nga dritaret hidhnin tufa lulesh gjatë kalimit të tij dhe spërkatnin me ujë trëndafili. Me temjanica në duar ato erëmonin ajrin me mërsinë ose me aloe.

Kortezhi hyri në kishë. Aty filloi shërbesa e të vdekurve dhe, kur kryepeshkopi, duke mbaruar të kënduarat, shqiptoi këto fjalë: “Paqja qoftë me shpirtin e martirit!” i gjithë populli ra në gjunjë dhe thirri me zë solemn: “Amen!”. Mbas shërbesës së shenjtë luftëtarët bënë përpara për t’i dhënë komandantit të tyre puthjen e fundit. Të gjithë të pranishmit ndoqën shembullin e tyre duke thënë: “Lamtumirë, Boçar! Të qoftë i lehtë dheu!” Hapën një gropë dhe aty vendosën mbetjet e heroit, i derdhën disa pika vaj të shenjtë dhe rrasa e varrit e ndau atë nga të gjallët. Kështu mbaroi ekzistimi i atij që bashkonte virtytet e madhërishme të një qytetari me talentet e një gjenerali të zot.

Marko Boçari ishte i vogël nga shtati dhe i zhdërvjellët. Kishte tipare të rregullta dhe fytyrë të çiltër. Një zbehtësi e lehtë, tok me pamjen e tij melankolike, ia bënte interesante fizionominë. Fliste pak dhe mendonte shumë. Dinte të puqte aftësinë më të epërme me modestinë më të përzemërt, drejtësinë me ëmbëlsinë më të madhe. I përkorë, i matur në të sjella në kohë paqeje, ishte i gjallë e i rrëmbyer në luftë. Dilte i pari përballë rrezikut duke mos marrë kurrë pjesë në plaçkë dhe duke mos u lejuar as dhunën më të vogël shokëve të tij të armëve. Ishte njëherësh idhull i ushtarëve dhe i popullit. Dashuria për atdheun ishte pasioni i tij zotërues. Duke flijuar lumturinë e familjes së tij për interesin e vendit, ai nuk ngurroi aspak të derdhte gjakun për Greqinë duke i lënë fëmijët e vet në mëshirën e fatit. Jetoi si Aristidhi dhe vdiq si Leonidha”.