Sonte nis 'DokuFest'

Kultura August 04, 2017 - 15:15

Do të nis mbrëmjen e së premtes në Prizren edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtët e dokumentar, “DokuFest”, shkruan zeri.info.

Ky edicion, që do të mbyllet me 12 gusht, ka për temë të ardhmen. Sivjet “DokuFest” premton një vështrim të guximshëm në pasiguritë dhe shpresat e së ardhmes përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave vizuele, masterklasave dhe bisedave të ndryshme, punëtorive bashkëpunuese, koncerteve muzikore si dhe paltformave për përdorimin e mediave dhe teknologjive të reja.

Në prag të nisjes së festivalit, drejtori Veton Nurkollari ka thënë përmes një letre se meqë e ardhmja është tema e edicionit të sivjetmë të festivalit dhe ata janë të përcaktuar ta kremtojmë atë në stil sepse besojnë që e ardhmja e këtij vendi, si dhe e planetit tonë është e ndritur, pavarësisht të gjitha gjërave të shëmtuara dhe të pakëndshme që po ndodhin në të tashmen.

“Mund të na quani optimistë të pabazë apo utopistë të pa sens, por ne kemi parë mjaft filma së fundi dhe kemi dëgjuar shumë tinguj vazhdimisht që t’ua dëshmojmë juve të kundërtën. Dhe si provë ndaj kësaj ne kemi dalë me një program të cilin do ta gjeni në faqet që pasojnë”, ka theksuar ai.

Duke folur për programin e festivalit Nurkollari ka thënë se aty do gjeni histori rreth qytetarëve të guximshëm të Aleppos që do ju bëjnë me lot në sy, histori të horrorit të luftës në Siri dhe Irak që do ju bëjnë të vëni në dyshim besimin tuaj në humanitet, histori rreth presidentëve të famshëm, muzikantëve të vrerosur dhe individëve vizionarë që mund ta kthejnë të njëjtin besim që ju keni menduar se mund ta keni humbur dhe histori rreth zhytëseve femra japoneze, tingujve të xhunglës, turistëve të holokaustit dhe marrëdhënieve të shkëputura që e bëjnë këtë botë një vend kaq të mrekullueshëm.

“Mirënjohja jonë e sinqertë i shkon të gjithë njerëzve të jashtëzakonshëm që e kanë bërë këtë rrugëtim të bukur dhe këtë ëndërr tonën të mundur: sponsorët tanë zemërgjerë, partnerët, ekipin fantastik dhe vullnetarët e mrekullueshëm, dhe filmbërësit që kanë ndarë filmat e tyre me ne; festivali nuk do të ishte i mundur pa ju”, ka përfunduar ai.

Edhe këtë vit festivali “DokuFest” premton një edicion të suksesshëm më program të pasur filmik, mbrëmje muzikore me artistë të dëshmuar, panele e masterklasa me profesionistë dhe shumë energji pozitive që i sjellë çdo vit Prizrenit.

Pritet që festivali të tërheqë numër të madh vizitorësh vendorë e ndërkombëtarë. /Zëri