Kultura

Rikonstruktimi i plotë është dhunim i vlerave të trashëgimisë kulturore

Rikonstruktimi i plotë është dhunim i vlerave të trashëgimisë kulturore
04 gusht 2017 • 09 : 46 • autori: Arsim Canolli

Rindërtimi, rikonstruimi apo rikonstruktimi i plotë i gërmadhave dhe “rikthimi i tyre” në monumente të reja ka qenë ide, praktikë dhe debat i pranishëm në çdo vend të botës. Por, në shumicën e vendeve, rikonstruktimi i plotë është bërë akt i ndalueshëm. Rikonstruktimi dhe variantet e tij mund të konsiderohen si opsione,  vetëm kur monumenti ka vlerë të jashtëzakonshme historike për atë vend dhe plotësohen disa kritere specifike. Ky është parim ndërkombëtar në fushën e trashëgimisë kulturore.

Natyrisht, në shumë vende të botës ky parim nuk është respektuar ashtu sikur nuk janë respektuar parimet bazë të trashëgimisë kulturore; zakonisht pas luftërave dhe gjatë procesit të rikoncilimit apo pajtimit ka pasur edhe rikonstruktime të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Ka ndodhur në Gjermani, Bosnje e vende të tjera. Mirëpo, në vendet e Evropës, nuk ka evidenca të rasteve të rikonstruktimit të plotë të gërmadhave shekullore, antike apo mesjetare. Ato gërmadha, të cilat shpesh kategorizohen edhe si lokalitete arkeologjike, hulumtohen, ruhen e konservohen, por nuk rikonstruktohen për t’u bërë të reja dhe në funksion të plotë në kohën aktuale.

Secili shtet inventarizon trashëgiminë e vet të rëndësishme dhe e fut në listën e mbrojtjes së shtetit. Kjo nënkupton se çfarëdo monumenti që është në listën e mbrojtjes së shtetit nuk mund të “preket”, në sensin se nuk mund të restaurohet e konservohet pa lejen e shtetit. Pra nuk mund të ketë ndërhyrje as nga pronari, as poseduesi, as shfrytëzuesi. Askush nuk mund të bëjë asnjë punë në shtëpinë, mullirin, kullën, apo cilindo monument, qoftë si person privat apo publik, pa lejen nga shteti, respektivisht institucionet kompetente të shtetit.

Lejet merren nga organet kompetente që veprojnë sipas normave ndërkombëtare dhe konventave të shumta nga organet kryesore botërore e evropiane për trashëgimi kulturore, si UNESCO, BE, etj., dhe ligjeve vendore, shumica e të cilave kanë mishëruar këto parime për ta ruajtur trashëgiminë e tyre kulturore si shenjë e identitetit dhe kujtesës së vendit të tyre.

Në Kosovë, ekzistojnë ligje e rregulla për leje për ndërhyrje dhe disa prej tyre janë mjaft specifike. Po ashtu, ekzistojnë institucione kompetente ligjore, të cilat punojnë në mënyrë të pavarur, sikurse Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, që obligohen të pranojnë aplikacione për leje dhe japin e refuzojnë leje për ndërhyrje në objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat mbrohen me ligje të Kosovës. Në Kosovë ka pasur edhe raste ekstreme kur është kërkuar leje për rikonstruktim të plotë gërmadhave.

Nga informacioni publik del se dy institucione kanë aplikuar për rikonstruktim të plotë mbi gërmadha. Këto janë Kisha Ortodokse Serbe dhe Bashkësia Islame e Kosovës; të dyjat në Prizren, në qytetin me një trashëgimi të pasur të të gjitha llojeve e shtresave prej kohës parahistorike e këndej. Kisha Ortodokse Serbe ka dashur të rindërtojë një kishë ortodokse të rrënuar para më se 500-600 viteve e cila gjendet pranë varrit të Car Dushanit në Manastirin e Kryengjujëve në Prizren. Ndërsa Bashkësia Islame ka dashur të rindërtojë një xhami mbi gërmadhat e një xhamie të vjetër që ka ekzistuar në Kalanë e Prizrenit. 

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, institucion shtetëror për dhënien e lejes për ndërhyrje në monumentet e trashëgimisë kulturore, ka refuzuar aplikacionet për këto dy rikosntruktime mbi gërmadha antike duke dhënë arsye shkencore, profesionale dhe legale të bazuara në ligje të Kosovës dhe parime e konventa ndërkombëtare. Kjo dëshmon se ky institucion përfill ligjin dhe ka treguar kredibilitet dhe profesionalizëm në mbrojtjen e ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Secili individ a institucion në Kosovë, duhet ta respektojë ligjin, por edhe duhet ta ketë parasysh se rindërtimi apo rikosntruktimi i plotë mbi gërmadha nuk është veprim i mirë në drejtim të stabilitetit dhe paqes në mendjet e njerëzve, siç edhe e potencon motoja e UNESCOs. Nëse secila palë në Kosovë rindërton apo rikonstrukton mbi gërmadha atëherë do të kemi rikonstruktime të shpellave të parahistorisë, tempujve dardanë, municipumeve romake, kishave paleokristiane, etj. Kjo do të nënkuptonte se Kosova do të mbushej me “monumente” të reja  me bazë lashtësie, si objektivime të pretendimeve të individëve, grupeve a bashkësive për të legjitimuar një tip “identiteti” në emër të monumnetalitetit trashëgimor.

Kjo ndërhyrje drastike me qëllime ekstreme nuk lejohet në trashëgiminë arkitekturale, me asnjë konventë e asnjë ligj. Monumentet mund të rikonstruktohen në letër, në vizatim e në animacion, por jo në realitet. Dhe rikonstruktimi virtual i bazuar në evidencë shkencore e të provuar është i mirëseardhur si metodë e qasje për interpretim. Në fakt, disa vende kanë filluar të ndalin gërmimin arkeologjik kur vërejnë se ajo mund të dëmtohet në proces dhe bëjnë vetëm rikonstruktimin virtual për arsye njohje, studimi e promovimi.

Kosova është vend i pasur me trashëgimi kulturore. Andaj, Kosova duhet ta ruajë idenë e “shtresave” kulturore prej parahistorisë e deri më sot dhe ta prezantojë atë para botës ashtu si është, pa synime plangprishëse në emër të kauzës fetare, ideologjike e politike të ndonjë individi, grupi a bashkësie të caktuar, përfshirë këtu edhe shtetin. 

Secili komuniteti religjioz ka të drejtë të kërkojë leje dhe të ndërtojë objekte kulti nëse ka nevojë. Kjo e drejtë ekziston në germë dhe është pranuar në frymë. Por, asnjë komunitet religjioz nuk do të duhej të synonte rikonstruktimin e plotë të gërmadhave shekullore për shfrytëzim funksional. Gërmadhat duhet të restaurohen dhe të konservon si objekte të trashëgimisë arkeologjike e arkitekturale, si objekte muzeale, si objekte me vlerë trashëgimore për Kosovën dhe botën, por jo si “rikonstruktime” të reja mbi të vjetrën.

Rikonstruktimet e tilla, e sidomos rikonstruktimet e plota të objekteve të kultit, do të ishin dhunim i trashëgimisë, kujtesës, e historisë, por edhe dhunim i vlerave të diversitetit të sotshëm. Ato do të mund të bëheshin pretendime hegjemonike identitare, si fetare ashtu edhe etnike, kulturore e politike. Sepse me precedentë të tillë, Kosova do të mund të përfundonte si një “dizniland” i trashëgimisë kulturore; secili do të ndërtonte “monumentet e identitetit të tij” sipas qejfit e imagjinatës së tij dhe kështu do t’i shfrytëzonte ato për tregime ideologjike trushpërlarëse për fëmijët tanë. Kështu, këto animacione do të mund të bëheshin pretendime hegjemonike reale, si në religjion, ashtu edhe në kulturë e politikë.

Kosova ka nevojë për siguri, paqe e integrim në vlerat e vendeve perëndimore ku trashëgimia kulturore mbrohet, ruhet e promovohet si vlerë e identiteteve lokale dhe si vlerë e vendit dhe e gjithë njerëzimit. Kosova nuk duhet të shmanget nga binarët e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që përcaktohen me konventa evropiane e botërore dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare.

(Autori është ligjërues i antropologjisë kulturore në UP. Pikëpamjet e tij në këtë shkrim janë personale)

 

 

© zëri.info