Kadare në 'Die Welt': Ja pse kërkova azil në Francë

Kultura July 27, 2017 - 08:34

Vjollca Hajdari ka realizuar një intervistë me shkrimtarin Ismail Kadare, me rastin e botimit në gjermanisht të romanit të tij “E penguara”.

Intervista është botuar në gazetën gjermane “Die Welt”. Ndër të tjera, Hajdari e pyet se për çfarë arsyesh ai kërkoi dikur azil në Francë.

“Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej si një Gorbaçov shqiptar”, kujton Kadare.

I pyetur se ku mendon se qëndron problemi pse ai nuk ka marrë ende Çmimin Nobel për Letërsi, Kadare përgjigjet: “Sinqerisht nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj. Midis zakoneve të botës sonë janë edhe pyetjet e kësaj natyre. Ka kolegë që bezdisen prej tyre. Mendoj se s’ka vend për bezdisje. Përkundrazi, më duket një zakon i bukur që, kur afron koha e këtij çmimi, ashtu siç ndodh me afrimin e Krishtlindjeve, kur bëhen pyetjet e njohura ku do t’i kaloni festat etj.,etj., shumë njerëz pyesin për këtë çmim. Mendoj se letërsia duhet t’i jetë mirënjohëse kësaj vëmendjeje, qoftë disi naive, të publikut botëror”.

Kur gazetarja i kujton zërat që thonë se arsyeja e mos shpërblimit të tij është fakti se “ka qëndruar në harmoni me sistemin e atëhershëm komunist”, ai thekson: “Para disa vitesh më ra në dorë, rastësisht, një raport i hetuesisë sekrete shqiptare të vitit 1982. Në këtë raport kërkohet të vërtetohet se shkrimtari me të cilin ju bisedoni sot, I.K., ka qenë pjesëmarrës i një grupi komplotist, që synonte rrëzimin e shtetit. Siç e shihni, nuk flitet për vogëlsira, por për gjëra ‘serioze’, nga ato që të çonin drejt e në pushkatim. Ju, po të keni kureshtje, mund ta gjeni lehtësisht atë raport. Është teksti i marrjes në pyetje të ministrit shqiptar të Shëndetësisë, Dr. Ziçishti, vdekur nën torturë në po atë vit. Në raport janë ‘hollësitë e komplotit’, bashkë me emrin e hetuesit, i cili është ende gjallë në Shqipëri, i patrazuar nga askush. I pyetur nga një gazetare e re shqiptare, hetuesi ka pranuar origjinalitetin e tekstit”. Por pastaj, sipas tij, për këtë raport nuk treguan interesim “gojët e liga”, për të cilat thotë se midis tyre ka edhe gazetarë të huaj.

Kur i kërkohet të shpjegoi tolerancën fetare që i karakterizon shqiptarët ai përgjigjet: “Harmonia fetare është një nga tiparet më të rralla në historinë e popujve. Shqiptarët e kanë pasur këtë tipar në të gjitha kushtet historike: gjatë pushtimit osman, pas çlirimit prej tij, gjatë kohës së mbretërisë shqiptare, gjatë fashizmit dhe, për çudi, edhe gjatë komunizmit, atëherë kur toleranca u duk se i kishte lënë lamtumirën Shqipërisë përgjithmonë”.

Kur i kujtojnë shenjtërimin e Nënës Terezë ai shprehet se ka qenë një krenari e ligjshme. “Ndërkaq do të shtoja se kishte një përmasë dramatike gjatë kohës së komunizmit. Ndërsa gjithë bota e adhuronte, ishte një periudhë kur në Shqipëri nuk flitej për të për dy arsye: e para ngaqë ajo ishte fetare dhe e dyta, ngaqë konsiderohej pjesë e botës perëndimore”, kujton ai.