Mozaiku i Linit mbi Liqenin e Dritës

Kultura July 27, 2017 - 08:32

Diku rreth njëzet kilometra nga Pogradeci, në drejtim të Tiranës, ka një tabelë në të djathë të rrugës që tregon se pak kilometra tutje gjendet fshati Lin, i njohur për mozaikun e tij, i cili është ruajtur për mrekulli që nga koha e perandorit romak me origjinë ilire, Justinianit.

Me kureshtje të madhe marrim në të djathtë të rrugës dhe futemi në fshatin Lin, ku shtëpitë duken të ngjitura njëra me tjetrën, ndërsa fshati i takon një tipi të grumbulluar, dëshmi e parë kjo për një vendbanim të hershëm.

Rruga deri në hyrje të fshatit është e asfaltuar dhe shumë e zakonshme, por për të lëvizur nëpër gjithë fshatin dhe për t'u ngjitur sipër tij, ku si kurorë i qëndron mozaiku i bukur, është vërtet gjë e zorshme.

Avniu, një burrë mbi të pesëdhjetat, banor i fshatit, zbret nga traktori i ngarkuar me zall dhe afrohet tek vetura jonë. Pasi na përshëndet pa ndonjë ton miqësie, na thotë: "Tek mozaiku do të shkoni? Po kot ngjiteni atje. E kanë mbuluar me zall dhe gjë nuk do të shihni. Po kur i them se gjithë këtë rrugë e kemi bërë shkaku mozaikut, pas si i dëshpëruar na e kthen: "Po mirë, keni kujdes e mos më ndiqni pas se kam frikë traktori nuk ngjitet e më ikën mbrapa".

Ne me durimin e domosdoshëm e presim derisa ai ngjitet si breshkë rrugës nga lart, të shtruar me kubëza dhe vazhdojmë tek kur ai ndalet për ta shkarkuar zallin nga rimorkio, kur pastaj edhe po të duam, nuk mund të vazhdojmë tutje. Rruga zë vetëm një automjet. Duket si një dhiare pak e zgjeruar.

Lëmë veturën dhe vazhdojmë të ngjitemi këmbë rrugës për tek mozaiku.  Avniu na shoqëron sikur për ta shlyer pendimin e vet. Nuk e ka hallin e mozaikut, ka hallin e vet. Duket shumë i politizuar, ndaj kot e pyesim për mozaikun. Ai ka kureshtjen të flas vetëm për politikën dhe për politikanët e korruptuar të Shqipërisë, të cilët i futë në të njëjtin thes të pistë.

"E shihni si e kanë ngrënë rrugën. Projekti ka qenë që rruga të shtrohet me kubëza deri tek mozaiku, por kushedi në oborrin e cilit politikan kanë përfunduar", na thotë Avniu që na përcjell deri tek hyrja ku ndodhet mozaiku dhe sikur na lë në duart e Anton Mimisë, kujdestar i objektit të trashëgimisë, i cili na e hapë portën e metaltë dhe na shoqëron nëpër hapësirën disa ari, ku ndodhen themelet e bazilikës dhe mozaikët brenda tyre.

Antoni luan edhe rolin e cicëronit. Në fillim na flet për hyrjen e bazilikës, ku ndodhen disa kolona të punuara me mjeshtri, e të cilat janë zbuluar gjatë gërmimeve në vitin 1968.

"Kjo është një bazilikë paleokristiane e shekullit të V të erës sonë. Muret e brendshme janë ruajtur nga koha e saj, ndërsa muret e jashtme kanë pasur një restaurim të domosdoshëm", na thotë kujdestari i objektit, ndërsa kudo përreth shohim hapësirën e mbuluar me zall. Në çast kujdestari heq një shtresë prej najloni dhe na shfaqet par syve mozaiku fantastik, i punuar dhe i ruajtur për mrekulli. Pastaj na dërgon tek dy stera, përkatësisht depozita uji dhe tek një hapësirë varresh, gjithashtu të ruajtura mirë.

"Këtu ishin të varrosur klerikët e lartë", thotë ai dhe për hapësirën tjetër të mozaikëve, të mbuluar me zall, thotë se e kanë bërë për shkaqe të mbrojtjes së mozaikëve.

Antoni, si dëshmi të kohës së perandorit Justinian tregon faktin se këtu janë gjetur edhe disa monedha bakri, të cilat ruhen në muzeun e Tiranës. Sipas tij edhe disa gjurmë muresh përreth bazilikës dëshmojnë se këtu kishte një vendbanim të njohur që nga shekulli II para erës sonë.

Ai si kujdestar i kësaj trashëgimie të monumentit të kulturës, i vlerësuar si i rëndësisë së parë,  thotë se janë të huajt ata që e vizitojnë më  shumë këtë mrekulli të Pogradecit dhe të tokave shqiptare në përgjithësi. "Të huajt, përkatësisht turistët e vizitojnë më shumë këtë vend, ndërsa tanët e vizitojnë kryesisht në formë të organizuar, pra nëpërmjet shkollave", thotë Avniu.

Kohëve të fundit mozaiku i Linit ka nisur të vizitohet edhe nga qiftet e rinj, përkatësisht nga ata që martesën e tyre duan ta shënojnë nëpërmjet pamjeve të bukura që ofron vendi i tyre.

Një çift të tillë e takojmë edhe ne, por ashtu të sinqertë siç ishin, e pranojnë se nuk e kishin idenë për rëndësinë e trashëgimisë së këtij vendi. Ata thonë se kjo ishte zgjedhje e kameramanit, i cili kishte për obligim t'ua bënte një video me bukuritë e atdheut.

Të huaj që vizitonin këtë vend takuam edhe ne. Takuam një çift austriak, një gjerman të moshuar dhe një qift tjetër që deri këtu ishte ngjitur e motoçikletë.

Po përshtypje më shumë na bëri fakti se jo larg vendit ku ndodhej mozaiku, një qift francez kishte blerë një shtëpi dhe ishte bërë banor i Linit.

"Këtu i kalojmë pushimet e verës dhe ndjehemi shumë mirë. Mirë kalojmë edhe me banorët e fshatit. Nuk është vetëm mozaiku që e ën të rëndësishëm këtë fshat, por edhe pozita e bukur që ka, ndërsa ndodhet mbi liqe", thotë francezja Melani Gontje, nga Marseu i Francës.

Thuhet se kur në këtë vend kishin shkelur ushtarët e Julius Cezarit, të mahnitur nga bukuria, kishin bërtitur "Lyhnidas!" që në shqipet do të thotë Liqeni i Dritës.

Po tani i tillë nuk duket Lini i shkretë, banorët e të cilit arnojnë jetën me vështirësi dhe nuk shohin far dobie nga kjo pasuri e madhe e trashëgimisë kulturore që qëndron me shekuj mbi pullazet e shtëpive të tyre, mbi kokat e tyre. /ZËRI/