Edhe artistët e 'Termokiss' pjesë e ekspozitës 'Documenta'

Kultura July 26, 2017 - 08:41

Dhjetë artistë nga qendra e Prishtinës, “Termokiss” do t'iu bashkohen grupit të artistëve të tjerë shqiptarë që sivjet bëhen pjesë e ekspozitës “Documenta”.

"Documenta" është një nga ngjarjet artistike më të mëdha në botë, ku artistë të mëdhenj si Pablo Picasso e Wassily Kandinsky i kanë ekspozuar veprat e tyre. Ajo mbahet një herë në pesë vite në Kassel të Gjermanisë, ndërsa sivjet plot artistë kosovarë si Sokol Beqiri e Lala Meredith-Vula janë pjesëmarrës, së bashku me punë kuratoriale nga Erzen Shkololli.

Këtyre artistëve tash iu bashkangjiten edhe dhjetë anëtarë të komunitetit Termokiss, të cilët nga 2 deri me 16 gusht do të jenë pjesë e projektit "Title on the spot", në bashkëpunim me qendra të tjera shoqërore si Toestand (Zvicër), Happy Positiv (Zvicër), Soshenko 33 (Ukrainë) e qendra të tjera të ngjashme në Gjermani.

Ata do ta ndërtojnë një "fshat kolektiv të ideve", themeli i të cilit bazohet në metodat e përbashkëta të produktivitetit, bashkëpunimit dhe transparencës, e me fokus të veçantë tek "procesi i krijimit". Produkti final me formë të panjohur, definohet dhe ndriçohet prej punës dhe ideve të përbashkëta të këtij komuniteti të përkohshëm.

“Termokiss” po funksionin  në një ndërtesë në hapësirat e “Termokosit”, në Prishtinë, që nuk u finalizua asnjëherë dhe për vite me radhë ishte vend ku u abuzua me droga dhe shërbeu si WC publike, tashmë është hapësirë rekreative e artistike e kryeqytetit.

Vendi tashmë prej gati një viti njihet si “Termokiss”, që mund të interpretohet edhe si “puthje e ngrohët”, apo pasion, që sipas artistëve, e karakterizon këtë projekt. Hapësira, tashmë e transformuar, ka çati, skenë, mure te dekoruara, dritare unike dhe mobile të shumta që dhurohen vazhdimisht nga donatorët.

Në këtë ambient mbahen koncerte, shfaqje filmash, diskutime, ekspozita e aktivitete të ndryshme. Komuniteti artistik e ka mirëpritur këtë hapësirë, ku mund të mblidhen dhe t’i zhvillojnë idetë e tyre. Një hapësirë si kjo i ka munguar më parë kryeqytetit.