Pamje shkrumbi nga Sahara

Kultura July 25, 2017 - 08:30

Udha për në Sahara kalon maleve gurore, ku gjelbërim ka pak. I bëj pyetje vetes, ku gjejnë këtu ushqim në kullosa gjithë ato dele e deve që janë të shpërndara gjithandej!? Këto gurore janë të mbushura edhe me akrepa. Ka këtu akrepë të zinj dhe të gjelbër. Por nëse të kafshojnë akrepët e zinj, nuk është rrezik.

Të gjelbrit të helmojnë, shprehet ciceroni. Kjo është ajo parashkretëtira. Vargmalet e Gjabel Daharit. Pas një cope udhëtimi, serish një vendbanim. Oaza e Douzit dhe qyteti me këtë emër. Së pari na ndihmojnë të veshim gjelabatë dhe na e mbështjellin kokën me turban. Kur përmendet turbani, mendja më fluturon në një rrugë të Ferizajt, në Kosovë, ku para një shitoreje, pata lexuar reklamën:Kemi turbanë për nuse! E shikoj time shoqe mbështjell kokën me turban. Këtu në Sahara i ka hije turbani për disa çaste, por në Evropë apo atje në Kosovë assesi. Po kush i çoi turbanët në Kosovë? Ç'dreqin iu deshën Kosovës turbanët, aq më pak nuseve të bukura. Këtu turbani të mbron nga dielli përvëlues dhe nga rëra fluturuese e erërave të Saharasë. Po në Kosovë, ç´shkretëtirë kemi?

Më duket qesharake turbani në Kosovë që shitet në emër të besimit në zot. Madje vetëm për nuset? Këtu në Sahara, turbanin e bartin edhe gratë, edhe burrat. Edhe unë kam vënë turban. Po këtu më ka hije se është Sahara. Merre me mend sikur të kisha veshur rroba të zhgunta dhe shall si rugovasit e mi e t'ia kisha mësyrë Saharasë! A do të më kishte hije? Tamam do të dukesha si gogol që nuk mund t'i tremb as zogjtë në Sahara. Duhet të nisemi dhe më ndërpritet mendimi. Kush mbi kuaj, kush mbi deve dhe kush me karroca dyrrotëshe, nisemi drejt Saharasë.

Nuk është larg. Jemi në portat e Saharasë, si thonë vendësit. Një ndjenjë e veçantë të futesh në shkretëtirë. Ecim në karrocë me të dashurën time. Karrocieri, një burrë i zeshkët, i rreshkur fytyrës nga dielli, në mes qiellit e zallit, na thotë se është beduin.

Shikimet humbin në pafundësinë e shkretë. Dikush vjen e dikush shkon. Turistë e beduinë. Beduinët e Saharasë janë të përzemërt. Nuk shtrijnë dorë të lypin. Mundohen të të hyjnë në shërbim që t'u falësh ndonjë monedhë. Dhe dinë të falënderojnë me zemër. E marrim një kalërim edhe me deve mbi zallin e Saharasë.

Tutje ca vetura dhe një furgon i madh. Atje po xhirohet një film, me shpjegon beduini. Papritmas më shfaqen furgonat e reportazheve në qendrën tonë televizive. E marr me mend se ç´bëhet aty. Një botë krejt tjetër... Në kthim, pak pa e lëshuar shkretëtirën, beduini zbret me kërcim nga karroca. Kali e dëgjon urdhrin e tij. Ndalet. Beduini me shikim në rërë mbledh gurëzi xixëllues të Saharasë. Na i jep me delikatesë. I jep urdhër kalit të niset dhe shikimet i mban poshtë. Sërish gjen gurzi të tillë. Sa herë ndalet ai ndalet edhe kali. Pasi na furnizon me gurzi që t'i marrin shikimet në diell, zbresim për në Douz. Gurëzit xixëllues te Saharasë, sa herë takohen me ujin, të etur për shi, e ndërrojnë ngjyrën- Mali i hurmave dhe palmave zbukuron oazën. Patjetër duhet ta vizitojmë edhe një vend të rëndësishëm në Matmata.

Është shtëpia ku regjisori amerikan Georg Lukas e ka shfrytëzuar që ta xhirojë filmin Star wars. Natyrisht shtëpi të nëndheshme berberësh. Pas një udhëtimi që tashmë ka filluar të na bëhet monoton nëpër malet gurore, stacioni i parë freskues është vendlindja e filmit Star wars. Ndalemi në një shesh ku ka njerëz, vetura e minibusë. Përballë, në një breg, sikur na shikon një xhami e bukur me arkitekturë vendase, ku minareje është ndryshe. Një ngrehinë katërkëndëshe që pak shquhet mbi kulmin e xhamisë. Futemi në shtëpinë ku është xhiruar filmi që tash ka mbetur si një relikt kulturor. Në oborrin para shtëpive hapësirë e ndritshme.

Regjisori i ka bërë bashkë tri shtëpi në një oborr, që është si paradhomë, ku pastaj është shndërruar në hotel. Bari nën dhé dhe restoranti me kuzhinë po ashtu janë një atraksion i rrallë për ne. Dhoma ku ka punuar Georg Lukas, nën dhé. Gjithçka e nëndheshme, por atraktive. Një ndjesi që rrallë përjetohet e kushedi a përsëritet më. Fotografime, xhirime e shkrepje blicësh nën muzikën e lehtë që vjen nga restoranti. Secili mundohet të marrë diçka nga ajo oazë muzeale e artit./Zeri/