'DokuNights' prej Ledri Vulës deri te Robert Bisha

Kultura July 25, 2017 - 08:28

Po finalizohen përgatitjet që Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër e Dokumentar, “DokuFest”, të nisë së shpejti në Prizren. E në prag të fillimit “DokuFest” ka zbuluar programin e mbrëmjeve me muzikë që mbahen në Marash, “DokuNights”.

Festivali, që do të nis më 4 gusht, për të përfunduar më 12, pritet të mbledhë përveç filmbërësve e aktorëve edhe shumë muzikantë që do të bëjnë që në Prizren të jehojnë zhanre të ndryshme të muzikës.

“Jemi të gëzuar të shpalosim programin e plotë të ‘DokuNights’, duke ndarë me ju emrat e artistëve që do të performojnë në edicionin XVI kushtuar së ardhmes. Nëntë net të ‘DokuNights’ mbulojnë një përzgjedhje të kujdesshme, që thërret për varietet në shije, alternativë në qëndrim dhe sasinë e duhur të rebelimit rinor që e ardhmja e pret”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Tutje ata tregojnë se festivali hapet më 4 gusht, me labelin “NESËR” dhe yjet Buta, Ledri Vula dhe Gamblemania me bend për një fillim elektrik. Duke vazhduar bashkëpunimin me Drug§tore, atmosfera do të kthehet në industrial të errët me performancën live të Sleeparchive dhe Dj set të Regen dhe Andreas HZ. Të dielën për disponimin muzikor do të kujdeset Fatime Kosumi, që njihet me emrin artistik “ANDRRA”.

“Jemi krenarë që përsëri jemi në gjendje të sjellim disa prej projekteve dhe formacioneve muzikore më emocionuese të Kosovës që debutojnë në skenën tonë të madhe, duke i dhënë një identitet versionit më të ndritshëm të së ardhmes së vendit. Kolektivi nga Prishtina CROWN & the ZBDs do të sjellin hip-hop/rapcore dhe tekstet e fuqishme të 24-vjecarit Crown. Ndërsa duo e sapo-formuar RRETH, do të lansojë albumin e ri, i cili kombinon influenca që sillen rreth Kosovës të inspiruara nga Debussy piano dhe techno modern, me mix të vokaleve ezoterike.

Bernays Propaganda vijnë prapë në ‘DokuFest’, sepse neve na pëlqen tepër newave post-punku i tyre me vokal të këndshëm dhe tekstet e tyre me motive anarkiste. Koncerti to të përcillet me bendin pun-elektronik lokal, Elektorati Intelektual, të cilët do të performojnë materialet e reja për herë të parë.

Një mbrëmje, për të cilën jemi veçanërisht krenarë, është party me dy artistët legjendarë nordikë të muzikës elektronike, Marcus Henriksson aka Minilogue dhe Samuli Kemppi, të cilët do të sjellin një miks të muzikës autentike elektronike. Artistët lokalë Panda dhe Moodular do të hapin natën, për një akses të plotë në kozmos”, tregojnë tutje organizatorët.

Sipas tyre, kolektivi Angry Youth prapë do të sjellë më të mirën në skenën në rritje të muzikës grime, duke qenë nikoqir të një nate me më të mirën që Anglia e ofron, Mez & Grandmixxer, dhe me warm prej artistëve të vetë kolektivit.

Fundjava e fundit e Festivalit do të zhytet në elektronikë, duke festuar përvjetorin e njërës nga shtëpitë diskografike më të mira në botë, “Ilian Tape”, me performancë nga themeluesit Zenker Brothers dhe Andrea (live).

“Për të festuar kalanë e rinovuar të qytetit, kemi bashkuar forcat me CHB Kosova dhe do të jemi nikoqirë të dy koncerteve magjike në perëndim të diellit. Në mbrëmjen e 5 gushtit, kori Iso-polifonik do të sjellë barën emocionale ndër shekullore të manifestuar me fuqinë e zërit njerëzor dhe improvizimet gjeniale të Robert Bishës, njërit nga kompozitorët më të talentuar që do të shihni ndonjëherë. Më 11 gusht, shokët tanë dhe udhëtarët Vincent Moon dhe Priscilla Telmon do të krijojnë një formë të re të trans-kinemasë, që do të përfshijë materialet filmike nga rituali vendas Sufi, filmat e tyre etnografik dhe këndimin magjik të Agona Shportës. Sigurojuni të përcillni edhe ngjarjet e tjera të bukura që Vincent dhe Priscilla kanë planifikuar për ne. Nata e mbylljes në Lumëbardhin tonë të dashur do të shënohet me performancën e Kaira Keila – kolektivit afro-beat të përbërë me pjesëtarë nga e gjithë bota, sepse neve na pëlqejnë lamtumirat e gëzuara dhe të ndritshme”, përfundon kështu njoftimi i “DokuFest”-it.

Rikujtojmë se është tema e së ardhmes ajo që do të theksohet në edicionin e 16-të “DokuFest”-it. Ideja për temën e këtij edicioni erdhi, sepse në vitet e fundit ka pasur lëvizje të mëdha nga qytetarë që përpiqen të kenë një zë më të fortë për të ardhmen e tyre. Programi i Festivalit do të jetë një vështrim mes distopive dhe utopive, kufijve dhe çiltërsisë, frikës dhe dashurisë.