Jetën e bëjmë unike përmes artit

Kultura July 22, 2017 - 08:37

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit” prezantojmë profesoreshën, studiuesen dhe poeten Dije Demiri-Frangu, e cila punon si profesoreshë në Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi Shqipe.

Është autore e disa librave. Është e prezantuar në shumë antologji. Poezia e saj është e përkthyer në disa gjuhë. 

Cilën pyetje më shpesh ia bëni vetes?

Janë shumë situata jo të qarta, që na e bëjnë jetën kaotike. Tisi i mistershëm i shumë  paqartësive, shpesh edhe për ndjenjat e mendimet tona, të krijon shumë pyetje. A nuk është një pyetje vetja e gjithsecilit? Ciklet i universit dhe pyetja, ku do të jem e vendosur, në cilin cikël të universit pas 100 vjetësh? Pastaj, vetë e nesërmja është një pyetje, por edhe çasti pasues. Jeta ka edhe pyetje banale , pse njerëzit kanë inercion të bëhen krejt të këqij? 

Cili është udhëtimi i juaj i zakonshëm brenda një dite?

Duket udhëtim i shkurtër ky brenda një dite, por nuk është. Varet intensiteti i të jetuarit të ditës. Mund të shkosh deri në Calypso dhe të takosh Enkidunë, ta qortosh pse nuk e gjet atë dreq ilaçi, mund të shkosh deri në fakultet, të të gëzojë një ligjëratë që mban, një student i mirë dhe një kafe në Amaro. Mund të udhëtosh kujtimeve dhe t’i ujitësh dhembjet. Udhëtimet varet se më se i bën…udhëtimet fizike janë ecje në hapësirë, mua më ngacmojnë udhëtimet në kohë e në meditim.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Letërsia antike dhe ajo e humanizmit, posaçërisht Shekspiri, vazhdon të ma krijojë atë shqetësim estetik, sikundër dhe realizmi rus. Duhet të mos jesh fare realiste për të mos e përmendur, por Kafka dhe trishtimi i heshtur i Jozefit është e vendosur në pjesën ballore të vitrinës së kujtesës sime. Këtë ndoshta ta imponon edhe momenti i të lexuarit… E kisha lexuar kur “gabimisht” më thërrisnin në bisedë informative. Kështu së paku shpreheshin njerëzit e sigurimit jugosllav. Ideja e Kafkës për rolin e shkrimtarit, për shpëtimin universal, është tërësisht universale. “Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthejë në ligj dhe ta bëjë njeriun të pavdekshëm, vetëm atëherë ai ka një rol në art”, thotë ai. Absurdi i raportit të individit të rëndomtë me pushtetin e pakufishëm është një frikë gjigante, që lexuesit i bëhet pjesë … me  “Procesin”.  Bëj paralelen e jetës, e cila, po ashtu është fatale. Atmosfera e ankthshme e këtij romani është e papërsëritshme në letërsi.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Mendoj se shoqëria jonë tani ka një inercion të zhvillimit të proceseve në formën e një ekzistencializmi të vonshëm. Është forcimi i individualizmit. Por ky vetërealizim është i zorshëm në rrethanat tona, sepse klima kulturore është e ashpër dhe fare inkurajuese. Parimi që zgjedhjet të jenë individuale është një hap që pavarëson njeriun, por megjithatë i duhet një aplaudim-pranim për vlerat që plason. Derisa është rrënuar tërësisht gjykimi kritik, njeriu mendon se mos na duhet një ndërtim i ri i një filozofie te krizës. Pyetja ekzistencialiste e Sartrit: “Kush jam dhe ç’duhet të bëj?” dëshmon se njeriut vazhdimisht i duhet përkufizimi i vetvetes, duke rrënuar standardet. Unë jam pak larg nga kjo, sepse ende kam një copë idealizmi.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Të jetuarit me artin ka një dimension tjetër vetëdijeje, mbase superior. Kultura është kurë e mirë shpirti, zbut idiotësitë e përditshmërisë, thyen konvencat e të jetuarit dhe rutinën që vret. Kultura emancipon përmes pasioneve të individëve, energjive të rralla që rigjenerohen në energji të formave të ndryshme. Këtu ndikojnë faktorë të shumtë intrigues, të jashtëm e të brendshëm, duke  krijuar dykuptimësinë e diskursin origjinal të jetës. Duke qenë se kultura është një diskutim i përhershëm më veten, me pasigurinë e ndjenjës, e sidomos me atë të mendjes, që vazhdimisht më duket se u ngjet velave të anijeve nëpër valë, mendoj këtu te ne, kultura po zhvillohet shumë vrazhdësisht dhe ad- hoc. Diskurset krejt të hapur ndaj çdo tendence në kulturë krijojnë kaos kulturor, derisa tek ne po mungon qëndrimi kritik ndaj tendencave dekulturore. Angazhimi personal i njerëzve, tani për tani, ka një inercion interesi, pavarësisht që ndërtimi i kulturës do të  duhej ta paraqiste një obligim shoqëror. Përmes vështrimit të këtij procesit të ndërtimit të këtij realiteti kulturor, posaçërisht nga njerëz përgjegjës të kulturës, do të duhej t’i vinin pikat e një perspektive, për t'ia lënë vendin superior dijes. Duhet t'i hapet një perspektivë mendimit të lirë e kritik më të gjerë. Doemos duhet kultivuar vullneti i mirë, paraprakisht, të vihet në shërbim të mendimit mbi të qenit tonë, për t'ju ikur konsekuencave të rrepta e ndoshta të pariparueshme. Promovimi i vlerave duhet bërë dhe duhet bërë seriozisht.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte dramë, sot është dramë dhe nesër sërish do të jetë dramë. Jeta pak mëson nga ritmi i saj. Ajo e përsërit veten si ëndrrat. Natyrisht, vetëm nuansimi i ngjyrave ndodh.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura “Luledielli” e  Van Gogut, ku është vetëm një bimë, por që lidh rritën e saj me universin, prandaj e admiroj, derisa filmin dramë “Anesthesia” të Tim Blake Nelson e veçoj. Filmi ka të bëjë me një profesor të Universitetit të Kolumbisë. Poezia optimiste  “Edhe një buzëqeshje”, e Pol Elyarit, me vargun çdo hidhërim ka një dritare të hapur, më ka pëlqyer herët, sikundër dhe kënga “Shkodra ka plot dashuri”, e cila ma ofron dimensionin e madh kulturor të Shkodrës. Të gjitha artet janë një mikrokozmos jetik, ku flenë projeksionet dhe dështimet e universit me ato të njeriut. Por jetën e bëjmë unike përmes artit.