Ali Podrimja përkujtohet në parkun kulturor të Gjakovës

Kultura July 21, 2017 - 11:11

Shkrimtari i mirënjohur nga Kosova, Ali Podrimja do të kujtohet në qytetin e tij të lindjes në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta, shkruan zeri.info.
Në parkun kulturor që mban emrin e tij, “Ali Podrimja”, këtë mbrëmje (të premten) do të mbahet një mbrëmje letrare e hapur për gjithë pjesëmarrësit që duan ta nderojnë fjalën e shkruar të autorit Podrimja.

“Duke filluar nga ora 20:00, do të përkujtojmë poetin legjendar Ali Podrimja në 5-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Një natë e letërsisë dhe kulturës bashkëkohore, duke kaluar nëpër kujtimet e tij ndër vite, do të na shoqërojë për rreth një orë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës.

Më 1976 kalon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. /Zëri