Pas suksesit në Trabzon, 'Shota' udhëton për në Plovdiv të Bullgarisë

Kultura July 21, 2017 - 10:24

AKKV “Shota” nga festivali ndërkombëtar “Kemençe ve Horon”, i cili u mbajt në Trabzon të Turqisë, u kthye me katër shpërblime, nga data 1-5 gusht do të jetë pjesë e edicionit të 23-të të Festivalit Ndërkombëtar, që organizohet në qytetin Plovdiv të Bullgarisë.

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” më datën 14 korrik 2017 është kthyer nga Turqia, ku ka marrë pjesë në festivalin “1st International Kemençe ve Horon Festival”. Festivali është mbajtur nga data 07-13 korrik, në Trabzon të Turqisë. Në këtë festival garues, përveç “Shotës”, kanë marrë pjesë edhe 9 Ansamble tjera nga Turqia (3), Gjeorgjia (2), Irani, Kameruni, Azerebajgjani dhe Bullgaria. Duhet cekur se disa shtete ballkanike, të planifikuara për pjesëmarrje në festival (Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bosna dhe Hercegovina, Rumania dhe Hungaria), e kishin anuluar pjesëmarrjen. Pikërisht për këtë organizatori ka ftuar në momentet e fundit ansamblet vendëse nga Ankaraja, Sakaria dhe Bursa si dhe një ansambël tjetër nga Gjeorgjia (“Jellna”). Në këtë festival ansambli “Shota” u nderua me çmimin e dytë në kategorinë e performancës së përgjithshme, çmimin e parë për muzikë dhe çmimin e parë për veshje. Gjithashtu në garën e bukurisë përfaqësuesja e ansamblit “Shota”, valltarja Remzije Vllasa, u zgjodh përcjellësja e parë e misit të festivalit. Për renditjen e ansambleve vendosi juria e përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha ansambleve pjesëmarrëse dhe e këshillit organizues të festivalit. Në kategorinë e performancës së përgjithshme vendi i parë iu nda ansamblit “Bolnelli” nga Gjeorgjia, ndërkaq vendi i tretë shkoi për ansamblin “Galaxy”, nga Dimitrovgradi i Bullgarisë. Ndërkaq në përzgjedhjen e “më të bukurës” së festivalit ngadhënjeu përfaqësuesja e Iranit, kurse  kurora e përcjellëses së dytë shkoi për përfaqësuesen e Ansamblit nga Bullgaria.  

Pas paraqitjes shumë të dinjitetshme të Ansamblit në Trabzon, pothuajse të gjithë përzgjedhësit e festivaleve në Turqi i kanë bërë ftesë verbale Ansamblit që të jetë pjesë e tyre, në edicionet e ardhshme.

Gjithsesi, ansambli “Shota” më datën 31 korrik, sipas agjendës së paracaktuar, do të marrë pjesë në edicionin e 23-ë të festivalit ndërkombëtar të folklorit “Plovdiv 2017”, që organizohet në mes datave 1 dhe 5 gusht. Për dallim nga festivali në Trabzon, festivali i Plovdivit, që organizohet në kuadër të CIOFF-it, nuk është garues. Mirëpo, në të do të marrin pjesë shtete reprezentative në fushën e folklorit dhe “Shota” mëton ta përfaqësojë në nivel sa më të lartë traditën dhe trashëgiminë tonë shpirtërore dhe materiale.