'Hunting Flies', drama e diktaturës që u mirëprit në Prishtinë

Kultura July 21, 2017 - 10:18

Të mërkurën publiku i Prishtinës duartrokiti gjatë filmin “Hunting Flies”, të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Izer Aliu.

Ky film, që ka korrur sukses gjatë rrugëtimit të tij në shumë vende të botës, u prezantua para publikut shqipfolës në kuadër të edicionit të 9-të të festivalit “PriFilmFest”, që u mbyll mbrëmë.

Filmi “Hunting Flies”, i xhiruar në Maqedoni, është dramë që trajton ngritjen dhe rënien e diktaturës. Ngjarja zë vend në një klasë, ku gjatë një dite të ngarkuar shikuesi njoftohet me Ganiun (Burhan Ahmeti), mësuesin idealist, i cili humb punën në ditën e parë të shkollës.

Por, ai bën një përpjekje të fundit që ta rimarrë postin, duke mbyllur nxënësit në klasë dhe duke i detyruar që t’i zgjedhin problemet e gjata të konflikteve që kanë ndërmjet fshatrave të tyre. Si i tillë ky film pati premierën botërore në “Toronto Film Festival” në shtator të viti të kaluar. Që atëherë është shfaqur edhe në festivale të tjera dhe nëpër kinema të Norvegjisë.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë dhe me publikun e interesuar, regjisori Izer Aliu tregoi se xhirimet janë kryer në fshatin Kondovë të Maqedonisë, prej nga e ka prejardhjen ai. Ai tregoi se të gjithë fëmijët që paraqitën me rolet e tyre në filmin e tij, ku ai shtron një tematikë Ballkani, janë pra banorë të atij fshati dhe nuk shquheshin për ndonjë përvojë në aktrim, apo shkollim në këtë drejtim.

“Kjo më ka ndihmuar shumë sepse shumica kanë qenë njerëz të familjes, apo njerëz që i kam njohur. Për mua ishte lehtë ta realizoj atje”, tregoi Aliu, duke theksuar se nëse si regjisor do të punosh me aktorë fëmijë, duhet t’i respektosh shumë dhe mos t’i trajtosh thjesht si fëmijë.

“Në film kanë aktruar dhjetë fëmijë. Unë jam munduar që çdo fëmijë ta përfaqësoj një filozofi politike apo jetësore. Kur i kam ndërtuar të gjitha personazhet, secilin në filozofinë e vet, atëherë ka qenë më e lehtë. E kam ruajtur gjithashtu edhe të folurën e asaj ane, duke mos dashur ta kemi kompleks mënyrën sesi flasim”, shpjegoi regjisori.

Aliu theksoi se si përmes këtyre karaktereve përgjithësisht, duke theksuar personazhin me emrin Xhevat, ka dashur ta tregojë luftën e njeriut për t’u pranuar nga shoqëria.

I pyetur se çfarë përfundimi mund ta nxjerrin shikuesit nga ky film, regjisori Izer Aliu tha se ata mund ta kuptojnë se duhet dhe mund gjithmonë të reagojnë.

“Njerëzit mund ta shohin se mund të reagojnë gjithmonë ndaj padrejtësive. Sepse edhe nëse individualisht nuk kemi forcë, në momentin që bashkohemi ne kemi forcë. Sepse shoqëria ndërtohet dhe funksionon prej njerëzve”, tha ai.

Filmi “Hunting Flies” ishte i nominuar për dy çmime në garën prestigjioze “Amanda Awards”, në Norvegji.

Përveç rrugëtimit nëpër festivale, me “Hunting Flies” Aliu po finalizon edhe një film tjetër që është bashkëpunim mes Suedisë e Norvegjisë, i cili tashmë është në fazën e montimit dhe pritet të përfundojë kah fundi i këtij viti. Ai zotohet se në vendlindje do të kthehet sërish, për të realizuar projekte të tjera.

“Kam edhe disa projekte të tjera me të cilat do të vi këtu. Më tërheq vendi këtu, njerëzit. Nuk e di saktësisht se çfarë. Unë jam rritur në Norvegji, kam shkuar dy vjeç, por prapë kam një tërheqje ndaj këtij vendi, që me sjell gjithmonë prapë këtu”, bëri të ditur Aliu.

Regjisori Izer Aliu u lind më 1982 dhe është regjisor shqiptar me origjinë nga Maqedonia, i cili njihet si njëri ndër regjisorët më të mirë në Skandinavi. Izer Aliu është shqiptar i cili jeton dhe punon prej vitesh në Norvegji, duke vjelë sukseset e punës së tij në kinematografi.

Vite më parë në një listë të nxjerrë nga Radio Televizioni kryesor në Norvegji, NRK, për regjisorët më premtues të kinematografisë norvegjeze regjisori shqiptar doli të jetë në top-treshe. Aliu përmendet për filmat “To Guard The Mountain”, “Hunting Flies” apo “12 Achievements”. Aliu futet në këtë listë duke u quajtur si regjisor që merret me tema origjinale e ku përzien edhe humorin.