Njeriu që troket në ndërgjegjen e vet

Kultura July 18, 2017 - 08:45

Po të vëmë re me kujdes lexuesin shqiptar, tashmë, më shumë se asnjë herë më parë, ai po rend shumë pas letërsisë së huaj, duke harruar, me dashje ose jo, se njëkohësisht ekziston edhe letërsia shqiptare. Në këtë drejtim, ora e shqiptarëve ka mbetur pas, duke harruar se çdo epokë ka letërsinë dhe autorët e saj. Nuk jam me idenë se duhet mohuar. Gjithsecili ka kontributin e tij në letërsi. Bashkëjetesa e tyre me kohët e ndryshme është pikërisht barometri  se sa reale, e bukur dhe koherente është letërsia që ata bëjnë. Është fakt se sot mjaft autorë shqiptarë, andej e këtej kufirit, kanë mundur të njihen ndërkombëtarisht, duke marrë pjesë në manifestime të ndryshme letrare anekënd botës, e duke u përfshirë edhe në antologji ndërkombëtare. Krijimtaria e tyre është tashmë pjesë e fondit të disa prej bibliotekave më prestigjioze.

Njëri prej tyre është edhe Ndue Ukaj, krijimtarinë e të cilit e kam ndjekur edhe më herët. Por në mënyrë të veçantë, Ukaj shpaloset me librin e tij me poezi “Gjithmonë diçka mungon”, të cilin pata fatin ta lexoja së fundmi.

Në poezitë e këtij vëllimi poetik, i cili është botuar si një i tërë dhe i pandarë në cikle, vazhdimisht ndeshesh me shqetësimin e autorit mbi realitetin ku endet shoqëria në të cilën jeton. Poezia e tij është sociale, aspak një udhëtim nëpër vargje të mbushura me rimë, por me rrëfime plot mendime, brenga e refleksione. Në to gjenden shumë elemente, me të cilat është pështjellë edhe vet jeta jonë, si: tymi, hija, nata, fantazmat, heshtja, dilemat, mungesa, dëshira, ëndrra, djegia, ngulfatja, muzika, rruga, humnera, mungesa e hapësirës, zhgënjimet, e të tjera, të cilat në tërësi sjellin një ngjyrim poetik të thellë e të larmishëm, të cilat e dëshmojnë autorin si një mjeshtër të mendimit dhe fjalës së shprehur. Në poezitë e Ndue Ukajt spikasin figuracionet letrare, ndërtimet kompozicionale dhe thyerjet strukturore, të cilat duke ardhur në mënyrë të thjeshtë e spontane, e përcjellin mjaft qartë rrëfimin poetik. Ato janë pasqyra ku çdokush sheh vetveten dhe jetën që e rrethon. A sjell përballja me pasqyrën, trishtim? Poezia e vërtetë dhe moderne duhet të rrëfejë realisht realitetin dhe poezia e Ukaj është e tillë.

“Në trenin e parë shfleton gazetën që shpërndahet falas, / Dhe falas merr ato që s’i duhen.” Ose  “Në mbrëmje në vendin e saj nuk ka zgjedhje. / Lexon Hamletin me zë dhe dëgjon tingujt e zogjve të mërzitur.” (Portat e lirisë)“Sepse ne asnjëherë s’mund t’a dimë / ku fillon perandoria e dhimbjes / E ku ajo e lumturisë.” (Asnjëherës’mund t’a dimë)“Mes teje dhe meje është një humnerë / Ku veç zogjtë kalojnë të lirë.” (Sipërfaqja pa formë)

Heroi i Ukajt është njeriu që troket në ndërgjegjen e vet. Ekzistenca e tij është e ngërthyer në një botë kaosi, ku historitë e vjetra e të reja bashkëjetojnë në ngërç me perspektivën.  Ukaj niset nga e shkuara, për t'u ndodhur në të tashmen e për të shkuar drejt së ardhmes. Mjedisi ku endet është konkret, është qyteti i tij, njerëzit me të cilët bashkëjeton në kohë, populli të cilit i përket. Ai është sa besimtar, po aq edhe ateist e rebel. Heroi i tij, apo autori i trajtësuar si heroi, është pikërisht njeriu i sotëm modern, misioni i të cilit është që të përçojë energji pozitive dhe të ndërtojë të mirën në këtë epokë kaotike, plot pasiguri dhe zhgënjime.

Poezia e e Ndue Ukajt spikat për një figuracion të pasur letrar dhe pasurohet  herë pa here me forma gjuhësore, të cilat vijnë bukur. Ukaj shkruan në standardin letrar duke e pasuruar atë shpesh edhe me trajtat dhe format foljore të gegërishtes. Kjo ndërthurje e suksesshme e bën edhe më të bukur artin e tij të fjalës. Poezia e tij është e drejtpërdrejtë. Ajo godet jo në sipërfaqen e mburojës, por thellë, deri në asht. Nuk është apel, por britmën e ndërgjegjes.

Duke lexuar krijimtarinë e botuar në këtë vepër, një çast m’u kujtua poezia “Njerëzit”, e poetit brilant Azem Shkreli: “Sikur tëtakoheshim me vetveten sy më sy, / Do të putheshim, apo kishim për tu pështy?”  Veçmas me vëllimin “Gjithnjë diçka mungon”. Ndue Ukaj dëshmohet si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe.