Regjisori i njohur rus arrin në Shqipëri

Kultura July 17, 2017 - 08:58

"Nuk e njoh fare Shqipërinë (buzëqesh), ende nuk kam aq informacione të mjaftueshme. Këtu ka shumë gjëra të habitshme. Unë po mendoja që kur të vij për herë të parë në Shqipëri, do të shoh një vend të varfër, të pazhvilluar, të mbytur nga probleme të brendshme dhe të jashtme dhe jam habitur në kuptimin e mirë të fjalës, që nuk i shoh këto gjëra në Shqipëri.

Shqipëria është një vend serioz, një vend i madh me ambicie shumë të forta. Në gjykimin tim Shqipëria ka shumë ndikim në politikën evropiane, ndoshta në mënyrë të tërthortë. Hija e kulturës së këtij vendi, si Shqipëria ekziston dhe shumë rëndësi ka që Shqipëria ka një eksperiencë të pasur të jetës në periudhën socialiste.

Për fat të keq është një eksperiencë negative. Pra unë shpresoj të njoh shumë gjëra të reja për vendin tuaj. Shpresoj që falë këtij filmi, që po konceptojmë dhe do ta bëjmë bashkë me kolegët e mi, hap pas hapi, do të njohim më shumë vendin tuaj", ka thënë regjisori rus Aleksandër Sokurov për emisionin "Kapital" të gazetarit Aleksandër Furxhi, shkruan Kultplus.

Regjisori i njohur rus Sokurov, fitues i shumë shpërblimeve nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare, ka ardhur në Shqipëri me qëllim që të realizojë një film me skenar të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.