Shtëpia e Veçes Zelës iu shit një emigranti

Kultura July 17, 2017 - 08:57

Kush do ta imagjinonte se Vaçe Zela mund të mbetej pa shtëpi muze. Ajo është konsideruar si “ylli” i muzikës së lehtë shqiptare. Një talent që shfaqet vetëm nëse kalojnë shekuj.

Familjarët kanë deklaruar se aty ajo dha koncertet e saj të para. Ndërsa Bashkia e Lushnjës ka deklaruar se Duan ta shpallim monument kulture, por shtëpisë i mungon pronësia.

Artistja e Popullit, Vaçe Zela, u lind më 7 prill të vitit 1939 në qytetin e Lushnjës dhe vitet e vegjëlisë së saj i kaloi aty, në një shtëpi të vogël njëkatëshe.

“Babai im kujton se kur ishin të vegjël, Vaçja veç këndonte. Madje, tregon se mblidheshin fëmijë, të rinj e të rritur, që dëgjonin Vaçen teksa këndonte në oborrin e shtëpisë së saj. Aty thonë se i ka dhënë koncertet e para të saj”, pohon Syrja Zela, një prej anëtarëve të fisit Zela që jetojnë në qytetin e Lushnjës.

Pak vite më parë, pas kërkesës së familjarëve të këngëtares së madhe, drejtuesit e Bashkisë së Lushnjës deklaruan se do ta shpallnin monument kulture shtëpinë e Vaçe Zelës. Por edhe sot, ashtu si edhe më parë, shtëpia vazhdon të mbetet e rrënuar nga vitet dhe braktisja.

Burime zyrtare pranë bashkisë Lushnjë pohuan për Konica.al se, janë ndërmarrë të gjitha nismat administrative dhe ligjore për të mundësuar shpalljen monument kulture të shtëpisë ku ka lindur këngëtarja e madhe Vaçe Zela.

Por, sipas të njëjtave burime, një gjë e tillë ka qenë e pamundur pasi shtëpia i është shitur vite më parë një familjeje e cila jeton në Itali. Burimet zyrtare të bashkisë Lushnjë pohuan se, për shkak se familja që ka blerë shtëpinë e Vaçe Zelës jeton prej shumë vitesh në Itali, është krijuar një ngërç në mundësimin e zbatimit të projektit për shpalljen e shtëpisë në fjalë si monument kulture dhe restaurimin e saj.

Vaçe Zela e filloi karrierën e saj në moshë të re. Në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës në RTSH. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Repertori i saj zë vend të rëndësishëm në antologjinë e muzikës shqipe.

Vaçja është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti shqiptar, Alfred Moisiu dhe çmimin “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Për nder të këngëtares viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën që quhet Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Vepra e saj artistike është vlerësuar edhe në skenën ndërkombëtare. Sipas Institutit Biografik Amerikan ajo është ndër 500 njerëzit më me ndikim.

Në “SHBA” Zela u nderua me çmimin “Disku i Artë”, kurse Kembrixhi i Anglisë e shpalli “Gruan e Vitit ’97-98”./Zeri/