Kënga për nënën mbi të gjitha

Kultura July 17, 2017 - 08:55

Këtë javë në rubrikën e rregullt "Rrëfej nëpërmjet muzikës" të gazetës “Zëri” prezantojmë kantautorin Xhevat Kelmendi. Pasi i kemi kërkuar të zgjedh dhjetë këngë, të çfarëdo gjuhe e zhanri, të cilat i veçon dhe i ka në zemër, muzikanti Kelmendi ka vendosur të na flas për këngë të paharruara shqipe si: “Moj e bukura Arbëri”, apo “O vendi im”, por pa lenë anash edhe hite botërore, dhe krijime të tijat, gjithashtu.

Kelmendi u lind në Pejë në vitin 1955. Filloj të merret me muzikë që nga viti 1970, për të pasur debutimin e parë në RTP, në vitin 1978.

Ka shkruar shumë tekste origjinale, kompozuar dhe kënduar. Gjer më tani ka edituar dy albume dhe mbi 30 këngë të tjera në mediet e ndryshme. Po ashtu ka shkruar edhe shumë tekste këngësh për fëmijë, kompozimet dhe aranzhmanet e të cilave i ka bërë biri i tij, Memli Kelmendi.

Që nga mosha e hershme ka kënduar këngët arbëreshe dhe serenatat korçare. Ato kanë lënë gjurmë në krijimtarinë muzikore të Xhevat Kelmendit. Siç thotë ai “me fanatizëm nuk i kam ikë kësaj vije”.

"Moj e bukura Arbëri" nga e madhja Vaçe Zela

Më përkujton me shumë emocione jetën e arbëresheve, vuajtjet, peripecitë, këngën. Edhe vetë e kam kënduar që nga viti 1981, pikërisht kur u zhvilluan demonstratat, dhe unë këtë e incizova në një kasetofon, sepse përgatitesha për ta incizuar në Radio Prishtinë.

"Love Hurts" nga grupi Nazareth 

Isha në vitin e parë të studimeve dhe kjo këngë sillej nëpër top listat dhe stina kur e dëgjoja ishte vjeshtë, kështu që kjo këngë me krijonte shumë nostalgji apo mos të them shqetësime shpirtërore.

“Goodbye, My Love, Goodbye” - Demis Roussos,

Isha maturant dhe albumin e këtij këngëtari e bleva pikërisht në Athinë. Pra ishte koha kur kisha filluar edhe vetë të shkruaj tekste, të kompozoj, të këndoj dhe të luaj ne kitare, andaj nga kjo këngë dhe të tjerat shkreptinin shumë xixëllonja në veprimtarinë time.

"Vino Amaro"- Gianni Nazzaro,

Këtë këngë e këndonte me aq përmbajtje saqë dukej se për ta kuptuar apo përjetuar këtë këngë duhej dëgjuar vetëm duke pirë verë.

"Kitare e dashur" -  korçare

Kjo disi ndërlidhet me jetën time, sepse kitara gjithë jetën time më bëri shoqëri, edhe kur pësoja humbje me dashurinë, dhe kur fitoja, por edhe jetën studentore. Më kujtohet në vitin 1978 shkuam në bregdetin, në Umag të Kroacisë. Aty unë shkrova tekstin, kompozova dhe e këndova duke luajtur në kitarë një parodi studentore e që u prit shumë bukur nga publiku.

"Tombe la neige" - Adamo

Këngë franceze që e kam dëgjuar që nga viti 1971, dhe pikërisht ishte kohë dimri kur e dëgjoja nga një pllakë gramofoni që ma kishte dhuruar një mik francez. Para shumë vitesh këtë këngë e kam interpretuar dhe incizuar në versionin tim.

"Vendi im"

E kënduar nga bohemi Muharem Qena,  e që po ashtu e kam kënduar dhe incizuar në albumin tim të dytë. Muharemi ishte bohem i vërtetë.

Sergio Endrigo - L'Arca di Noe

Sepse jeta është plot valë, herë të rrëmbyeshme, herë të qeta, prandaj duhet të luftosh dhe të notosh mbi to.

“Et Si Tu N'Existais Pas” - Joe Dassin  (Sikur të mos ishe ti)

Prapë po e ndërlidhi me krijimtarinë time, sepse ka shumë analogji në disa tekste të mija p.sh. nga ajo në Zambakun e Prizrenit 2013, këngë e imja e aranzhuar nga biri im Memli, i cili ka kompozuar shumë këngë për mua dhe po ashtu ka bërë orkestrimet dhe incizimet e tyre.

"Nënës"

Këngë e imja që ia pata kushtuar nënës edhe kur ishte gjallë, dhe që sa herë e këndoja me rridhnin lotët. Njëherazi kjo këngë ishte edhe videoklipi im i  parë i produksionit RTV 21, klip i realizuar në vitin 1999.