Hapet ‘PriFest’-i, nis maratona e filmave

Kultura July 13, 2017 - 21:41

Mbrëmjen e së enjtes ka nisur në Prishtinë edicioni i nëntë i festivalit ndërkombëtar dhe tashmë tradicional, “PriFilmFest”, shkruan zëri.info.

Me një hapje zyrtare në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe një kinema të hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, festivali “PriFest” ka filluar shfaqjen e filmave, që sivjet ndahen në disa programe, me rreth 80 filma, përfshirë këtu shtatë premiera botërore.

Filmat do të shfaqen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Kinemanë “ABC”, sheshin “Zahir Pajaziti” – kinema e hapur dhe Amfiteatrin e Muzeut Kombëtar.

Festivali, që qysh në natën e parë tërhoqi shumë publik dhe mblodhi artistët dhe filmbërësit më të mirë të vendit, u hap me filmin “T’padashtun”, të regjisorit Edon Rizvanolli, film i cili pati premierën botërore pak javë më parë në festivalin prestigjioz, “Karlovy Vary”.

Në hapje të “PriFest”-it drejtoresha Vjosa Berisha, u shpreh e lumtur për fillimin e këtij edicioni të 9-të dhe kthimin në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ajo foli edhe për mbajtjen e festivalit në verë, për dallim nga edicionet e më hershme.

“Zhvendosja që i bëmë festivalit në korrik ka pasur shumë impakt dhe e ka rritur festivalin. Dua ta falënderoj drejtorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopin, që e ka rikthyer festivalin në shtëpinë e tij, në këtë teatër”, tha ndër të tjera Berisha, duke falënderuar të gjithë miqtë dhe partnerët e festivalit, pa ndihmën e të cilëve “PriFest” do të ishte vështirë të realizohet.

Ajo tutje foli edhe për bashkëpunimin me Turqinë, që e veçon “PriFest”-in sivjet, përmes të cilit mund edhe të sigurohen bashkëpunime filmike mes Kosovës dhe Turqisë.

Si sponsor medial, gazeta “Zëri” do vazhdojë të ju mbajë të informuar me aktivitet e këtij festivali, duke ju sjellë biseda me mysafirë dhe informata të tjera. Zëri.