Gardiani i shqiptarisë

Kultura July 13, 2017 - 12:15

At Shtjefën Konstandin Gjeçovi u lind më 12 korrik të vitit 1874 në Janjevë. Familja e tij (stërgjyshërit) kishin ardhur nga fshati Kryezi i Pukës. Në verën e vitit 1884, pasi përfundoi klasën e tretë, Gjeçovi 10-vjeçar u nis për në Shkodër, për të vazhduar më tej mësimet në kolegjin françeskan të Troshanit, në veri të Lezhës, duke qenë kështu ndër nxënësit e parë të këtij kolegji së bashku me At Gjergj Fishtën. Më 15 gusht 1888, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, së bashku me At Pashk Bardhin dhe At Françesk Koliqin hyri në kuvendin françeskan të Fojnicës, pranë Sarajevës

At Gjeçovi u vra në mënyrën më mizore dhe barbare nga serbët në Zym të Hasit, më 14 tetor 1929, ndërsa po kthehej nga Prizreni. Më 26 tetor 1929 në Kishën Françeskane në Shkodër u mbajt mesha mortore në nderim të tij, ndërsa Parlamenti shqiptar e përkujtoi vdekjen e tij në një seancë të veçantë të mbajtur më 11 nëntor të atij viti me disa ligjërime mjaft prekëse.

Gjeçovi u bë guardian i shqiptarizmës, atdhedashurisë, arsimit dhe kulturës shqiptare, duke vënë në fokus të interesimeve të tij pothuajse gjithçka që kishte lidhje me etnokulturën shqiptare. Atë Shtjefën Gjeçovi la gjurmë në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë letrare si: prozës, poezisë, dramaturgjisë si dhe përkthimit. Vetëm në fushën e arsimit, ndihmesa e tij është e jashtëzakonshme, mjafton të cekim se në njëmbëdhjetë shkolla ku ai shërbeu si mësimdhënës, pesë prej tyre i kishte hapur ai vetë së pari me nismën e tij personale. Ruajtja dhe afirmimi i identitetit kulturor kombëtar shqiptar, si element qenësor i qytetërimit evropiano-perëndimor, qe edhe përpjekja e vazhdueshme dhe sistematike që ai bëri gjatë gjithë jetës së tij.