Estetika muzikore

Kultura July 13, 2017 - 12:13

Estetika muzikore, si shprehje e natyrshme e një prej disiplinave filozofike mbi bazat teorike të konstruksionit të artit muzikor, si sinonim i filozofisë muzikore, paraqet jo vetëm aspektet, por edhe një semiotikë të veçantë në teorinë e artit në përgjithësi dhe në teorinë e përgjithshme të artit muzikor, në veçanti. Ajo përfshin edhe shumë disiplina teorike siç janë harmonia, kontrapunkti, format muzikore, akustikën muzikore, instrument-imin, kurse në shkencën muzikologjike ka vendin kryesor dhe s'mund të mendohet pa estetikën muzikore në tërësinë e saj.

Në fakt ajo përfshin inkluzivitetin (produktivitetin-subjektivitetin) në vete, sepse ajo nxjerr në dritë ndikimin e një vepre muzikore që rrjedh nga bashkëveprimi ii të gjitha elementeve me të cilat muzika, në esencë, ndërtohet. Krijuesi në përgjithësi, e veçmas muzikanti, gjatë krijimtarisë së tij ndjen kënaqësinë e krijimtarisë dhe të përjetimit të artit të vet. Bukuria e saj nuk kapet me sy si te piktorët, por me vesh dhe me shpirt. Tiparet e bukurisë së veprës dhe koncepti i saj paraqesin një larmi koncepcionesh dhe bukurinë konceptuale që e plotëson polivalencën kuptimore, e cila reflektohet në ngritjen cilësore të veprës, prezanton botën e brendshme të kompozitorit: ndijimet, ndjenjat dhe subkoshiencën (Pseudoshkencën konsistencën) e tij. Kështu edhe semiotika muzikore, të cilën pak e njohin dhe e kuptojnë

muzikologët tanë në Kosovë, gjithnjë e konsideron veprën si strukturë, por bën edhe përpjekje që prej saj të nxjerrë ligjësi të bazuara në konceptin e estetikës, e cila lind si domosdoshmëri shpirtërore dhe kështu krijon artin e vërtetë si përçues të ideve artistike, pse jo, edhe filozofike. Arti, si thonë filozofët, është krijim specifik estetik njerëzor me vetëdije të plotë, kurse Teodor Adorno thotë se vetëm diletantët e quajnë artin rezultat të veprimit të sferës së pavetëdijshme. Pra, krijimtaria artistike si pjesë integrale e artit në përgjithësi, nxit pos të tjerash edhe mendimin filozofik. Megjithatë, si thotë Teodor Adorno, "Arti është fenomen ekzistues empirik, madje shqisor, që në këtë mënyrë e përcakton veten si frymë, ashtu siç pohon idealizmi për një realitet përtej estetik". Vepra e artit nga vetë natyra e saj është objektivisht dukuri shpirtërore. Gjithë praktika e historisë së filozofisë e sidomos estetika si degë e saj, e semasiologjia si teori e vlerave, dëshmon se artistin sipas rregullave e afirmojnë, si vlerë, veprat e tij, me fillesën e tij gnoseologjike. Kur e them këtë, kam parasysh subjektin e përvetësimit estetik si qëllim themelor i çdo vepre. Megjithëkëtë, krijimtaria artistike kërkon dije, kërkon njohuri, kërkon shije. Pa këto tri elemente nuk të do të ketë gjykim racional, edhe pse një gjë duhet të kuptohet mirë, ajo është sintagma e njohur: "Për shijet s' mund të diskutohet". Përjetimi estetik, kënaqësia estetike, përbëjnë dy pole të skajshme, si thonë filozofët. Shkakun duhet ta kërkojmë në shumë elemente, siç janë edukata, dija, sensi dhe afiniteti; që të gjitha këto janë të lidhura mes vete dhe nënkuptojnë "përdorimin e imagjinatës". Nga moskuptimi i këtyre elementeve mund të dalin vështirësi, pasi e dimë se arti duhet të shprehë diçka thelbësore që e plotëson kuptimin e saj, sepse shërben si mjet komunikimi me specifikat që ka. Në historinë e doktrinave estetike, shpesh është diskutuar për këto probleme, edhe pse ka pasur dhe ka estetë, të cilët mbrojnë tezat e tyre, se arti duhet të jetë sistem unik, do të thotë i lidhur brendapërbrenda vetes dhe i varur njëri prej tjetrit. Thënia se arti pasqyron të bukurën, është njëlloj kufizimi pasi e ngushton artin në qenien e tij dhe shpesh na sjell varfëri në shumë elemente e sidomos në përmbajtjen e tij.