Kultura e trashëgimia banojnë në art e zanat

Kultura July 13, 2017 - 12:09

Në një nga rrugicat e ngushta, ato tipike të Prishtinës së vjetër, afër njërës nga qebaptoret më të famshme në qytet, në një dyqan të vogël, shet punimet e saj të dorës artistja Ilire Lepaja, që me profesion është dizajnere grafike.

Në dyqanin e saj gjetëm vërtet art e zanat, ashtu siç edhe e ka emrin dyqani “Art e zanat”, bashkë me inicialet e saj IL, me të cilat i vulos produktet.

Ilire Lepaja dizajnon suvenire me motive kombëtare e tradicionale shqiptare. Ajo ka vendosur që artin e saj ta fokusojë te promovimi i trashëgimisë kulturore. Lepaja filloi biznesin e saj në vitin 2014, me serinë e kartolinave dhe tashmë numëron më shumë se dhjetë lloje të produkteve të ndryshme. Edhe pse ka nisur me kartolina, thjesht për hobi, për shkak të pasionit e dëshirës për promovimin e kulturës, Ilirja ka arritur t’i shtojë gradualisht produktet e saj, duke arritur deri te ato të tekstilit: te jastëkët, çarçafët, çantat e shallet.

Ajo dizajnon gota, korniza, punime te vogla druri me magnet, qëndisma të ndryshme, etj. Pjesë e produkteve të saj është figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ajo e Nënës Terezë e të personaliteteve të tjera historike.

Ajo prezanton edhe helmetat ilire, hyjneshën në fron, plisin shqiptar, sofrën e qypin. Në kartolina gjejmë monumente si Sahat Kulla në Prishtinë e deri te “NEWBORN”, që është simbol i pavarësisë së Kosovës.

“Ky dyqan është hapur para një viti, kurse projekti si projekt ka rreth tre vjet e gjysmë që ka filluar. Kam nisur ta bëj këtë punë duke dashur të bëj diçka të mirë për vendin, ta promovoj shtetin tonë të ri, trashëgiminë kulturore në një formë që nuk ka qenë deri atëherë, përmes kartolinave të mia, duke e promovuar edhe veten si artiste. Qëllimi ka qenë të pavarësohem, të krijoj biznes prej këtij promovimi”, kujton Ilirja.

Qysh në kartolinat e saj të para ka qenë në qendër Prishtina e vjetër, duke vazhduar me pamje të Prishtinës së sotme e objekte të trashëgimisë kulturore.

“Në punimet e mia kam paraqitur edhe veshjet tradicionale. Ato që janë më karakteristike në vendin tonë: veshja e Dukagjinit, e Hasit, tirqit, plisat e shumica e veshjeve që ekzistojnë”, thekson Lepaja, duke shtuar tutje se i gjithë projekti që nga fillimi kishte për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Nuk është se kam ndonjë lidhje ndoshta të veçantë, por përgjithësisht i dua gjërat antike, historike. E vlerësoj shumë ruajtjen dhe promovimin e tyre”, thotë artistja kur e pyesim se pse ka zgjedhur të fokusohet pikërisht në këtë drejtim.

Në punimet e Ilires blerësit gjejnë edhe përshkrime për produktin që marrin. Të dhëna shpjeguese për fotografinë, për monumentin a për veshjen që paraqitet në to. Të gjitha këto informacione ajo i ka mbledhur e i ka përzgjedhur vetë.

Një pjesë e mirë e klientelës së saj janë ndërkombëtarët, personat që vijnë për të punuar në Kosovë apo thjesht si turistë. Sipas Lepajës, ata e vlerësojnë shumë punën e dorës dhe interesohen për produktet e saj.

“Të huajt duan të kenë si suvenirë diçka që e kanë parë dhe e kanë vizituar edhe vetë. Ata preferojnë shumë ‘NEWBORN’-in, por e kërkojnë edhe Prishtinën e vjetër”, thotë ajo.

E pyetur se cili nga punimet e saj i fle me shumë në shpirt, Lepaja refuzon t’i ndajë. Sipas saj secili e ka veçantinë e vet. “Çdo punim të ri që e filloj të jep

njëfarë freskie, ndoshta jo që e do më shumë, por thjesht vjen si risi”, thotë ajo.

Më tutje Lepaja shton se pothuajse të gjithë që i kanë parë produktet e saj, qoftë vendorë apo ndërkombëtarë, janë shprehur se suvenirët e saj janë unikë.

“Më lë shumë përshtypje kur thonë se nuk kanë parë punime të kësaj natyre, sado që suvenirë ka në gjithë botën. Është stil i krijuar nga unë, të cilin ata e vlerësojnë. Kjo për mua si artiste është shumë e rëndësishme. Deri në këtë fazë kam arritur duke punuar vazhdimisht me përkushtim”, shprehet ajo, duke theksuar se nëse ka një këshillë që do donte ta jepte për artistët e rinj, ajo është që të jenë origjinalë.

“Duhet të jenë vetvetja. Të mos krijojnë punime me stil që tashmë ekziston, por t’i paraqesin ashtu siç u vjen prej vetvetes”, thekson Lepaja, që për vete inspirimin e ka gjetur te shumëllojshmëria dhe ka synuar t’i nxjerrë në pah të mirat e kulturës shqiptare.

Produktet e “Art e zanat” përveç në dyqan promovohen edhe nëpër panaire e nëpër ngjarje të ndryshme, ku artistja ka mundësi t’i prezantojë. Deri më tani, përveç vendeve shqipfolëse punimet e Ilire Lepajës janë paraqitur edhe në Sarajevë e në SHBA. Përveçse angazhohet vetë në punim, në promovim e në shitje në biznesin e saj të vogël, Lepaja ka arritur edhe ta punësojë një punëtore, të cilën e angazhon për shitje.

Image