Kultura

Korça në 'Historinë e Skënderbeut'

 Korça në 'Historinë e Skënderbeut'
11 korrik 2017 • 09 : 03 • autori: Aurel Plasari

Kam përshtypjen që nuk është sqaruar se përse në botimin e parë të variantit të parë të Historisë së Skënderbeut të Nolit ndodhet “Korça”: Botime të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) Mbretit të Shqipërisë 1412-1468 prej Peshkopit Theofan (Fan S. Noli), Boston, E botuar prej Shoqërisë Korchare “Arësimi”, Boston Shtypëshkronja e “Diellit” 1921.

Pra: edhe “Botime të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra””, edhe “E botuar prej Shoqërisë Korchare “Arësimi””.

Hartimi dhe botimi i një historie të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, pati qenë vullnet dhe projekt i Shoqërisë “Arsimi” të Korçës si nevojë e ngutshme sa për mësues dhe nxënës të shkollave, aq edhe për lexuesin më gjerë, qysh në momentin historik të riorganizimit të shtetit shqiptar mbas Luftës së Parë Botërore dhe Kuvendit të Lushnjes, pra më 1920. Qarkullonte në atë kohë, sigurisht, “Historia e Skënderbeut” e Naimit e botuar nga shqiptarët e Bukureshtit, por ajo mbetej vepër letrare. “Arsimi” ndjeu domosdoshmërinë e një vepre historike në gjuhën shqipe prej një autori shqiptar dhe ofroi për një vepër të tillë edhe shpërblimin financiar për autorin dhe botimin.

Dy ishin autorët potencialë që iu përgjigjën kërkesës së “Arsimit”: Faik Konica, që tek “Albania” e tij ishte marrë më se një herë me çështje të historisë së Skënderbeut, dhe Fan. S. Noli. Kushtit të “ngutësisë” Noli iu përgjigj duke kërkuar një afat prej 12 muajsh, ndërsa Konica... vetëm për 3 javë. Afërmendsh që përgjigja e Konicës nuk tingëllonte serioze: ishte e pamundur të realizohej një tekst historik për Skënderbeun brenda 3 javësh. Shoqëria “Arsimi” zgjodhi Fan Nolin dhe lidhi kontratën me të. Zgjedhja rezultoi fatlume: të qe lënë në dorë të Konicës ndoshta një histori e tillë as do të qe shkruar ndonjëherë.

Noli ka treguar që në atë kohë nuk njihte veçse burimet tregimtare për Skënderbeun: Barletin, Biemmin me “Tivarasin” e tij, disa autorë anonimë, duke qenë që as Demetër Franko ende nuk ishte identifikuar si i tillë. Në muajin e 11-të, ka treguar Noli, mori vesh që për historinë e Skënderbeut ekzistonin edhe burime dokumentare, si në Vjenë etj. Kërkoi që të shtyhej afati i botimit të librit, por Shoqëria “Arsimi” ngulmoi në respektimin e afateve të kontratës: libri duhej të ishte i gatshëm edhe me rastin e kuvendit të radhës të Shoqërisë. Kështu u botua, gjithashtu me shpenzimet financiare të “Arsimit”, varianti i parë i “Historisë së Skënderbeut” të Nolit. Noli iu kthye mandej historisë së Skënderbeut edhe më 1947, si punim doktorature në anglisht, por edhe në një variant të ri të vitit 1956 në shqip, në një leksion të ri në anglisht më 1961, si dhe në disa konferenca të tjera, pra duke mos iu ndarë gati-gati derisa vdiq.

Do të duhej ditur më shumë për të përmendurën Shoqëri “Arsimi” të Korçës, të cilës i takon merita e asaj nisme historike që i duhet njohur. Noli përmend për marrëdhëniet kontraktuale edhe “presidentin” e saj, i cili edhe e kontaktoi. Kush ka qenë ai?

 

© zëri.info