Ekzemplari i rrallë i folklorit shqiptar

Kultura July 10, 2017 - 09:02

Ka dekada të tëra që veshi i shqiptarit, në shumë këngë folklorike dhe popullore, ose në format e reja të kombinimeve të këtyre dy zhanreve të afërta, dëgjon tinguj magjepsës të çiftelisë, sharkisë, fyellit, okarinës dhe instrumenteve me të rrahura.

Rrallëkush e din që ekzekutues i atyre tingujve është Shaqir Hoti, i cili për fatin e tij të mirë, e ruan freskinë në jetë, ndërsa për fatin tonë të keq, ka mbetur shumë i pashfrytëzuar për kapacitetet e tij krijuese.

Sido që të jetë, ai në një periudhë të gjatë kohore, ka dhënë shumë në cilësi dhe në sasi për kulturën tonë muzikore përgjithësisht, ndërsa për folklorin në veçanti. I ardhur nga një zonë folklorike, siç është krahina e Hasit, pasi që nga fëmijëria ishte një fyelltar i konsoliduar, Shaqir Hoti e zhvillon talentin e vet jo vetëm në grupe të ndryshme muzikore, por duke e institucionalizuar këtë fushë muzikore në Radio Prishtinë, institucion ky i fuqishëm i shpërndarjes së kulturës shqiptare përgjithësisht dhe i kulturës muzikore po ashtu.

Por fuqia krijuese e Shaqir Hotit nuk ndalet vetëm në regjistrime muzikore dhe në shoqërimin e orkestrave të ndryshme. Ai në vitet shtatëdhjetë, duke zgjedhur instrumentistët më të fuqishëm të instrumenteve të kësaj fushe, formon Ansamblin Folklorik „Azem Bejta“, i cili do të shtojë pasurinë e këngëve shqiptare në Kosovë, por edhe një varg lojërash instrumentale, prapa të cilave ishte kompozitori Shaqir Hoti.

Këtë ekzemplar të rrallë të kulturës muzikore popullore, pata fatin ta njoh në fillim të viteve tetëdhjetë. Aso kohe, ani që gjendja politike ishte shumë e tendosur dhe çdo aktivitet kombëtar, madje edhe kulturor e krijues, shikohej me frikë nga pushteti aktual, sepse Serbia nuk prante pa e sulmuar Kosovën në çdo sferë pas demonstratave të vitit 1981, Shaqir Hoti riaktivizon sërish ansamblin „Azem Bejta“ në Prishtinë.

Një mbrëmje të vitit 1984, vjen këngëtarja Vezire Ejupi, një vendase imja dhe kërkon nga unë një tekst kënge. Ajo disa vite më parë, po ashtu me një tekst timin, kishte debutuar në festivalin „Akoredet e Kosovës“. Unë nuk e njihja askënd nga pjesëtarët e ansamblit. Pasi e bëra tekstin, Vezirja më thërret të shkoj në lokalet ku bënte ushtrime Ansambli „Azem Bejta“, pasi që Shaqir Hotit i kishte pëlqyer teksti im, që ishte një këngë për Shtjefën Gjeçovin, i lindur në anën time, në Janjevë dhe i vrarë nga xhandarmëria e mbretërisë serbe në anën e Shaqirit.

Në „Azem Bejta“ pashë një çerdhe kulturore e njerëzore të mrekullueshme, sa që më ra të kthehem shpesh dhe, t'u bëj ndonjë këngë, ta pasqyrojë në shtyp aktivitetin e tyre, por edhe të rrija me ata njerëz të mrekullueshëm. Strumbullar i asaj vlere natyrisht që ishte Shqir Hoti, i cili reflektonte urtësi, dashuri, fuqi krijuese dhe kondicion organizativ.

Edhe sot e kam në mbamendje atë rrethin si ulej në ushtrime në mes me Shaqën, ndërsa tutje zgjerohej me Ramë Thaçin, Bajram Rrmokun, Abdurrahman Sfircën, Murat Binakun, Rizah Spancën e ndonjë nga instrumentistët e rinj. Por Shaqir Hoti e bartte gjithë barrën, që nga kompozimet, aranzhmanet dhe deri te realizimet finale të këngëve. Por edhe tash kur mosha e tij i afrohet shekullit, krijimtaria e tij nuk pushon, ndërsa ai volumi i tij krijues e ekzekutues, mbetet ekzemplar i rrallë në folklorin shqiptar.

Vonë, pas luftës së fundit, në Republikën e Kosovës, e takova sërish me Ilir Shaqirin, duke bërë këngë të reja dhe valle instrumentale. Në kuferin e tij kishte një grumbull fyejsh e okarinash që i kishte bërë vetë, e të cilat i përdorte varësisht prej tingujve që i kërkonte kënga., por edhe prodhues i instrumenteve të kësaj fushe, të cilat shpërndahen gjithandej në viset shqiptare dhe përbëjnë një pasuri të paçmueshme kombëtare.