PriForum vjen me program të zgjeruar

Kultura July 09, 2017 - 19:35

Ashtu sikur edicionet e kaluara, edhe edicioni i nëntë i PriFestit sjell në Prishtinë PriForum-in, platformën zhvillimore rajonale të industrisë së filmit.

Prishtina Film FORUM. platforma e industrisë filmike dhe koproduksionit është pjesë integrale e PriFest, që do të ketë edicionin e nëntë nga 13-20 korrik 2017 në Prishtinë, ndërkohë datat e PriFORUM janë 15-18 korrik.

Përveç programit tradicional ‘Best Pitch Competition’, një garë me projekte filmike në fazën e skenarit ku janë përzgjedhur 9 projekte filmike nga Ballkani dhe 4 projekte filmike per Script Development, PriFORUM do të ketë edhe panele të diskutimit mbi tema të rëndësishme për industrinë e filmit dhe cështje sociale, master klasa të ndryshme për studentë e profesionist të mbajtur nga emra të njohur të botës si filmit si Paul Haggis e Lucinda Coxon si dhe  eventet që tashmë organizohen për herë të dytë: ‘Prishtina Rendezvous’ e ‘Prishtina Kino Kabaret’. Risi janë dy programet e reja: Work in Progress dhe Kosova’s Rising Stars, për të cilat do të flasim në vazhdim.

Të përzgjedhurit për garën Best Pitch dhe programin për zhvillim skenari (Script Development) do të marrin trajnime falas për faza të ndryshme të realizimit të filmit (pitching, zhvillim të skriptës, strategji për ngritje të fondeve etj).

Trajnimet do të mbahen nga trajnerët Franz Rodenkirchen (konsultant skenari dhe tutor i Script Circle), Francoise Von Roy (konsultate skenari nga Script Circle) dhe Fabienne Aguado (Pitching expert) si dhe Linda Beath (eksperte finance me një karrierë shumë vjeçare). Puna me ekspertën e njohur ndërkombëtare Linda Beath (EAVE dhe MAIA) do të jetë një mundësi unike për ekipet e projekteve të përzgjedhura. 

Këta trajnerë vijnë në Prishtinë si rezultat i bashkëpunimit që PriFest ka arritur me EAVE-European Audio-Visual Enterprenuers, Torino Film Lab, Script Circle Berlin etj. Pas trajnimeve, projektet do të prezentohen para jurisë ndërkombëtare profesionale dhe fituesi përveç çmimit 1500 euro, do të shpërblehet edhe me çmimin e i ri që vjen si bashkëpunim me kompaninë ‘DEEPEND POST PRODUCTION’ nga Afrika e Jugut, çmim që do të ketë vlerën afro 80,000 euro në shërbime postproduksioni, raporton "Zeri.info".

‘Prishtina Rendezvous’ është një ngjarje tashmë e rregullt e PriFORUM-it, ku kompani të ndryshme të distribucionit dhe agjent të shitjes së filmave nga e gjithë bota vijnë në Prishtinë për të takuar filmbërësit nga rajoni, për të dëgjuar lidhur më projektet që janë në fazën e hershme të zhvillimit, përmes prezantimit të tyre në takimet kokë më kokë të organizuara nga PriFORUM.

Kjo është një mundësi fantastike për projektet filmike vendore, sidomos për faktin që kineastët tanë kanë probleme të shumta për të udhëtuar në festivale të mëdha për të takuar kompani të tilla.

Programi i ri në PriFORUM është Work in Progress. Katër projekte filmike të Kosovës që janë në fazën e post-produksionit do të kenë mundësi të shfaqin pjesë nga filmat e tyre para distributorëve dhe agjetnëve të shitjes, si dhe selektorëve të disa festivaleve ndërkombëtare të filmit. Edhe kjo është një mundësi tepër e mirë për industrinë vendore të filmit e krijuar nga PriFORUM dhe PriFest.

Programi tjetër i ri është Kosova’s Rising Stars. PriFest jo vetëm që sjell më të mirën nga kinemaja botërore në Prishtinë, por përmbushur edhe misionin e promovimit të industrisë vendorë në botë.

Me programin e ri të quajtur Kosova’s Rising Stars, PriFORUM dhe PriFest kanë vendosur të prezentojnë punën e 10 aktorëve vendor para mysafirëve nga industria filmike të PriFORUM. Konsiderojmë se aktorët tanë janë një aset, potencial i madh për bashkëpunim dhe bashkëprodhime ndërkombëtare filmike.

Sa i përket PriFORUM-it të sivjetëm, udhëheqësi i këtij eventi, Fatos Berisha, deklaroi:

“Kur e kthej kokën prapa dhe e shikoj se si ka filluar PriFORUM-i, mund të them që jam shumë i lumtur dhe krenar për rritjen e vazhdueshme që kjo platformë ka pësuar me kalimin e viteve. PriFORUM tashmë është etabluar në një pikë-takim të rëndësishëm të filmbërësve nga i gjithë rajoni.”

Edhe sivjet vazhdon të mbahet aktiviteti i quajtur ‘Prishtina Kino Kabaret’, event ky që mbledh  filmbërës vullnetarë nga vendet e ndryshme të botës në Prishtinë gjatë javës së PriFest,  që pastaj në mënyrë spontane së bashku të krijojnë filma të shkurtër në qytetin e Prishtinës.

Filmat e krijuar gjatë javës në ‘Kino Kabaret’ nuk janë filma konkurrentë për çmime, por do të shfaqen gjatë netëve të festivalit.

Përveç Prishtina Rendezvous, Prishtina Kino Kabaret, Best Pitch e ‘Work in Progress’ dhe paneleve e master classave të zakonshme, sivjet PriFORUM-i si shtet partner do ta ketë Turqinë, vend nga i cili do të na vizitojnë një delegacion nga Ministria e Kulturës së Turqisë dhe radio televizioni publik TRT-ja, të cilët do ta dhurojnë shpërblimin përkatës për projektin më të mirë ‘Best Pitch’.

Gjithashtu, në kuadër të PriFORUM-it do të ketë edhe mysafirë nga fondet e filmit të Sllovenisë dhe Malit të Zi, të cilët do të flasin për qendrat e tyre të industrisë filmike dhe mundësitë e bashkëprodhimit me ta. Një mundësi tjetër e mirë për filmbërësit regjional është edhe ardhja e Kim Yutanit, programerit të Sundance Film Festival (SHBA), i cila do të mbajë prezentim në lidhje me festivalin prestigjioz që e përfaqëson.

Master klasa e mbajtur nga Lucinda Coxon, skenariste e filmit ‘The Danish Girl’ do të jetë mundësi fantastike për skenaristët, dramaturgët dhe studentët e Kosovës.

Të gjitha këto aktivitete kompletohen me ardhjen e Paul Haggis, yllit botëror të kinematografisë fitues i 2 çmimeve Oscar, i cili në PriFORUM do të mbajë një master class për filmbërësit nga rajoni.

Në lidhje me PriFORUM, drejtoresha e PriFestit, Vjosa Berisha, shtoi:

“Jemi shumë të lumtur që PriFORUM vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovë dhe rajon, duke organizuar aktivitete të ndryshme të trajnimit, prezentimit, garës, debateve, diskutimeve dhe atë që është fillimi i cdo bashkëpunimi në këtë industri, njohjes dhe rrjetizimit. PriFORUM si pjesë përbërëse e PriFest përmbushë misionin e festivalit, duke përkrahur industrinë e filmit vendor dhe duke u bërë pikëtakim i profesionistëve nga rajoni dhe Europa. Si gjithmonë, PriFORUM mbetet pjesë shumë e rëndësishme e javës së festivalit.”

Siç dihet, edicioni i nëntë i PriFest-it fillon të enjtën më 13 korrik dhe zgjat deri më 20 korrik, derisa PriFORUM starton që nga 15 korriku. /ZËRI/