Mbresa nga 'Muzat e Jezercit'

Kultura July 08, 2017 - 08:45

E prita me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në koloninë e shkrimtarëve “Muzat e Jezercit”, organizuar nga klubi letrar “De Rada”, në Ferizaj.

Në Ferizaj kisha qenë vetëm një here në vitin 2002, kur së bashku me mjeshtrin e kamerës, Fatmir Bajrami, shkuam për të filmuar në lidhje me dokumentarin “Adriana”, kushtuar aktores Adriana Abdullahu, vrarë nga serbët më 22 mars 1999. Kështu që kjo ftesë ishte edhe një mundësi për t’u rikthyer sërish në njërin prej qyteteve më të rëndësishëm të Kosovës, i cili veç zhvillimit industrial, dikur ka qenë shumë i njohur edhe për klimën e begatë artistike dhe sportive. Ky rikthim ishte njëri shkak. Shkaku tjetër dhe më i rëndësishmi ishte se prej kohësh kisha dëgjuar dhe lexuar për aktivitetet dhe nivelin e lartë të këtij klubi letrar, pjesëtarë të të cilit kanë kontribute në letërsinë e shkruar shqipe. Ishte një rast i mirë për t’u takuar së bashku me autorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Qysh në pikëtakimin e parë te “Biforkacioni”, ku shumica prej nesh u takuan për herë të parë apo u ritakuan pas disa kohësh, ndjeva të ndihesha ngrohtë, si të isha në shtëpinë time, e me miq të njohur prej kohësh. Ishte jetësimi i parandjenjës që më kishte shoqëruar qysh gjatë rrugës nga Tirana drejt Prishtinës, kur udhëtuam së bashku me Agron Tufën, apo edhe nga Prishtina në Ferizaj, me kolegen dhe miken time Ilire Zajmi. Hapësirat e krijuara nga teknologjia dhe rrjetet sociale, kanë bërë të mundur që edhe pse në distancë, të krijohet një profil i qartë për kontributet e gjithsekujt. Që në çastet e para u krijua një atmosferë shumë miqësore me Bekimin, Nduen, Sibelin, Editën, Dijen, Bardhin, Ahmetin, Lulëzimin, Vjollcën, Afrimin, Farukun, Arsimin, Naimen dhe të gjithë të tjerët që nisën të shtoheshin kohë pas kohe, si Entela, Olimbia, Rozafa, Helena, e shumë të tjerë. Kur shkuam në han, sipër në Jezerc, pata kënaqësinë të njihesha nga afër edhe me Osmanin e 

grupit “Fontana”, grupit ndër të parët e rokut në Kosovë, të cilin e kisha ndjekur edhe në koncertin që dha në vitin 1992 në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, së bashku me Veli Sahitin nga grupi "Trix"”. Një ndër befasitë e natë së parë ishte edhe Nazmiu, rapsodi i mrekullueshëm, që veç zemrës hapi edhe shtëpinë e tij për një grup mysafirësh në këtë koloni.

Veçanërisht të shtunën dhe të dielën, në 1 dhe 2 korrik, patëm më shumë mundësi të qëndronim së bashku. Ora letrare që u organizua te restorant “California”, krijoi një atmosferë të bukur, e cila vazhdoi deri në fund në një klimë miqësore. Një vlerësim i veçantë na u përcoll nga stafi i komunës Ferizaj, e sidomos nga kryetari Muharrem Sfarqa, i cili veç ideve dhe qëllimeve të tij për shndërrimin e komunës në një vend atraktiv dhe të rëndësishëm, na njohu edhe realisht me bukuritë e jashtëzakonshme natyrore në Brezovicë dhe Prevallë.

Kolonia “Muzat e Jezercit”, ashtu siç e përjetova unë, ishte më shumë një pikë takimi dhe një urë më e madhe komunikimi ndërmjet autorëve shqiptarë, të cilët kanë ëndrra, ide dhe qëllime të përbashkëta. Pavarësisht zhvillimeve të këtij çerek shekulli, kontakteve të shtuara, sidomos pas vitit 1999 e këtej, ndihet e nevojshme që të shtohen edhe më tepër kontaktet dhe aktivitetet, për t’u përballur me një qëndrim sa më real ndaj njëri-tjetrit, dhe si pjesë e së njëjtës letërsi, letërsisë shqipe.

Faleminderit “De Rada”! Faleminderit “Muzat e Jezercit”!