Njerëzit janë të bukur dhe pozitivë kur merren me art

Kultura July 08, 2017 - 08:43

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë poeten nga Permeti, Anila Krutin, autore e tri librave me poezi: "Përtej skajeve me ëndrrën", "Psherëtima e gjethes" dhe "Qielli s'pranon arna"

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Unë mendoj që njeriu shpesh duhet t’i bëjë pyetje vetes, që nga ato ekzistencialet deri tek ato shpirtëroret. Të kërkosh do të thotë të dish! Marrëdhënia e njeriut me kërkimin dhe eksplorimin rreth vetes dhe universit është jo vetëm kuriozitet kompleks, por edhe zhbirim dhe zhvillim. Pyetja është inteligjencë, është kërkim. Të kuptosh dhe të dish rreth asaj që të mundon. Marrëdhënia e unit njerëzor me fenomenet e universit përbëhet nga trinomi kush – pse -si? Ky trinom përbën gjithë thelbin ekzistencës, bërthamës shpirtërore dhe mentale. Shpesh kërkojmë të dimë rreth asaj çfarë nuk dimë. E gjithë udha njerëzore është pyetje, kërkim përgjigje dhe sërish mister për të paditurën, atë që mundon shpirtin njerëzor.

Shpesh unë i bëj pyetje vetes dhe ajo pyetje që më vë në mendim  është: Ku e gjen forcën njeriu për të ngritur në udhën e gjatë e të mundimshme ‟Gurin e Sizifit?”

Jeta dhe njeriu, vështirësitë, problemet, dhimbja, fitorja, humbja... i japin sens jetës njerëzore. Njeriu lind për t'i dhënë kuptim jetës së tij, me të gjithë të mirat dhe të këqijat që ka jeta. Shpesh qenia njerëzore gjendet mes disfatës dhe fitores. Për të shijuar fitoren me doemos duhet të kalojë përmes problemeve dhe vështirësive.

Kjo është rruga që njeriu ndjek, por duke gjetur vullnet, shpresë dhe forcë, brenda vetes. Dhe e gjithë kjo panoramë ndjenjash gjendet brenda shpirtit. Nis të  pamundurën, me forcë dhe dëshirë drejt të mundshmes. E gjithë lufta me vështirësitë e jetës merr kuptim kur arrijmë të gjejmë forca tek vetja dhe të arrijmë fitoren, duke arritur sensin e jetës.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimet janë të bukura, plot jetë dhe e ndihmojnë njeriun të shohë jo vetëm bukuritë e natyrës dhe tokës, por edhe të thyejë rutinën e përditshme. Udhëtimet janë mbreslënëse, por ato me të bukurat dhe të paharrueshmet janë udhëtimet e shpirtit. Udhëtimi im i zakonshëm që merr udhët shpirti është ‟Udhëtimi në qiell”

Bie nata dhe unë ashtu pëhumbshëm mbyll sytë dhe shpiti merr udhët nëpër qiell. Krahët e pemëve zgjaten nëpër pyje. Puth yjet dhe rrok me krahë hënën. Pastaj ajo e argjendtë varet poshtë ujërave të kaltra. Eh, më pas takoj të gjithë personazhet e librave që nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Piter Pani me udhëtimet fantastike deri tek personazhet groteske të Hygoit, Khaled Hosseini, Paulo Coelho, etj. Është një udhëtim i përditshëm, fantastik dhe i bukur. Po mendoj që nuk është i vetmi udhëtim që bëj. Shpesh, mendja ime bën udhëtimet më të bukura drejt malit, duke përqafuar pemët, duke më marrë era në krahë, duke puthur  diellin dhe përqafuar barin nëpër krahët e mi. Udhëtimi më i bukur dhë më i gjatë, më mbreslënës është udhëtimi buzë detit. Duke përqafuar dritën, ujin, tokën. Udhëtimet më të bukura i bën shpirti dhe mendja.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mua më pëlqen të lexoj. Lexoj dhe mendoj se leximi e bën njeriun të shohë përtej të zakonshmes, e bën njeriun të ditur, të veçantë, të pasur shpirtërisht. Mendoj që të gjithë librat kanë vlerën dhe rëndësinë e tyre, të periudhave të ndryshme, ato mbeten në kujtesën tonë dhe aty ne identifikohemi me personazhet, me ngjarjet  dhe emocionet e tyre. Ndoshta shumë personazhe na shoqërojnë gjithë jetën tonë duke na ndjekur në gjitha vitet tona jetësore, duke ua treguar edhe të tjerëve me shumë dëshirë si ngjarje të re, të bukur, si personazhi që ka mbështjellë kujtesën dhe rri me ty. Ky personazh që mua më shoqëron edhe sot, mbas kaq shumë vitesh është Sajuri, ‟Kujtimet e një geishe”. Jeta dhe vështirësitë e geishës, bukuria dhe thjeshtësia e saj, finesa, intrigat që i bëjnë asaj, përpjekjet për varfërinë, përshkrimet e natyrës dhe përshkrimet psikologjike, dashuria dhe forca e saj e bëjnë këtë personazh të mbetet gjatë në memorien e lexuesit. Ne shpesh identifikohemi me jetën dhe cilësitë e personazheve. Kujtoj shpesh mënyrën sesi.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Ne jemi një popull me gjuhë dhe kulturë të vjetër, me tradita dhe vlera që na bëjnë të veçantë, por nga ana tjetër ne si popull anatemohemi nga shtete e politika që na përçajnë . Mendoj se në të gjitha trevat shqiptare ka një krizë morale, e cila shpesh buron nga mosnjohja e vlerave kulturore që mbartin intelektualë të ndryshëm që shpesh nënvlerësohen, ose përjashtohen. Kriza të tilla na dëmtojnë jo vetëm kulturalisht, por edhe cenojnë identitetin tonë si popull.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Doemos që një komb zhvillohet në sektorë të ndryshëm, ekonomik, politik e kulturor. Duke u zhvilluar kombi zhvillohen edhe popujt, arsimi dhe kultura. Teknologjia dhe bota e internetit doemos ka ecur përpara, po kështu në një farë mënyre ka ndikuar edhe në botëformimin kulturor. Po kështu emigracioni dhe migracioni ndikojnë edhe këto në botëformimin e individit, duke përthithur vlera qytetare. Mendoj se zhvillimi i individëve, arsimimi, ndikon në kulturën e tij, por edhe të një populli. Unë mendoj gjithsesi, që duhet bërë më tepër për fushën e kulturës. Duhen më shumë politika motivuese, promovuese dhe mbështetëse. Kujtoj që duhen bërë më shumë aktivitete kulturore, sidomos për librin, jo vetëm artistik.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ka qenë më keq se sot dhe nesër do të jetë më mirë se dje...! Një shprehje kjo që më kujton librat e censuruar, këngët e censuruara dhe kështu censura kalon deri tek kultura. Dje, apriori them se kemi qenë të izoluar, sot shoh që jemi ende të ’lidhur’, sepse i takojmë një populli që konsumon shumë politikë, pa ditur ta bëjë atë. Nesër jetoj me shpresën se do të jemi si bota e qytetëruar, ku t'i japim rëndësi punës dhe veprës.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Arti është ushqimi që mban gjallë botën shpirtërore të njeriut. Të ushqehesh me art do të thotë të mbushesh me dritë. Do të thotë ta bësh jetën tënde më të bukur dhe me sens. Poezia, piktura, kënga, filmi, janë pjesë e artit dhe në mos jemi ata që prodhojmë të jemi ata që konsumojmë. Njerëzit janë të bukur dhe pozitivë kur merren me art. Marrin atë kuptimin e vërtetë të emrit njeri. Unë e dua artin. Nga pikturat do të veçoja pikturën e "Natë me Yje" të V.Gogh. Poezia "Në mundsh" e Kiplingut. Kënga "Rrjedh në këngë e ligjërime",Vaçe Zela. Një film që e shoh me endje edhe sot është ’Nëntori i dytë’.