Petrit Halilaj, laureat i çmimit 'Mario Merz'

Kultura July 06, 2017 - 11:31

Artisti kosovar Petrit Halilaj është shpallur fitues i edicionit të dytë të çmimit “Mario Merz” - i vetmi çmim ndërkombëtar për art dhe muzikë. Ai u zgjodh si fitues nga një juri dhe një votim publik, duke triumfuar kështu në një listë e shkurtër me pesë artistë, duke përfshirë këtu: Francesco Arena, Gili Lavy, Shahryar Nashat, Suha Traboulsi, shkruan “Zeri.info”.

I krijuar për të identifikuar personalitete kyçe në fushën e artit vizual dhe muzikore, çmimi “Mario Merz” promovohet nga Fondacioni Merz. Si fitues i kategorisë së artit, Halilaj do të ekspozojë në hapësirat e ekspozitës të Fondacionit Merz në Torino dhe Zvicër.

Çmimi “Mario Merz” u drejtohet artistëve që tashmë janë njohur për cilësinë e punës së tyre në vendin e tyre dhe karriera e të cilëve tashmë është nisur në nivel ndërkombëtar.

Për ta përkrahur artistin që të krijojë veprën e tij të re artistike fondacioni bashkë me çmimin i ndanë edhe 10.000 euro.

Duke komentuar punën e Petrit Halilajt, juria tha: "Jeta e Halilajt, e shënuar nga kujtimi i ngjarjeve të rënda, i mundëson artistit të trajtojë rrëfimin e historisë dhe tregimeve me ndjeshmëri të madhe, të shoqëruar nga një sens delikat edhe ironi. Aftësia e artistit të ri për të krijuar vende, situata dhe gjuhë të përshkueshme në bazë të përvojës së vet, arrin të përputhet ngushtë me qëllimet e çmimit, të të prishur pengesat kulturore, fizike dhe mnemonike. Shansi i siguruar nga çmimi, që është realizimi i një projekti të ri, do të mundësojë një vizion të ri global për punën e Halilajt dhe kështu një fazë e re hetimi dhe kritikash të skenës bashkëkohore do të nis duke filluar nga prania dhe roli i artistëve si figura qendrore të një vale të re sociale, historike dhe kulturore”.

Halilaj, i lindur më 1986 në Kostërrc ndërsa prej vitesh me jetesë midis Kosovës, Italisë e Gjermanisë.

Historia dhe biografia e tij personale janë gjithmonë një pikë ku ai mbështet, si inspirim për punët e tij. Fotografitë e tij nga fëmijëria e komplikuar, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, gjithmonë përkthehen në realitet artistik.

Halilaj është artisti me të cilin Kosova debutoi në Bienalen e Venecias në vitin 2013-të, asokohe me kanarinat e tij të famshme. /Zëri/.