Nga

Nga 'Karlovy Vary' nė tjera festivale tė mėdha

SHPËRNDARJE

Argjenda Selmani • 06 Korrik 2017 • 10:27 •

Filmi “T’padashtun” (Unwanted), i regjisorit Edon Rizvanolli, u bë filmi i radhës nga Kosova që u prezantua në Festivalin prestigjioz “Karlovy Vary”. Adriana Matoshi (Zana) dhe Jason de Ridder (Albani), me rolet e tyre përkatëse si nënë e bir, shpalosin dramën sociale të këtij filmi.

Filmi në mënyrë të tërthortë shtjellon vështirësitë e jetesës për gjeneratën e parë të emigrantëve në perëndim. Pas Festivalit “Karlovy Vary” filmi “T’padashtun” do të hap edhe Festivalin e Filmit në Prishtinë, “PriFest”, më 13 korrik.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” regjisori Rizvanolli flet për paraqitjen para publikut ndërkombëtar, rrugëtimin e mëtutjeshëm të këtij filmi, por edhe për procesin e realizimit.

Filmi juaj debutues i metrazhit të gjatë, i titulluar “T’padashtun”, pati premierën botërore në festivalin prestigjioz, “Karlovy Vary”; si e priti publiku ndërkombëtar?

Film është pritur jashtëzakonisht mirë, si gjatë shfaqjes së parë, pra premierës, si gjatë të dytës, pas së cilës u ballafaquam për gati 30 minuta me pyetje nga publiku. Gjatë shfaqjes pati të qeshura dhe lot e ky fakt më gëzon tej mase pasi që kjo vërteton se emocioni nuk njeh komb apo gjuhë.

Filmi në mënyrë të tërthortë shtjellon vështirësitë e jetesës për gjeneratën e parë të emigrantëve në perëndim. Gjithashtu edhe pasojat e përjetimeve të ndryshme të shoqërisë kosovare; sa ishte e vështirë të shtjellohet një tematikë e tillë?

Për mua këto tematika dhe qasja ndaj tyre, kanë qenë një sfidë bukur e madhe. Mirëpo unë po ashtu besoj se çdo temë është në një mënyrë apo tjetër e vështirë dhe sfidë në vete. Dhe janë këto sfida ato që për mua i japin vlerë edhe më të madhe punës tonë si artistë.

Ju realizuat filmin “T’padashtun” në sheshxhirimet mes Kosovës dhe Holandës, me Adriana Matoshin e  Jason de Ridder në rolet kryesore; si shkoi i gjithë ky proces?

Kam qenë shumë me fat që kam pasur mundësinë të punoj me aktorë të jashtëzakonshëm, si në Holandë, po ashtu edhe në Kosovë. Më duhet patjetër të përmend edhe Bislim Muçajn, i cili ka qenë i mrekullueshëm dhe më ka mahnitur mua edhe si regjisor e dhe si aktor. Procesi ka filluar me vështirësi pasi që për shkak të politikave të pakuptimta evropiane Adrianës ju vonua viza e për këtë arsye u detyruam t'i shtyjmë xhirimet për plotë gjashtë muaj. Pastaj çdo gjë ka shkuar për mrekulli edhe pse Adriana dhe Jason nuk kanë mundur të improvizojnë në skenat e përbashkëta pasi që të dy kanë aktruar në gjuhët e tyre.

“T’padashtun” së shpejti do të shfaqet edhe para publikut vendas, duke hapur kështu Festivalin “PriFest”; sa është e rëndësishme kjo për ju si regjisor dhe si do të vazhdojë rrugëtimi i filmit tuaj tutje?

Jam tej mase i lumtur dhe i nderuar që filmi do të shfaqet në Kosovë dhe që do të hap Festivalin “PriFest”. Për mua, dhe gjithë ekipin nga Kosova, por edhe Holanda ky është kurorëzimi i një pune të gjatë e ndonjëherë edhe të mundimshme. Filmi do të vazhdojë të udhëtojë nëpër festivale dhe të komunikojë me publikun gjithandej. Filmi është përzgjedhur për disa festivale dhe lajmet do të publikohen së shpejti. 

Po ashtu filmi do të shfaqet së shpejti në kinema, si në Holandë po ashtu edhe në Kosovë.

Nga kush u përkrah ky projekt filmik dhe sa kap shifrën buxhetore?

Projekti është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, të cilës i falënderohem jashtëzakonisht për mundësinë e ofruar, besimin dhe bashkëpunimin e sinqertë. Po ashtu më duhet të falënderoj edhe Komunën e Gjakovës, e cila na ka ofruar ndihmë pa asnjë hezitim, qysh në fillim të xhirimeve.

Filmi po ashtu është mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës dhe Fondi Holandez i filmit. Për sasinë e buxhetit nuk kam dëshire te flas. Ka qene tepër i vogël, duke marrë parasysh që kemi xhiruar në dy shtete, mirëpo ky kufizimi në një mënyrë më ka detyruar të jem më kreativ si në aspektin teknik po ashtu edhe në atë artistik.