Moikom Zeqo, laureat i çmimit letrar 'Teuta'

Kultura July 05, 2017 - 09:42

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Kulturë në Istog, bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër si dhe Muzeun Etnografik të Malësisë - në Lekaj të Tuzit, më 4, 5 dhe 6 korrik mban manifestimin V letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2017”.

Në kuadër të manifestimit të përvitshëm letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve” Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ndan edhe çmimin letrar “Teuta”. Laureatë paraprak të këtij çmimi deri tash ishin shkrimtarët e mirënjohur shqiptarë dhe malazezë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi dhe Mirash Martinoviq. Ndërsa sivjet çmimi letrar “Teuta” shkon për njërin ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, profesor Moikom Zeqo.

“Moikom Zeqo, është autor i rreth 70-të veprave poetike, të cilat fillojnë maratonën e madhe të postmodernizmit shqiptar që në vitet 70-të të shekullit që lamë pas, marrin përsipër nëpërmjet plazmimeve të gjuhës shqipe, përgjegjësinë e dendësimeve, kundërthënieve dhe vazhdimësisë së një realiteti të ri poetik.  Erudit i rrallë i historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij iu takon pararendësve të brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur drojë të na japë përgjigje të pafundme nëse është ky realitet i thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu i paepur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët dhe universale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për ndarjen e çmimit ‘Teuta’. 

Ndër aktivitetet e parapara brenda programit të sivjetshëm janë: Historiku i “Teutës”, biografi e shkurtër e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” si dhe homazh për dy laureatët e ndjerë Dritëro Agolli dhe Ramiz Kelmendi, kumtesa mbi temat: “Krijimtaria studimore e Dr. Ibrahim Rugovës”, “Letërsia shqipe dhe roli i saj historik” dhe “Feminizmi, bota dhe kundërbota e tij" si dhe promovim i librave dygjuhësh: "Svi moji-Të gjithë të mitë", me autor Zuvdija Hoxhiq (Berisha) , "Këngët e përgjërimit-Zavjetne pjesme", me autor Lulzim Tafaj, si dhe “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, përkthim dhe botim i ri nga Anton Nikë Berisha.