"Muzat e Jezercit" bëhen të gjalla

Kultura June 29, 2017 - 09:54

Një projekt i Klubit Letrar "De Rada" të Ferizajt, ka bërë që të duket jeta më e gjallë në fshatin e djegur nga lufta, ku ka 17 vjet që banorët presin që kjo zonë malore, në të cilën përfundojnë vargmalet e Sharrit, të bëhet tërheqëse jo vetëm për të shpërngulurit në qytet, por edhe për mysafirë të ndryshëm që do të vinin dhe do t'i shijonin bukuritë e kësaj pjese, nga më të bukurat që ka Kosova sot. Të parët që u interesuan për ta zhvilluar turizmin malor në fshatin Jezerc, i cili ndodhet 15 kilometra nga qyteti i Ferizajt ishin ata të Bashkimit Evropian, që investuan në disa shtëpi-hane, ndërsa Komuna e Ferizajt ende nuk ka ndërmarrë asgjë për ta zhvilluar edhe më tej këtë ide evropiane.  

"Muzat e Jezercit" ishte një projekt që Klubi Letrar "De Rada" e kishte menduar për realizimin e një kolonie me shkrimtarë të përzgjedhur nga të gjitha hapësirat shqiptare. Po meqë nga Ministria e Kulturës projekti u pranua duke u mbështetur me një shumë minimale, organizatorit dhe ideatorit, në këtë rast Klubi "De Rada", nuk i mbeti tjetër pos të organizojë një vikend me shkrimtarët e ftuar, shumica nga të cilët edhe kanë konfirmuar ardhjen. Vikendi me shkrimtarë të përzgjedhur do të organizohet nga e premtja, përkatësisht nga 30 qershori dhe do të mbyllet të dielën, përkatësisht më 2 korrik. Të premten nga ora 17 do të bëhen bashkë për një kafe në restorantin "Biforkacioni", ku edhe do të njihen nga afër me këtë fenomen të rrallë natyror.

Shkrimtarët do të vendosen nëpër shtëpitë-hane, ndërsa të gjitha aktivitet tjera letrare, ku përfshihen debatet e ndryshme për prozën, poezinë kritikën letrare, pa ndonjë protokol të caktuar, do të organizohen nëpër restorantet e bukura që ndodhen përreth lumit Neredimka. Krijuesit jo vetëm që do të keni rastin më të mirë që të njihen mes vete, ndërsa do të jenë nga të gjitha hapësirat shqiptare, por do të njihen edhe me bukuritë e rralla të këtij fshati malor, shumë i pasur me trashëgimi kulturore dhe mbase edhe gjeografike, ndërsa, mbi biforkacionin si fenomen tashmë të njohur,  në bregoret e këtij fshati gjendet pika ndarëse e ujërave që derdhen në tre dete.

Në këtë vikend, të parin të organizuar të kësaj natyre në komunën e Ferizajt, pritet të vijnë shkrimtarët Agron Tufa, Xhevdet Bajraj, Lulzim Haziri, Ilire Zajmi, Naime Beqiraj, Sibel Halimi, Ndue Ukaj, Xhavit Beqiri, Entela Safeti-Kasi, Rozafa Shpuza, Olimbi Velaj, Kliton Nesturi, Helena Halilaj, ndërsa pritet që ardhjen e tyre ta konfirmojnë ndërkohë edhe krijues tjerë të kontaktuar nga Klubi Letrar "De Rada"

Menaxheri i projektit nga Klubi "De Rada", Arsim Hamiti, është i bindur se krijuesit do të ndahen të kënaqur jo vetëm me shërbimin, por edhe me atmosferën që do të krijohet gjatë qëndrimit të tyre në këtë fshat piktoresk të komunës së Ferizajt.

Edhe udhëheqësi i OJQ "Jezerci", Nazmi Hajdari, i cili përkujdeset për shtëpitë hane thotë se mysafirët do të ndahen të kënaqur nga mikpritja që do ta gjejnë tek pronarët e shtëpive, të cilët për ta do të përgatisin edhe specialitet të fshatit të tyre. 

B.F.